Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ka mbështetur legjislacionin, me të cilin presidentit amerikan i jepet autoritet i ri, më i gjerë, për imponim të sanksioneve kundër shkelësve të të drejtave të njeriut në gjithë botën, duke e plotësuar një ligj të mëparshëm, që e kishte zemëruar pa masë presidencën e Rusisë.
Kjo masë, formalisht e njohur si Akti Global Magnitsky për Përgjegjësinë për të Drejtat e Njeriut, ka kaluar në Senat me 92 për dhe 7 vota kundër, në kuadër të legjislacionit më të gjerë, ku jepen udhëzimet për prioritetet e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara për vitin e ardhshëm.
Masa e re është modeluar pas Aktit Magnitsky, që ishte një legjislacion që ka kaluar në vitin 2012, me të cilin ndëshkohen shtetasit e Rusisë, për të cilët Uashingtoni konsideron se janë shkelës të të drejtave të njeriut, duke ua ndaluar atyre hyrjen në Shtetet e Bashkuara dhe duke i bllokuar pasuritë që ata mund t’i kenë në SHBA.
Magnitsky – avokati që i zbuloi mashtrimet tatimore ruse
Ky legjislacion e bart emrin e Sergei Magnitskyt, një avokat rus, që ka ndihmuar në zbulimin e dëshmive për vjedhje masive tatimore. Ai ishte burgosur nga autoritetet ruse dhe më vonë pati vdekur në një burg famëkeq në Moskë. Mbështetësit e tij, qeveritë perëndimore dhe grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, thonë se ai ishte torturuar dhe nuk i ishte dhënë trajtim mjekësor.
Shumica prej 39 shtetasve të Rusisë, që janë goditur nga kjo masë në vitin 2012, ishin akuzuar se ishin të ndërlidhur ose me vdekjen e Magnitskyt në vitin 2009, ose me vjedhjen e 230 milionë dollarëve tatime, që ai i kishte identifikuar, derisa punonte për firmën Harmitage Capital Management.
I zemëruar pa masë nga legjislacioni i Shteteve të Bashkuara, Kremlini u hakmor në vitin 2012, duke e ndaluar adoptimin e fëmijëve rusë nga shtetasit amerikanë dhe duke mos i lejuar disa amerikanë që të hyjnë në Rusi.
Legjislacioni i ri e autorizon presidentin e Shteteve të Bashkuara për të imponuar ndalesa të vizave, ngrirje të pasurive dhe masa të tjera ndëshkuese kundër çdokujt që merr në shënjestër personat që e zbulojnë korrupsionin ose ata që i shfrytëzojnë të drejtat themelore të njeriut, siç është liria e të shprehurit, liria e religjionit ose e drejta e tubimit.
Në shënjestër të kësaj mase amerikane, po ashtu, janë zyrtarët qeveritarë të angazhuar në “korrupsion të rëndësishëm”, siç është përvetësimi i pasurive shtetërore në mënyrë ilegale ose fshehja e përfitimeve të paligjshme jashtë shtetit.
Republikani Rohrabacher ishte kundër legjislacionit
Mbështetësi i këtij legjislacioni, senatori demokrat, Ben Cardin, tha se “shkelësit e mëdhenj të të drejtave të njeriut dhe ata që angazhohen në akte serioze të korrupsionit, nuk mund t’u ikin pasojave të aksioneve të tyre, edhe nëse vendi i tyre dështon të veprojë”.
Më tutje, ai theksoi se “vizitat në Shtetet e Bashkuara dhe përdorimi i institucioneve tona financiare, janë privilegje, që nuk duhet të zgjerohen te aktorët më të këqij në sistemin ndërkombëtar”.
Kjo pjesë e legjislacionit i ishte bashkuar ligjit më të gjerë të politikës së mbrojtjes, që formalisht njihet si Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili detyrimisht duhet të miratohet, pasi ka të bëjë me operacionet ushtarake amerikane në gjithë botën.
Dhoma Përfaqësuese e kaloi këtë legjislacion më herët këtë muaj dhe pritet që së shpejti presidenti në largim, Barack Obama, ta nënshkruajë dhe ta shndërrojë në ligj.
Ky ligj ka hasur në rezistencë të vogël. Megjithatë, kundërshtari më i ashpër ishte anëtari i Dhomës Përfaqësuese, Dana Rohrabacher, republikan nga Kalifornia, i cili kishte udhëtuar në Moskë dhe raportohet se ishte takuar me përfaqësuesit e Zyrës së prokurorit të përgjithshëm të Rusisë dhe me një aleat të afërt të presidentit Vladimir Putin.
Në dëgjimin në Nën-komitetin për punë të jashtme të Dhomës Përfaqësuese, mbajtur pak para votimit, Rohrabacher e ka përsëritur argumentin e tij se një legjislacion i tillë për të drejtat e njeriut nuk do të duhej ta kishte emrin e Magnitskyt, duke sugjeruar se ai ndoshta pa nevojë e ka ofenduar ose provokuar Rusinë.
“Mendoj se rusët janë keqtrajtuar në rastin Magnitsky, pasi ky titull ndoshta është sugjerues se diçka është bërë e që nuk është dëshmuar ende”, tha ai në dëgjim.
Nëse kjo masë shndërrohet në ligj, është e paqartë nëse Donald Trump, pasardhës i presidentit Obama, do ta shfrytëzoj këtë autoritet, kur ai e fillon presidencën më 20 janar të vitit 2017.
Trump ka sinjalizuar se dëshiron qasje më pajtuese ndaj Rusisë dhe publikisht ka treguar pak interesim për çështjet globale për të drejtat e njeriut.
Legjislacioni i mbrojtjes përmban edhe dispozita që me gjasë do ta irritojnë Rusinë. Aty përfshihet edhe ndalesa e fondeve për kontatket ushtarake ndërmjet Pentagonit dhe Ministrisë së mbrojtjes së Rusisë, që është përgjigje ndaj aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Moskës dhe për përfshirje të Rusisë në konfliktin në Ukrainë.
Përgatiti: Fatmir Bujupi
Komentet