Një ton kanabis, raportohet të jetë sekuestruar nga policia në ishullin Skopelou në Greqi, ndërsa trafikuesit e sasisë së madhe të drogës dyshohet se janë shtetas shqiptarë.
Bëhet me dije se lënda narkotike ka qenë e fshehur në një shpellë në ishullin e vogël Piperi, ndërsa policia greke është angazhuar me mjaft forca në zbulimin e trafikantëve të saj.
Për këtë operacion policar mësohet se janë angazhuar forca nga deti dhe nga ajri, ndërsa nuk dihet ende nëse trafikantët kanë lidhje me kapjen e dy gomoneve me lëndë narkotike ditët e fundit në Greqi.
Dyshimet janë se në ishull janë fshehur dhe trafikantët e drogës, megjithëse deri tani kapja e asnjërit prej tyre nuk ka qenë e mundur.
Ishulli në fjalë ndodhet në Detin Egje përballë Turqisë, ku mendohet të ketë qenë dhe destinacioni final i lëndës narkotike.
Është diskutuar shpesh ekzistenca e një linje të trafikut të narkotikëve nga Shqipëria drejt Turqisë, ku bëhet shkëmbimi i kanabisit që prodhohet në vendin tonë me lloje më të forta droge, që vijnë nga vendet e Lindjes dhe Amerikës Latine.
Komentet