Ish drejtori i FBI-së James Comey, i cili u shkarkua gati një muaj më parë nga Presidenti Donald Trump, do të dëshmojë të enjten përpara Komisionit të Zbulimit të Senatit. Ky komision po heton mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit të kaluar si dhe çdo lidhje të dyshuar mes Moskës dhe rrethit të ngushtë të zotit Trump.
Kjo është dalja e parë publike për zotin Comey që kur presidenti Trump e shkarkoi pa pritur më 9 maj.
Në atë kohë zoti Comey po drejtonte hetimin e FBI-së mbi ndërhyrjen ruse në fushatën presidenciale të vitit të kaluar dhe bashkëpunimin e mundshëm mes ndihmësve të fushatës Trump dhe zyrtarëve rusë. Ndërhyrje që synonin të ndihmonin zotin Trump të fitonte ndaj sfidantes demokrate, ish Sekretares së Shtetit Hillary Clinton.
Pas shkarkimit presidenti e cilësoi zotin Comey “si njeri që kërkon të duket” dhe “pompoz”
Pak ditë nga shkarkimi, bashkëpunëtorët e zotit Comey thanë se ish shefi i FBI-së kishte mbajtur shënime të detajuara për takimet e tij me zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Seanca dëgjimore e zotit Comey përpara komisionit të Senatit për zbulimin, është caktuar për nesër në orën 10 me orën lokale të Uashingtonit.
I pyetur mbi dëshminë e pritshme të zotit Comey presidenti Trump tha: “I uroj fat.”
“Presidenti ka një axhendë të ngjeshur ditën e enjte”, njoftoi sekretari i shtypit në Shtëpinë e Bardhë Sean Spicer. Ai shtoi se zoti Trump ka takime dhe një fjalim gjatë kohës që zoti Comey do të dëshmojë përpara senatit.
Por cilat janë disa nga pyetjet që ka gjasë t’i bëhen ish kreut i FBI-së?
- A i ka kërkuar presidenti Trump zotit Comey të jetë besnik ndaj tij?
Sipas njoftimeve në shtyp, burimet pranë ish shefit të FBI-së thonë se gjatë një darke në Shtëpinë e Bardhë zoti Trump i kërkoi zotit Comey, të zotohet se do të jetë besnik ndaj tij.
Gjatë një intervistë për rrjetin NBC News, presidenti Trump e përshkroi ndryshe diskutimin gjatë darkës. Ai tha se ishte zoti Comey ai që i kërkoi të takohen, sepse siç tha, drejtori i FBI-së donte të mbante vendin e punës. Presidenti nuk përmendi ndonjë kërkesë për “zotim për besnikëri”.
- A i kërkoi zoti Trump zotit Comey të heqë dorë nga hetimet ndaj ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare Michael Flynn?
Sipas shtypit, zoti Comey kishte njoftuar anëtarët e rrethit të tij të ngushtë se presidenti Trump i kishte thënë se shpresonte që zoti Comey të hiqte dorë nga hetimi i zotit Flynn dhe kontakteve të tij me agjentët rusë.
“Shpresoj se mund të shihni qartë mundësitë për ta lënë këtë gjë dhe Flynnin” shkruante “Times” që citonte atë që zoti Trump i kishte thënë drejtorit të FBI-së, në takimin privat me të në Zyrën Ovale. “Ai është një njeri i mirë. Shpresoj të mos merreni më me të“.
- A mendon zoti Comey se veprimet e zotit Trump ishin një përpjekje për të penguar hetimet ndaj Rusisë?
Nuk ka gjasa që zoti Comey t’i japë një përgjigje përfundimtare kësaj pyetjeje. Ai pritet t’i përmbahet përshkrimit të ngjarjeve dhe të lerë të tjerët të analizojnë implikimet ligjore të tyre.
- A i ka thënë zoti Comey zotit Trump, disa here, se presidenti nuk ishte nën hetim?
Në një letër, ku informonte zotin Comey për arsyet e shkarkimit të tij nga FBI-ja, presidenti Trump shkruante: “E vlerësoj shumë që më keni informuar në tre raste të veçanta, se unë nuk jam nën hetim, lidhur me Rusinë.
- A mundet që zoti Comey të sjellë ndonjë provë të bashkëpunimit të fshehtë mes rrethit të ngushtë të zotit Trump dhe zyrtarëve rusë?
Nëse dikush nga rrethi i ngushtë i presidentit Trump ka bashkëpunuar apo jo në mënyrë të fshehtë me Rusinë në komplotin për të dëmtuar fushatën presidenciale të Hillary Clintonit kjo përbën fokusin e hetimit federal dhe të Kongresit. Zoti Comey nuk ka gjasa të japë ndonjë përgjigje përfundimtare.
Komentet