Michael Bowman
“Nuk ka asnjë mënyrë që Presidenti Trump të mund t’i japë fund të drejtës së shtetësisë në lindje me një urdhër ekzekutiv”, thotë profesori i ligjit në Universitetin Georgetown Nan Hunter. “Kjo është një dispozitë kushtetuese”.
“Nuk mund ta imagjinoj që të ketë një gjyqtar të vetëm në të gjithë vendin që do të mbështeste një urdhër të tillë ekzekutiv”, thotë Ilya Shapiro, një bashkëpunëtor i lartë për studimet e së drejtës kushtetuese në Institutin Cato të Uashingtonit.
Amendamenti i 14-të i Kushtetutës amerikane, i ratifikuar në vitin 1868 tre vjet pas përfundimit të Luftës Civile, thotë: “Të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe nën juridiksionin e tyre, janë qytetarë të Shteteve të Bashkuara dhe shtetit ku banojnë.”
“Pohimi se shtetësia vjen me lindjen apo me natyralizimin – këtë kushtetuta nuk mund ta thotë më qartë se kaq”, shpjegon zoti Hunter.
Por nuk është kështu, thotë Presidenti Trump.
“E ashtuquajtura e drejtë e shtetësisë në lindje … do të marrë fund, në një mënyrë a një tjetër” shkruante presidenti të mërkurën. “Kjo e drejtë nuk mbulohet nga Amendamenti i 14-të thjesht sepse për mban fjalët ‘nën juridiksionin e tyre’”.
Disa studiues konservatorë pajtohen, duke argumentuar se gjuha e Amendamentit të 14-të përmban një shteg.
“Pyetja është, çfarë do të thotë ‘nën juridiksionin e tyre’” thotë analistja e politikës ligjore të Fondacionit Heritage, Amy Swearer, dhe shton: “Duke u bazuar në historinë legjislative në atë kohë, hartuesit e Amendamentit të 14-të synonin t’i jepnin qytetarinë vetëm atyre që detyroheshin të ishin besnikë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe ishin nën juridiksionin e plotë të Shteteve të Bashkuara. Qëllimi kryesor i këtij amendamenti ishte dhënia e shtetësisë skllevërve të sapo liruar, të cilët ishin vetë banorë të përhershëm të ligjshëm. Ata nuk ishin subjekte të një fuqie të huaj. Ata nuk kishin borxh besnikëri ndaj një fisi apo ndonjë autoriteti tjetër.”
Kush në Amerikë është i përjashtuar nga juridiksioni i SHBA-së dhe nga ligjet federale? Pothuajse askush, sipas analistit Shapiro dhe të tjerëve. “Nën juridiksionin e tyre” përjashton diplomatët ose ushtritë e huaja.
Edhe ata që janë këtu në mënyrë të paligjshme janë subjekt i juridiksionit amerikan – ata mund të dënohen për krimet që kryejnë,” thotë Ilya Shapiro.
“Kjo është ndryshe nga diplomatët, për shembull. Diplomatët rusë në OKB marrin miliona dollarë gjoba parkimi në Nju Jork dhe mund të largohen nga vendi, por nuk mund të detyrohen të paguajnë gjobat”.
Historiani politik i Universitetit Amerikan Allan Lichtman thotë se çdo lexim i debatit origjinal që rrethon Amendamentin e 14-të tregon se përkrahësit e tij kishin në mendje shtetësinë universale të së drejtës në lindje.
“Hartuesit e bënin atë të qartë se kishte një mbulim shumë të gjerë, saqë aplikohej edhe tek kinezët, të cilët në atë kohë nuk kishin të drejtë për shtetësi. Ata nuk mund të votonin, ata nuk mund të shërbenin në juri, por fëmijët e tyre ishin shtetas të SHBA-së,” thotë analisti Lichtman.
Në një polemikë të famshme në vitin 1866, senatori republikan Lyman Trumbull i Illinois u pyet nga një senator nëse shtetësia në lindje do të “kishte efektin e natyralizimit të fëmijëve të kinezëve dhe të ciganëve të lindur në këtë vend.”
“Pa dyshim,” u përgjigj Trumbull, duke shtuar se “fëmija i një aziatiku është po aq qytetar sa edhe fëmija e një europiani”.
Në vitin 1898, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara konfirmoi shtetësinë amerikane të një fëmije të lindur në SHBA me prindër kinezë, duke vendosur një precedent ligjor që Gjykata e Lartë e sotme do të merrte parasysh nëse një çështje e re vinte para saj, ose si rezultat i një urdhri ekzekutiv ose një akti të Kongresit që kufizon shtetësinë e lindjes së parë.
“Ekziston një statut (federal) që në thelb përsërit atë që është në Amendamentin e 14-të, dhe Kongresi sot mund ta ndryshojë këtë statut. Por nëse kjo do të bëhej, statuti i ri do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe kjo është pikërisht lloji i situatës në të cilën Gjykata e Lartë do të vendoste”, thotë analisti Nan Hunter.
“Unë mendoj se Gjykata e Lartë do ta anulonte këtë (urdhër ekzekutiv ose akt të Kongresit).” Disa ligjvënës republikanë nuk janë të kënaqur. “Ka një statut në lidhje me Amendamentin e 14-të, kështu që unë mendoj se është diçka që Kongresi do ta peshojë,” thotë senatori republikan i North Dakota John Hoeven.
“Ne duhet të sigurohemi që po sigurojmë kufirin, se nuk po krijojmë nxitje për të ardhur këtu në mënyrë të paligjshme. Pra, duhet të kemi diçka të përbashkët.”
Nëse një urdhër ekzekutiv ose një veprim i kongresit nuk ka gjasa të ketë sukses, një ndryshim i ri kushtetues do të ishte mënyra e vetme për t’i dhënë fund shtetësisë për fëmijët e imigrantëve pa dokumente.
“Është një proces jashtëzakonisht i vështirë për të ndryshuar Kushtetutën,” thotë profesori Hunter i Universitetit Georgetown. “Është një shumicë prej dy të tretash (në Kongres) që duhet të propozojë një ndryshim të Kushtetutës dhe ratifikimi kërkon një shumicë prej tre të katërtave të shteteve. Ky është një konsensus super-shumicë, prandaj është bërë relativisht rrallë në historinë tonë. Është një sfidë jashtëzakonisht e ashpër.”
Përqëndrimi i presidentit Trump mbi shtetësinë në dhe emigracionin e paligjshëm ka sjellë një shpërthim të debatit shpesh të acaruar në të gjithë Amerikën. Shumë vëzhgues besojnë se deklaratat e presidentit nuk kanë të bëjnë aspak me propozimet serioze të politikave.
“Mendoj se në fund të fundit kjo është një manovër politike,” thotë Ilya Shapiro. “Presidenti vendosi që përpara zgjedhjeve të javës së ardhshme (afatmesme) do të ishte mirë ta ngrinte këtë çështje.”
“Ajo që qëndron prapa kësaj është politika e vështirë, jo kuptimi kushtetues”, thotë analisti Lichtman. “Qarkullimi i kësaj ideje, që me një firmë presidenti t’i privojë njerëzit nga të drejtat e tyre të shtetësisë, është vetëm pjesë e demonizimit të emigrantëve dhe i bën njerëzit të kenë frikë nga një i ashtuquajtur rrezik nga imigrantët”.
Konservatorët kundërshtojnë akuzën. “Nuk është çnjerëzore që një vend të ketë kufij, të përpiqet të respektojë ato kufij dhe të kthejë mbrapa disa nga joshja për të ardhur këtu në mënyrë të paligjshme dhe të kenë fëmijë qytetarë”, tha Amy Swearer.
“Kjo nuk është e motivuar nga raca, as nga urrejtja për shtetasit e huaj. Kjo thjesht do të thotë se kemi ligje dhe duam njerëz që vijnë këtu për të ndjekur këto ligje”.
Analisti Lichtman vë në dukje se shumë nga argumentet e sotme mbi emigracionin i bëjnë jehonë betejave të së kaluarës.
“Frika e emigrantëve nuk është asgjë e re. Ky lloj nacionalizmi foshnjor ekstrem, shkon prapa në ditët më të hershme të republikës,” thotë ai.
“Për një kohë shumë të gjatë, ligjet e natyralizimit në Amerikë nuk lejonin natyralizimin e aziatikëve kinezë dhe të tjerë. Objektivat kanë ndryshuar me kalimin e kohës, por retorika dhe ndjenjat jo.”
Komentet