FBI hapi hetime të reja rreth kandidatit për Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, Brett Kavanaugh.
Presidenti Donald Trump, urdhëroi hetimet me kërkesë të Komisioni Juridik i Senatit.
Just started, tonight, our 7th FBI investigation of Judge Brett Kavanaugh. He will someday be recognized as a truly great Justice of The United States Supreme Court!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) September 29, 2018
Ai tha në një deklaratë se hetimet që pasojnë pretendimet për keqpërdorim seksual, duhet të jenë të kufizuara dhe të “përmbyllen në më pak se një javë”.
Vendimi paraqet një ndryshime në qasjen e administratës e cila kishte pohuar se Kavanaugh është “verifikuar”.
Më herët të premten, Komisioni Juridik i Senatit votoi pro kandidaturës së gjykatësit Kavanaugh, një hap që ia kalon kandidaturën e tij Senatit.
Komisioni votoi në vija partiake me 11 vota pro dhe 10 kundër. Vendimtare ishte vota e Senatorit republikan Jeff Flake, i cili votoi në krahun republikan, por kërkoi shtyrjen e votës nga Senati deri pas kryerjes së një procesi hetimor nga FBI-ja lidhur me akuzat për abuzime seksuale.
Votimi i së premtes pasoi një ditë dramatike. Gjykatësi Kavanaugh dhe akuzuesja e tij, Christinë Blasey Ford, dhanë dëshmi emocionale para senatorëve dhe para publikut amerikan që e ndoqi gjatë gjithë ditës seancën nga e cila varen vendime të rëndësishme për të ardhmen e procesit të konfirmimit të kandidatit të gjykatës së lartë.
Shoqata e Juristëve Amerikanë nxiti Komisionin Juridik dhe Senatin ta shtyjnë votimin që t’i japin kohë FBI-së që të bëjë një hetim të hollësishëm të figurës së gjykatësit Kavanaugh lidhur me pretendimet e tri grave kundër tij.
Profesorja e Universitetit të Palo Altos, Christine Blasey Ford dha një dëshmi emocionale para Komisionit Juridik të Senatit.
“Jam sot këtu sot, jo se kisha dëshirë të isha. Jam e tmerruar. Jam këtu sepse besoj se është detyra ime qytetare t’ju them se çfarë më ndodhi kur Brett Kavanaugh dhe unë ishim në shkollë të mesme”, tha ajo.
Ndërsa gjithë vendi shikonte, zonja Ford dha hollësi të sulmit seksual për të cilin ajo akuzon gjykatësin Kavanaugh dhe që ajo thotë se ndodhi kur ishin të dy adoleshentë në fillim të viteve 1980.
“Mendova se do të më përdhunonte. Thirra për ndihmë dhe kur e bëra këtë, Bretti ma zuri gojën me dorën e tij që të mos më lejonte të bërtisja. Kjo ishte gjëja që më tmerroi më shumë dhe që pati ndikimin më të gjatë në jetën time”.
Zonja Ford u tha senatorëve se është “100 për qind e sigurt” se zoti Kavanaugh ishte personi që e sulmoi ndërsa një nga shokët e tij shihte dhe u pyet se çfarë i kishte mbetur më shumë në kujtesë nga incidenti.
“E qeshura, e qeshura e bujshme e të dyve dhe fakti që po zbaviteshin në kurrizin tim”.
Pas dëshmisë së saj, kandidati për Gjykatën e Lartë, Kavanaugh doli para komisionit dhe dha një deklaratë emocionale dhe sfiduese, duke hedhur poshtë akuzat.
“Nuk po e diskutoj nëse Dr. Ford është sulmuar seksualisht nga dikush, diku, dikur. Por kurrë nuk kam bërë një gjë të tillë me të, ose me dikë tjetër. Nuk jam një person i tillë, nuk kam qenë kurrë person i tillë”.
Zoti Kavanaugh tha se emri i tij dhe familja e tij, “janë shkatërruar përgjithmonë” nga akuzat kundër tij dhe sulmoi me zemërim demokratët për atë që ai e quajti, fushatë shpifjesh, që ka si synim t’i mohojë vendin në Gjykatën e Lartë.
“E gjithë kjo përpjekje prej dy javësh ishte një goditje e përllogaritur dhe e orkestruar politike, e nxitur nga zemërimi për zgjedhjen e presidentit Trump në vitin 2016, një frikë që është provokuar padrejtësisht për historinë time juridike, hakmarrje në emër të Clintonëve dhe miliona dollarë nga grupe të jashtme të majta të opozitës”.
Zonja Ford është një nga disa gratë që janë ankuar për zotin Kavanaugh, disa prej të cilave publikisht, ndërsa disa kanë zgjedhur të mbeten anonime.
Senatori republikan, Lindsay Graham humbi qetësinë, duke akuzuar demokratët për një “farsë joetike”.
“Ju doni të shkatërroni jetën e këtij personi, ta mbani këtë vend në Gjykatë hapur dhe shpresoni të fitoni në vitin 2020. E keni thënë vetë. Kjo është farsa më joetike që kur kam hyrë unë në politikë”.
Presidenti Donald Trump e emëroi zotin Kavanaugh për të zëvendësuar anëtarin e Gjykatës së Lartë, Anthony Kennedy që doli në pension.
Kavanaugh ka nevojë për të paktën 50 vota në senatin me 100 anëtarë për t’u konfirmuar. Nënpresidenti Mike Pence, mund të hedhë votën vendimtare nëse senati është i ndarë në mënyrë të barabartë. Nëse të gjithë demokratët votojnë kundër, dy republikanë duhet ta bëjnë të njëjtën gjë që të bllokojnë konfirmimin e tij.
Në një zhvillim tjetër të premten, miku u gjykatësit Kavanaugh nga shkolla e mesme, Mark Judge, tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me FBI-në.
Komentet