Policia në qytetin juglindor të Orlandos në Florida thotë se të paktën 50 vetë kanë humbur jetën dhe 53 janë plagosur kur u hap zjarr në një klub nate gay në orët e para të mëngjesit të dielën, një incident që autoritetet thonë se po hetohet si një akt terrorizmi.
Një njoftim në faqen e Facebook-ut të klubit thuhej “Dilni të gjithë përjashta dhe vraponi”. Ishte një sinjal fillestar se po ndodhte një tragjedi. FBI-ja po heton ngjarjen. I pyetur nëse incidenti kishte lidhje me terrorizmin islamik, një agjent i posaçëm i FBI-së tha se agjencia kishte “të dhëna se individi mund të ketë qenë i prirur ndaj një ideologjie të tillë”.
Nuk është e qartë ende se pse u vu në shënjestër pikërisht ai klub. Sipas faqes Twitter të departamentit të policisë në klubin a natës “Pulse” kishte “një situatë viktimash në masë” dhe “personi që hapi zjarr ka vdekur”.
Një person që ishte brenda klubit kur ndodhi ngjarja tha se kishte dëgjuar deri në 40 të shtëna. Video e marrë me celularë, transmetuar në CNN tregonte oficerë policie që po godisnin me armë zjarri.
Policia kishte njoftuar në Twitter se një zhurme e madhe “ishte për shkak të një shpërthimi të kontrolluar nga forcat e rendit”.
Shtëpia e Bardhë njofton se Presidenti Barack Obama, mori një raportim për ngjarjen nga Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare dhe anti-terrorizmin Lisa Monaco.
Ai ka urdhëruar qeverinë federale që të japë çdo ndihmë të nevojshme për zyrtarët lokale që po merren me hetimin e ngjarjes.
Komentet