Muaji gusht i këtij viti shënon 400 vjetorin e mbërritjes së skllevërve të parë afrikanë në Virxhinia. Zbarkimi i tyre në Virxhinia shënoi fillimin e një prej kapitujve më të errët të historisë amerikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Chris Simkins ka vizituar vendin ku dikur lulëzonte kolonia e parë britanike në Amerikë dhe ku filloi historia 224 vjeçare e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.
Katër shekuj më parë një anije angleze me emrin Luani i Bardhë mbërriti në këto brigje duke sjellë njerëz për t’i shkëmbyer me mall e artikuj bujqësorë:
“Anija u fut në Gjirin e Çesapikut dhe mbërriti këtu nga fundi i gushtit 1619. Në anije kishte rreth 20 afrikanë të skllavëruar,” shpjegon presidenti i Shoqatës “1619”, Calvin Pearson.
Calvin Pearson është themelues i Projektit 1619. Ai tregon një rrip toke pranë ujit në Hampton të Virxhinias, që në atë kohë njihej si Point Komfort i kolonisë britanike, ku zbritën afrikanët e parë të skllavëruar.
Ky moment shënoi fillimin e odisesë së qindra mijëra afrikanëve të sjellë në Amerikë si skllevër mbi 200 vjet më parë.
“Këta afrikanë që ishin sjellë këtu kishin përpara një jetë në shërbim të pronarit: punonin në plantacionet me misër, me duhan. E dinin se ndoshta kurrë nuk do të rifitonin lirinë,” thotë zoti Pearson.
“Më rrënqethet mishi kur mendoj diçka kaq të trishtueshme,” thotë historian Bill Wiggins.
Historiani Bill Wiggins thotë se afrikanët e parë të sjellë në Virxhinia nuk kishin status deri kur autoritetet e Kolonisë së Virxhinias ligjëruan statusin e skllavërisë së përjetshme në 1661.
“Nuk mund ta imagjinoj se si ndiheshin këta individë të lidhur me zinxhirë kur anija po i afrohej portit në një tokë të panjohur. Kur u zbritën nga anija dhe u thanë se do të punonin e jetonin këtu,” thotë historian Wiggins.
Ato pak dokumente që kanë mbijetuar lënë të kuptosh se në anijen Luani i Bardhë mund të kishte rreth 24 afrikanë. Ata ishin marrë me forcë disa javë më parë nga një anije portugeze skllevërish që po shkonte në territorin e Meksikës:
“Këta kishin qenë individë të lirë, të cilët u rrëmbyen me forcë dhe u shitën si skllevër,” thotë Cassandra Newby Alexander, profesore e historisë në Universitetin Shtetëror në Norfolk.
Antoni dhe Isabela, dy skllevër katolikë afrikanë, të cilët ka të ngjarë të ishin nga Angola, u zbritën nga anija Luani i Bardhë kur ajo mbërriti në Point Komfort.
“Kjo është tokë e shenjtë e paraardhësve tanë. Kur shkel në këtë tokë kujtoj Antonin dhe Isabelën. Çfarë po mendonin kur zbritën nga anija në këtë tokë të panjohur? Këtu është kuota zero. Këtu e ka zanafillën gjurma afrikane në Amerikë,” thotë zoti Pearson.
Afrikanët e parë u shkëmbyen për mall ose iu shitën për para pronarëve të bardhë të plantacioneve në vendbanimet Hampton dhe Xhejmstaun, të cilat formuan koloninë e Virxhinias. Pak ditë pasi Luani i Bardhë mbërriti në Virxhinia, një tjetër anije mbërriti me një grup skllevërish, ndër to një vajzë e quajtur Angela:
“Angela është e vetmja afrikane, së cilës i është regjistruar emri në dokumentacionin e 1620-s që ekziston edhe kësaj dite. Mund të jenë regjistruar edhe emra të tjerë, por këto dokumente nuk ekzistojnë më,” thotë profesore Cassandra Newby Alexander.
Arkeologët thonë se Angela kaloi një pjesë të jetës në Xhejmstaun ku tani ndodhet një monument historik kombëtar dhe ku arkeologët po përpiqen të zbulojnë elementë të tjerë të jetës së saj:
“Përmes Angelas mund të tregojmë historinë më të përgjithshme të skllavërisë dhe të fillimeve të skllavërisë në këtë vend; po ashtu të fillimeve të racizmit që ishte i pandarë nga skllavëria. Në këtë mënyrë do t’i japim Angelas një farë dinjiteti njerëzor, së paku në imagjinatën tonë,” thotë James Horn, i cili punon për projektin arkeologjik në Xhejmstaun.
Angela dhe shumë të tjerë si ajo ishin ata që u mundësuan pasurimin kolonëve anglezë:
“Ata bënin pjesën më të madhe të punës. Shumë prej tyre vdiqën nga puna e rëndë. Ua kemi borxh këtyre afrikanëve sepse ata ishin themeli i zhvillimit ekonomik të kësaj kolonie nga ku filloi zgjerimi që solli Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” thotë historiani Wiggins.
Skllavëria i ka fillimet në Virxhinia dhe po këtu u ndërmorën tentativat e para për t’i dhënë fund këtij fenomeni. Gjatë Luftës Civile, tre skllevër u arratisën nga Ushtria e Konfederatës dhe shkuan në Fortesën Monroe ku kërkuan mbrojtje nga trupat e Unionit. Gjeneral Majori Benjamin Butler i ushtrisë së Unionit deklaroi se skllevërit do të trajtoheshin si kontrabandë e kapur nga forcat armike. Ky vendim frymëzoi mijëra skllevër të tjerë të arratiseshin dhe të kërkonin strehim pranë trupave veriore, duke nxitur një lëvizje më të gjerë.
“Ata e detyruan qeverinë federale dhe Presidentin Linkoln të nxirrte Proklamatën e Emancipimit, e cila çoi në Amendamentin e 13-të që i dha fund skllavërisë dhe hapi rrugën për Amendamentin e 14-të, i cili në 1868 u ofroi afrikano-amerikanëve shtetësinë amerikane,” thotë historiani Wiggins.
Fortesa Monroe është tani monument historik, një objekt madhështor ku brezat e ardhshëm të amerikanëve mund të mësojnë për historinë e hershme të kombit të tyre.
Komentet