Presidenti Donald Trump vazhdoi të premten komentet në Twitter kundër hetimeve mbi lidhjet e mundshme midis ekipit të fushatës së tij zgjedhore dhe Rusisë.
Zoti Trump konfirmoi se ai është nën hetim. “Jam duke u hetuar për shkarkimin e Drejtorit të FBI-së nga njeriu që më tha të shkarkoja drejtorin e FBI-së! Gjueti shtrigash,” shkruante ai në Twitter.
Nuk është e qartë nëse presidenti po i referohej Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller apo Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein.
Komentet e tij në Twitter erdhën pas një njoftimi të gazetës “Washington Post” se prokurori Mueller po shqyrton transaksionet financiare të dhëndrit të zotit Trump, Jared Kushner, këshilltar i lartë i presidentit.
Hetimi nga ana e prokurorit Mueller përfshin gjithashtu çështjen nëse zoti Trump është përpjekur të pengojë drejtësinë.
Ekziston një konsensus i gjerë se zoti Trump nuk po i jep vetes asnjë avantazh juridik duke iu referuar në mënyrë të përsëritur kësaj çështjeje me anë të komenteve në Twitter.
REAGOJNË DEMOKRATËT
“Presidenti Trump po i dëmton shanset e tij çdo herë që komenton në Twitter”, tha në rrjetin MSNBC senatori Patrick Leahy, anëtar i Komisionit Juridik të Senatit.
Numri dy i këtij komisioni, senatorja demokrate Dianne Feinstein, tha: “Mesazhi që presidenti po dërgon përmes komenteve në Twitter është se ai beson që sundimi i ligjit nuk vlen për rastin e tij dhe se kushdo që mendon ndryshe shkarkohet”.
“Kjo është jodemokratike dhe një shkelje flagrante e betimit të presidentit,” shtoi zonja Feinstein.
Senatorja nga Kalifornia i bëri gjithashtu jehonë shqetësimit se presidenti mund të përpiqet të shkarkojë prokurorin e posaçëm Mueller dhe zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Rosenstein.
Komiteti Kombëtar Demokrat, në një deklaratë të premten, tha se zoti Rosenstein, i cili ka autoritet mbi zotin Mueller, duhet ta shkëpusë veten nga hetimi për Rusinë dhe se kontrolli i këtij hetimi nuk duhet t’i jepet një zyrtari tjetër të emëruar nga presidenti.
Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rosenstein bëri të enjten mbrëma një paralajmërim publik të pazakontë lidhur me njoftimet që u atribuohen burimeve anonime.
“Amerikanët duhet të tregojnë kujdes para se të pranojnë si të vërteta shkrimet që u atribuohen zyrtarëve anonimë, veçanërisht kur ata nuk identifikojnë vendin nga ka ardhur lajmi, pa folur pastaj për agjencinë qeveritare nga e kanë marrë,” tha Rosenstein në një deklaratë të shkurtër të publikuar nga Departamenti i Drejtësisë.
“Amerikanët duhet të jenë skeptikë në lidhje me akuzat nga burime anonime. Departamenti i Drejtësisë ka një politikë tradicionale që as i konfirmon dhe as i mohon akuza të tilla”, tha ai.
Është e paqartë se përse pse Rosenstein bëri një paralajmërim të tillë ose nëse dikush e nxiti ta bënte këtë.
ZGJEROHET HETIMI
Prokurori i Posaçëm Robert Mueller, që po heton çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar, e ka shtuar me 13 prokurorë të tjerë ekipin e tij dhe ka në plan të punësojë edhe disa të tjerë, njoftoi të premten zëdhënësi i tij Peter Carr.
Që nga emërimi i tij më 17 maj, zoti Mueller, një ish drejtor i FBI-së, ka rekrutuar një ekip dinamik avokatësh, hetuesish e prokurorësh me përvojë të madhe në fusha që variojnë nga mashtrimet financiare tek e drejta kushtetuese.
Një prej ekspertëve në ekipin e tij ka punuar edhe në çështjen e Watergate.
Zoti Mueller u emërua në detyrën e Prokurorit të Posaçëm nga Zv/ Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili për këtë çështje ka komptencat e Prokurorit të Përgjithshëm, pas tërheqjes nga hetimet për Rusinë të Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions.
Mandati i Prokurorit të Posaçëm Mueller është prë të hetuar “përpjekjet e qeverisë ruse për të ndikuar mbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 si dhe çështje të tjera të lidhura me to”.
Ndër çështje të tjera janë pretendimet nëse njerëz të fushatës së Presidentit Trump kanë bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë dhe nëse është kryer ndonjë krim.
Zoti Trump, i cili konfirmoi të premten se po hetohet nga prokurori i posaçëm, i ka cilësuar hetimet si një “gjueti shtrigash” pa asnjë bazë.
Zëdhënësi i zotit Mueller tha se ekipi, i cili ende nuk është kompletuar përfundimisht, ka nisur hetimet dhe intervistat.
“Ky është një hetim aktiv”, tha zëdhënësi Peter Carr. “Zyra e Prokurorit të Posaçëm do të jetë në gjendje të shkojë përpara në hapat e ndërmarra deri tani”, tha ai.
Zyra e Prokurorit të Posaçëm financohet nga një fond i posaçëm, pa afat mbarrimi dhe jo nga Departamenti i Drejtësisë.
Komentet