Presidenti Donald Trump, i tha gazetës “The New York Times” se nëse prokurori i posaçëm do të përfshinte në hetime edhe financat e familjes Trump, që nuk kanë lidhje me Rusinë, atëherë kjo do të kapërcente kufirin e të pranueshmes. Prokurori Robert Mueller po heton influencën e Rusisë në zgjedhje dhe bashkëpunimin e mundshëm me anëtarët e ekipit elektoral të zotit Trump.
I pyetur nëse kjo do të përfaqësonte një vijë të kuqe për të, Presidenti Trump u përgjigj se: “Do të thoja ‘po’. Unë nuk kam të ardhura nga Rusia. Nuk bëj biznes me Rusinë”.
Në një intervistë të zgjeruar, Presidenti Trump shprehu gjithashtu zhgënjim për vendimin e Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions për t’u vetëtërhequr nga hetimet për Rusinë. Presidenti shtoi se nëse do ta kishte ditur paraprakisht këtë synim të zotit Sessions, atëherë do të kishte “përzgjedhur dikë tjetër”.
“Zoti Sessions nuk duhet të ishte vetëtërhequr kurrë, dhe nëse do ta kishte patur ndër mend një gjë të tillë, duhet të më kishte informuar përpara se ta pranonte postin”, tha Presidenti Trump.
Presidenti sugjeroi në vazhdim se ish-Drejtori i FBI-së, James Comey, i pati treguar një dosje me materiale dhe aludime të pakonfirmuara, kompromentuese për Presidentin, me qëllimin për të fituar influencë ndaj tij.
“Për mendimin tim, ai ma tregoi në mënyrë që unë të mendoja se ai mund ta bënte publike”, i tha gazetës Presidenti Trump, i cili e shkarkoi zotin Comey në muajin maj.
Zoti Comey u shpreh në dëshminë e tij përpara një komisioni të Senatit në muajin qershor, se ai e pati informuar privatisht për dosjen në muajin janar, pasi besonte se materialet do të publikoheshin dhe se komuniteti i zbulimit nuk duhet ta privojë Presidentin e zgjedhur nga të dhënat që disponon.
Pasi Prokurori i Përgjithshëm Sessions u vetëtërhoq nga hetimet, zëvendësi i tij, zoti Rod Rosenstein, caktoi një tjetër ish-drejtor të FBI-së, zotin Robert Mueller, në detyrën e prokurorit të posaçëm që do të drejtonte hetimet për Rusinë. Gjithashtu, komisione të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve po zhvillojnë hetimet e tyre.
Presidenti Trump ka këmbëngulur vazhdimisht se këto nuk janë të lidhura.
“Nuk kam bërë asgjë të gabuar. Nuk duhet të ishte caktuar fare një prokuror special për këtë çështje”, i tha ai gazetës “The New York Times”.
Donald Trump Jr., djali i madh i Presidentit, dhëndri i tij Jared Kushner, tashmë këshilltari i lartë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe ish-drejtori i fushatës elektorale Paul Manafort, u takuan vitin e kaluar me një juriste ruse që kishte thënë se dispononte material dëmtues për kundërshtaren demokrate të zotit Trump në garën presidenciale, zonjën Hillary Clinton.
Gjatë intervistës, Presidenti Trump nuk i dha rëndësi takimit, duke e emërtuar si “gjëra standarte politike”, si dhe përsëriti mendimin e tij se shumica e politikanëve do ta kishin pranuar një takim të tillë.
Donald Trump Jr. ka thënë se juristja ruse nuk pati ndonjë informacion me vlerë rreth zonjës Clinton dhe se takimi përfundoi shpejt.
Kur u pyet nga gazeta, Presidenti Trump tha se “duhet të ketë qenë ndonjë takim vërtet i parëndësishëm, pasi mua nuk ma përmendën fare”.
Vetëm pak orë pas këtij takimi të zhvilluar në muajin qershor 2016, zoti Trump pati deklaruar se do të mbante një fjalim të rëndësishëm të fokusuar tek zonja Clinton. Gjatë intervistës për gazetën “The New York Times”, ai e refuzoi idenë se këto dy ngjarje mund të jenë të ndërlidhura, duke thënë se ai “pati mbajtur disa fjalime të tilla”.
“Nuk kishte më tepër që mund të thosha për Hillary Clintonin, nga ç’pata thënë gjithnjë”, u shpreh Presidenti Trump.
Megjithëse intervista u përqëndrua më shumë tek çështja e Rusisë dhe fushata elektorale, Presidenti Trump foli edhe për çështje të tjera të presidencës së tij dhe tha se vendi “po ecën mirë”.
Ai pati premtuar gjatë fushatës se do të reformonte sistemin e kujdesit shëndetësor. Pasi Senati i udhëhequr nga republikanët pati disa dështime javët e fundit për të anulluar dhe zëvendësuar sistemin e kujdesit shëndetësor të Presidentit Barack Obama, Presidenti Trump organizoi të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë një takim me ligjvënësit.
“Nëse nuk e përfundojmë këtë punë, do të shohim se si do të rrënohet ‘Obamacare’ dhe pastaj do të fajësojmë demokratët. Pastaj, ata do të vijnë dhe do të thonë ‘na ndihmoni’,” u shpreh Presidenti Trump.
Ai shtoi se sipas planit republikan, amerikanët do të përjetojnë “shkurtime të mëdha të taksave dhe reforma”, të cilat ai tha se do të jenë si një “dhuratë për vendin”.
Zyra jopartiake për Buxhetin në Kongres, ka shqyrtuar disa versione të projektligjeve republikane për kujdesin shëndetësor me dallime të vogla ndërmjet tyre, për të cilat u konkludua se do t’i kursenin qeverisë miliarda dollarë për rreth një dekadë, por dhe do të linin miliona njerëz pa sigurim shëndetësor.
Për sa i përket çështjeve ndërkombëtare, Presidenti Trump kritikoi ish-Presidentin Obama për mosveprimin për Ukrainën, Korenë e Veriut dhe Sirinë.
Presidenti Trump tha se kur Rusia aneksoi Krimenë, ish-Presidenti Obama “e la t’ja hidhte paq”.
“Ai nuk përdori gjuhë të ashpër ndaj Koresë së Veriut. Dhe siç e dini, ne kemi një problem të madh me Korenë e Veriut. Shumë të madh”, tha Presidenti Trump.
Në vitin 2013, ish-Presidenti Obama kërcënoi se do të përdorte forcën ndaj qeverisë siriane, nëse ajo do të kryente sulme me armë kimike. Por ai nuk e vuri në jetë këtë kërcënim, ndërsa administrata e tij bashkëpunoi me Rusinë për të negociuar një marrëveshje sipas të cilës Siria do të largonte rezervat e armëve të saj kimike nga vendi. Pas një sulmi kimik në muajin prill, për të cilin u fajësuan forcat siriane, Presidenti Trump urdhëroi sulme ajrore ndaj një aerodromi sirian.
“Ai nuk sulmoi. Unë i sulmova”, tha Presidenti Trump.
Komentet