Presidenti Barak Obama është në ditët e fundit në detyrë si presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara. Politikani 47 vjeçar, që erdhi në pushtet duke premtuar shpresë dhe ndryshim, largohet pas 8 vitesh me shkallën më të lartë të miratimit se sa çdo president tjetër i periudhës moderne, rreth 59 për qind. Zoti Obama largohet, ndërsa politikania që ai priste ta zëvendësonte, Hillary Clinton, pësoi humbje të thellë përballë republikanit Donald Trump. Zoti Trump ka premtuar se do të zhbëjë shumë prej politikave themelore të parardhësit të tij. Korrenspondentja e Zërit të Amerikës, në Shtëpinë e Bardhë, Cindy Saine, i hedh një vështrim disa prej momenteve kryesore që u bënë përcaktuese për Barak Obamën si udhëheqës, por dhe si njeri.
Imazhi i afro-amerikanit të parë të zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara, kapur për dore me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, mund të ketë ndryshuar përgjithmonë perceptimin e amerikanëve mbi atë se kush mund të fitojë Shtëpinë e Bardhë.
“Nëse ka ndonjë njeri që ende dyshon se Amerika eshtë vendi ku çdo gjë është e mundur, nëse ende pyet veten a është gjallë edhe sot ëndra e themeluesve tanë, që vë në pikëpyetje forcën e demokracisë sonë, sot ka marrë përgjigjen”, tha presidenti Obama.
Amerikanët e vlerësojnë shumë zotin Obama për rolin e tij si prind, edhe pse nuk bien dakort me disa prej politikave të tij.
“Ndoshta më shumë se çdo president tjetër, ai ka integruar jetën familiare me udhëheqjen e vendit dhe kjo nuk është një gjë e lehtë”, thotë Alan Lihtman, historian presidencial.
Në fillimet e presidencës së tij, zoti Obama u përqëndrua në kapjen e Osama Bin Laden-it, udhëheqësit të al-Kaidës, gjë që nuk e bëri dot ish presidenti George W. Bush. Në mbrëmje vonë, në 2 maj, të vitit 2011 presidenti Obama iu drejtua popullit amerikan.
“Sonte mund t’u them amerikanëve dhe botës se Shtetet e Bashkuara drejtuan një operacion ku u vra Osama Bin Laden, udhëheqësi i al-Kaedës dhe një terrorist që është përgjegjës për vrasjen e mijëra burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm.
Por kjo fitore e madhe u pasua me fillimin e luftës civile vdekjeprurëse në Siri. Në 21 gushtin e 2012 zoti Obama i bëri një paralajmërim presidentit sirian Bashar Al Assad, paralajmërim i cili nuk do t’i ndahej presidentit amerikan.
“Nuk mund të lejojmë që armët kimike dhe biologjike të bien në duart e njerëzve të gabuar. Kemi qenë shumë të qartë me regjimin e Assadit por dhe të aktorë tjerë në terren, vija e kuqe për ne është atje ku shohim të qarkullojnë apo përdoren armët kimike”.
Një vit më vonë, vëzhguesit thanë se ushtria e Assadit vrau më shumë se 1 mijë persona me gaz sarin. Ndryshe nga ç’pritej, Shtetet e Bashkuara nuk u përgjigjën me përdorim force. Një ekspert sirian thotë se ky ishte momenti kur u thyen shpresat e shumë sirianëve.
“Ç’ka po ndodh në Siri është vetëm një tjetër betejë, në luftën e madhe atje”,- thotë Haid Haid, i organizatës “Chatham House”
Brenda vendit, pas incidenteve me sfond racor, presidenti Obama foli mbi gjendjen e marrëdhënieve racore në Amerikë. Masakrimi i 9 afrikano-amerikanëve në një kishë në qershorin e viti 2015 e bëri presidentin të reflektojë për qëndrimin e mbajtur nga familjet e viktimave të cilat e falën personin e armatosur.
“Nëse e përqafojmë këtë gjest, gjithshka mund të ndryshojë”.
Në skenën botërore, zoti Obama u shkëput prej politikës së kaluar duke krijuar hapje historike me Birmaninë dhe Kubën. Në Havanë ai komunikoi direkt me popullin kuban.
“Në shumë mënyra Shtetet e Bashkuara dhe Kuba janë si dy vëllezër, të larguar prej shumë vitesh edhe pse kanë një gjak”.
Presidentit duket se i pëlqen ndërveprimi me të rinjtë, sikurse me këtë grup nga Vietnami.
“Përpara se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje pse nuk këndon pak, të shohim ç’di të bësh.
Megjithëse mandatit të tij si president po i vjen fundi, zoti Obama thotë se ky është vetëm fillimi i përpjekjes së tij globale për të nxitur të rinjtë të vihen në role udhëheqëse.
Komentet