Zyrtarë të lartë francezë thonë se sulmi i së enjtes në Paris dhe një tjetër sulm që po planifikohej, por që u zbulua nga policia në Marsejë në fillim të javës, janë pjesë e një përpjekjeje të radikalëve islamikë për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve në Francë.
Autoritetet druhen se mund të jenë duke u planifikuar edhe sulme të tjera terroriste, përfshirë ndoshta edhe një sulm ditën e votimeve.
“Ata duan të ndikojnë tek jeta politike në Francë, përmes ndikimit të drejtpërdejrë tek ecuria e votimeve, madje edhe tek organizimi i tyre”, i tha gazetës “Le Figaro” Thibault de Montbrial, ish kryetar i Qendrës për Analiza dhe Parashikime në Ministrinë e Jashtme të Francës.
Autoritetet franceze thonë se personi i armatosur, u identifikua menjëherë pas sulmit nga grupi terrorist Shteti Islamik përmes agjencisë së lajmeve Amaq të vetë grupit terrorist, si Abu Yousif al-Bajiki shtetas belg. Ai hapi zjarr ndaj një makine të policisë të parkuar në bulevardin Champs-Élysées, duke goditur tre policë dhe një turist gjatë sulmit jashtë një dyqani veshjesh të firmës “Marks and Spencer”.
Ai ishte armatosur me një pushkë Kalashnikov dhe e vranë ndërsa përpiqej të largohej nga vendi i ngjarjes. Njëri prej policëve të qëlluar me armë vdiq në vendin e ngjarjes. Fillimisht dëshmitarët thanë se polici ishte vrarë kur ishte brenda në makinë, e cila ishte e parkuar tek semaforët. Dëshmitarët thanë se autori i sulmit doli nga një tjetër makinë dhe filloi të qëllonte me armë pa asnjë lloj hezitimi.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Francës tha se në këtë sulm mund të jenë përfshirë më tepër se sa një person dhe konfirmoi se në shënjestër “ishte vënë qëllimisht policia”. Një tjetër person i dyshuar iu dorëzua vetë policisë të premten në qytetin Antuerp të Belgjikës.
Presidenti francez François Hollande zhvilloi të premten një takim urgjent me këshilltarët e tij kryesorë dhe me shefat e sigurisë, për të diskutuar mbi masat e sigurisë që duhen marrë të dielën, ditën e zgjedhjeve.
“Policit që u vra në një mënyrë prej frikacakësh do t’i bëhen homazhe në nivel kombëtar”, – u tha gazetarëve udhëheqësi francez.
Eksperti britanik i anti-terrorizmit, Olivier Guitta, i tha Zërit të Amerikës se marrja e menjëhershme e përgjegjësisë nga ISIS, diçka e pazakontë, tregon se sulmi jo vetëm që ishte “frymëzuar” nga grupi terrorist, por gjithashtu ishte planifikuar prej tij.
“Është shumë e madhe mundësia që të ketë sulme terroiste në zgjedhjet presidenciale të Francës,”- tha ai. “Xhihadistët do të përpiqen të ndikojnë tek votimet”, shtoi Guitta, drejtues i firmës konsulente për sigurinë, GlobalStrat, me seli në Londër.
Sulmi me armë i së enjtes ndodhi ndërsa 11 kandidatë zyrtarë të votimeve ishin duke zhvilluar një debat që po transmetohej drejtpëdrejt në televizionin francez.
Disa komentatorë politikë thanë se sulmi mund të shtojë përkrahjen për Marine Le Pen, kandidaten populiste të së djathës ekstreme, e cila thotë se imigracioni përbën kërcënim për sigurinë dhe kulturën e Francës.
Kundërshtarët e zonjës Le Pen thonë se xhihadistët duan që ajo të fitojë, duke thënë se politikat e vijës së ashpër që propozon ajo kundër imigracionit, do të ndihmonin grupet militante si Shteti Islamik që të shtonin rekrutimet; por përkrahësit e zonjës Le Pen e kundërshtojnë këtë pretendim.
Gjatë debatit, Le Pen, e cila sipas anketave kryeson raundin e parë të zgjedhjeve të së dielës, por që ka humbur terren ditët e fundit, theksoi përsëri thirrjen e saj që Franca të largohet nga zona e lëvizjes së lirë, e Shengenit dhe të vendosë kontrolle më të mëdha në kufi.
“Përballë nesh ndodhet fluksi i imigrantëve. Duhet të kontrollojmë kufijtë, përndryshe ne nuk kemi për ta ndalur dot këtë valë!” – tha ajo.
Me të mësuar lajmin për sulmin në Paris, kandidatët i shtuan sipas mënyrës së vet propozimet për masa të forta për ta mbrojtur Francën nga terrorizmi.
“Mjaft më me butësinë dhe me naivitetin”, – deklaroi Le Pen. Kandidati konservator François Fillon propozoi arrestimin e qindra të dyshuarve si militantë, të përfshirë në listën e terroristëve, sikurse ishte edhe autori i sulmit të së enjtes.
Anketuesit thonë prej javësh se gara presidenciale po zhvillohet tepër e ngushtë mes të katër kandidatëve: Le Pen, Fillon, kandidatit të qendrës dhe pro-BE-së Emmanuel Macron dhe atij të majtë Jean-Luc Melenchon. Analistët kanë thënë se një ngjarje e minutës së fundit mund ta ndryshojë prirjen e deritanishme të fushatës zgjedhore.
Macron, i cili ka qenë ministër i ekonomisë dhe që ka pak eksperiencë për çështjet e sigurisë, pati një ton më të përmbajtur se sa Le Pen dhe Fillon në debatin e së enjtes, duke paralajmëruar se Francës do t’i duhet të jetojë me terrorizmin për shumë vite me radhë. Në një anketë në mes të javës, Macron doli se kishte më tepër mbështetje se sa zonja Le Pen.
Të martën, policia në Marsejë arrestoi dy të dyshuar për plane immediate për sulm terrorist në Francë.
Policia tha se kishte gjetur lëndë shpërthyese dhe armë në një apartament me lidhje me të dyshuarit. Kandidatët presidencialë u paralajmëruan nga shefat e sigurisë të rrisnin masat e veta të sigurisë.
Shefi i zbulimit i Francës, tha se dy personat e arrestuar, të dy rreth të njëzetave, të lindur në Francë, dyshohet se po planifikonin një sulm për ditën e zgjedhjeve.
Dy vjet më parë, Partia Fronti Kombëtar i Le Penit doli e para në raundin e parë të zgjedhjeve rajonale, disa javë pas sulmeve terroriste në Paris në vitin 2015, ku humbën jetën 130 persona. Por në raundin e dytë mbështetja për këtë parti ra dhe ajo nuk arriti të sigurojë kontroll politik në asnjërin prej rajoneve.
Komentet