VOA
Të dhënat paraprake lidhur me sulmin terrorist që shkaktoi vdekjen e 15 personave ditën e Vitit të Ri në Nju Orlins, flasin për një skenar të cilit forcat e rendit dhe zyrtarët e sigurisë i druheshin prej kohësh: Një komplot të paktën i frymëzuar nga grupi terrorist Shteti Islamik.
I dyshuari është një veteran i ushtrisë amerikane dhe FBI-ja konfirmoi se ai kishte një flamur të ISIS-it në kamionin që përdori për të goditur turmën në Rrugën Bourbon në orët e para të mëngjesit të së mërkurës para se të vritej gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë.
42 vjeçari Shamsud-Din Jabbar ishte shtetas amerikan nga Teksasi dhe ish-rezervist i ushtrisë, i cili kishte shërbyer në Afganistan.
Të mërkurën në mbrëmje Presidenti Joe Biden shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe tha se i dyshuari kishte bërë disa veprime vetëm disa orë para sulmit që linin të kuptonin ideologjinë e tij. Presidenti Biden tha se organet e zbatimit të ligjit dhe komuniteti i zbulimit po vazhdojnë të kërkojnë për ndonjë lidhje apo bashkëpunëtor tjetër dhe se hetimi vazhdon të jetë aktiv.
“Ai postoi video në mediat sociale duke treguar se ishte frymëzuar nga ISIS-i, duke shprehur dëshirën për të vrarë. Flamuri i ISIS-it u gjet në automjetin e tij, të cilin e kishte marrë me qira për të kryer këtë sulm. Në automjet janë gjetur edhe eksplozivë të mundshëm dhe aty pranë janë gjetur eksplozivë të tjerë”, tha ai.
Hetuesit kanë gjetur armë dhe një mjet shpërthyes të improvizuar brenda automjetit. Po ashtu, në lagjen e njohur ku ndodhi shpërthimi, autoritetet kanë gjetur pajisje të tjera shpërthyese në një shtëpi në të cilën kishte rënë zjarr.
“Ne besojmë se (me zjarrin) ata po përpiqeshin të zhduknin gjurmët. Ne besojmë se ka disa njerëz që janë të përfshirë. Një prej tyre ka vdekur në vendngjarje, por individë të tjerë janë ende të lirë”, tha ajo.
Për 18 vjeçarin Zion Parsons, ishte hera e parë në Nju Orlins. Ai tha se skena dukej si zonë lufte.
“Kishte trupa në gjithë rrugën. Të gjithë bërtisnin. Shihje dikë që po përpiqej të shpëtonte dikë tjetër, shikoje njerëz që qanin, pjesë trupash gjithandej. Ishte e dhimbshme të shihja një nga shoqet e mia të ngushta që u godit”, tha ai.
Zona turistike e Nju Orlinsit vazhdon të jetë nën masa të rrepta sigurie.
Sulmi në Nju Orlins është shembulli i fundit kur një automjet përdoret si armë për të kryer vrasje masive dhe sulmi më vdekjeprurës i frymëzuar nga ISIS në territorin e Shteteve të Bashkuara prej vitesh.
Clara Broekart, një eksperte për grupet terroriste i tha Zërit të Amerikës se në vitin 2024 kishte pasur një rritje të ndjeshme në përpjekjet e frymëzuara nga ISIS globalisht, përfshirë në Shtetet e Bashkuara.
“Ndonjëherë autori i mundshëm thjesht ishte frymëzuar nga ISIS-i, konsumonte propagandë nga Shteti Islamik dhe synonte të kryente një sulm në mbështetje të Shtetit Islamik. Por kemi parë edhe përpjekje kur persona me bazë në SHBA ishin në kontakt me rekrutuesit e ISIS-it në internet”, thotë ajo.
Ndërkohë autoritetet po hetojnë një shpërthim tjetër në një makinë Tesla ‘Cybertruck’, në Las Vegas para hotelit Trump, nga i cili gjeti vdekjen personi brenda tij.
“Organet e zbatimit të ligjit dhe komuniteti i hetimit po e hetojnë ngjarjen, përfshirë për të përcaktuar nëse ka ndonjë lidhje të mundshme me sulmin në Nju Orlins”, tha Presidenti Biden.
Personi brenda makinës e kishte marrë me qera automjetin nga i njëjti aplikacion që kishte përdorur edhe autori i sulmit në Nju Orlins.
Komentet