Voal – Në përgjigje të një shkrimi të botuar për Rudolph Giulianin, ish-kryetarin e Bashkisë të New Yorkut, tani kandidat për Sekretar Shteti u botua një lajm kur flitet për lidhjet e tij me Serbinë. Voal.ch po i sjell lexuesit se gjatë vizitës të Giulianit katër vite më parë, ai nuk është mirëpritur në Beograd për shkak të mbështetjes së bombardimeve të NATO-s më 1999. Po e sjellim të plotë tekstin:
“Kryetari legjendar i New Yorkut, Rudolph Giuliani, ka arritur në Beograd për ta këshilluar Aleksandar Vucicin, kandidatin e Partisë Përparimtare të Serbisë për kryetar të Beogradit. Por, ai nuk është i dëshiruar në Serbi, për shkak të mbështetjes së bombardimeve të NATO-s më 1999 e madje edhe invadimin tokësor për ta realizuar çlirimin e Kosovës.
Pas arritjes së tij në Beograd, Giuliani ka thënë se ndjehet mirë, edhe pse qyteti i duket në gjendje të keqe.
“Ndjehem i mirëseardhur nga ana e njerëzve. Disa më njohin, duan të flasin me mua, të fotografohem me mua”, ka thënë ai për Alo.
Por, njëjtë nuk mendojnë politikanët serbë. Ministri i Brendshëm serb, Ivicia Dacic, ka thënë për Blic se “nuk na duhen të huajt për të na treguar se çka i duhet Serbisë”. Ndërsa, kryetari i tashëm i Begradit, Dragan Dilas, dje ka thënë se Giuliani nuk duhet të flas fare për të ardhmen e Beogradit.
“Për shkak të qëndrimeve të tij, njerëzit kanë jetuar 13 vite në qendra kolektive”, ka thënë ai për Tanjug, pasi ka inauguruar banesat për “refugjatët serbë nga Kosova”.
I pyetur nga gazetari i ditores Kurir se cilat janë qëndrimet e tashme të tij politike për Serbinë, Giuliani thotë se ju po flisni për kohë të kaluara.
“Do t’ua jap një perspektivë për Amerikën. Muajin e kaluar kam humbur një kushëri. Ishte polic në New York dhe në marinën amerikane, hero i madh i Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë edhe si polic. Ai luftoi kundër japonezëve si shumë të tjerë që janë të gjeneratës së prindërve të mi dhe për pak sa nuk e ka pësuar. Ka jetuar 86 vjet, ishte një hero i madh, heroi im. Ka shpëtuar tre persona në Urën e Brooklynit”, ka thënë ai.
“Pse po e them këtë? Për shkak se ai një nga miqtë e tij më të mirë ishte një japonez. Edhe unë kisha miq japonezë. Dua të them se kushëriri im vazhdoi tutje. Edhe unë, sikur gjenerata e prindërve të mi. Personalisht, kam më së shumti punë në Japoni. Çfarë ndodhi, ndodhi, dhe ne të gjithë ecëm tutje. Krejt kjo është pas nesh. Kjo vlen edhe për Gjermanin dhe Amerikën. Gjermanët kanë shkaktuar një luftë të tmerrshme në shekullin e njëzetë. Sot unë kam shumë miq gjermanë. Ne jemi përballur me problemet tona dhe i kemi zgjidhur. Ne kemi nevojë për të ecur përpara dhe t’i zgjidhim problemet që janë para nesh. Edhe Serbia e edhe Amerikan duhet të zhvillojnë marrëdhënie miqësore. Unë kam ardhur këtu për të dhënë këshilla se si ta përmirësonië zhvillimin ekonomik të vendit”.
Në pyetjen e ditores serbe Telegraf se si i komenton deklaratat e kryetarit të Beogradit, i cili ka kërkuar që ai të kthehet në shtëpi, Giuliani thotë se nuk e di çfarë ka ndodhur me të.
“Sidomos kur para dy ditësh më kanë thirre nga zyra e tij, më kanë thënë se ai më çmon dhe se do të takohet me mua… Jam i befasuar me reagimin e tij. Më vjen keq pse ai mendon ashtu”.
Gjatë bombardimeve të NATO-s kundër forcave ushtarake dhe serbe në Kosovë, më 1999, Giuliani i ka propozuar presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton, që për parandalimin e gjenocidit në Kosovë duhet të dërgojë edhe trupat tokësore. Ai edhe në të ardhmen ka thënë se serbët në Kosovë kanë kryer gjenocid.
“Holokausti nuk është një incident i izoluar. Paragjykimet, urrejtja dhe emocionet e çoroditura që shkojnë përtej njerëzisë dhe ligjit, janë duke ndodhur tash në Evropa. Mu për këtë Amerika duhet ta luaj rolin e vet për ta ndalë gjenocidin në Kosovë. Presidenti Clinton duhet ta ketë një plan rezervë dhe në Kosovë të dërgojë trupat tokësore nëse kjo është e nevojshme”, ka thënë ai më 12 prill 1999, për New York Post.
Në një Seminar të NATO-s në Virginia më 11 tetor 2007, ai ka thënë se mbështet ndërhyrjen e NATO-s jashtë kufijve të saj. “Kjo së pari ka ndodhur në Bosnje më 1995, e pastaj katër vite më vonë me bombardimin e Serbisë dhe të Malit të Zi”.
“Për shkak të paaftësisë së OKB-së që vërtetë të reagojë, NATO e ka ndalur gjenocidin në Kosovë. Prandaj angazhohem për veprim më të madh të SHBA-ve, sidomos të NATO-s, në mbrojtjen dhe zgjerimin e rendit ndërkombëtar, si rend i paqes dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, ka thënë tutje ai.
Ardhja e Giulianit në Beograd nuk paraqet mbështetje amerikane për ndonjë parti politike apo kandidat në Serbi, thuhet në një deklaratë të Ambasadës amerikane në Beograd, të cilën e transmeton Beta.
“Giuliani erdhi në Beograd me ftesë të Partisë Përparimtare të Serbisë, me të cilit kandidat për kryetar, Aleksandër Vucic, sot ka dalë për ta shikuar terrenin. Ai viziton Beogradin në cilësin e një figure private. Vizita e tij në asnjë rast nuk paraqet mbështetjen të SHBA-ve”, thuhet në deklaratë.
Në pyetjen e një gazetari serb se “për shkak të bombardimeve të NATO-s ka vuajtur Beogradi”, dhe se a ka mundur “t’i shoh dëmet e shkaktuara nga ajo periudhë”, Giuliani përgjigjet: “Po, por kjo nuk ka arsye që të tërheq vëmendjen e mediave”.
“Ju dhe kryetari i juaj duhet ta harroni dhe të ecni në të ardhmen, sepse nga e kaluara nuk jetohet”, ka thënë ai, transmeton B92. “Të gjitha luftërat janë pas nesh… Nëse doni bashkëpunim me Amerikën, harroni çka ka mbetur pas. Mendoni çka dhe si tutje”. /Telegrafi/
Komentet