Një grua dhe dy fëmijë mbetën të vrarë në shtëpinë e tyre nga një predhë mortaje ruse në rajonin e Khersonit, në Ukrainë.
“Terroristët rusë vijojnë të vrasin civilë”, tha shefi i kabinetit të Presidencës ukrainase, pa dhënë më shumë detaje të tjera për sulmin.
Rajoni i Khersonit ishte vënë nën kontrollin e forcave ruse në fillimet e sulmit, por u lirua nga forcat e Kievit, nëntorin e shkuar. Që atëherë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, qyteti është goditur vazhdimisht nga pozicionet ruse nga bregu përballë i lumit Dnipro.
Instituti për Studimin e Luftës, në Shtetet e Bashkuara, tha së fundmi se forcat ruse vijojnë sulmet në qytetin e Bahkmutit dhe bënë sulme tokësore edhe në Donetsk.
Burimet ukrainase raportojnë se forcat ruse po synojnë të krijojnë kushtet për një valë sulmesh në jug të Ukrainës.
Ndërkohë, sipas të dhënave të përditësuara të Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, disa rezervistë rusë janë shprehur se armët e zjarrit dhe lopatat ishin mjetet e vetme me të cilat ishin dërguar në luftime.
Sipas ministrisë britanike, Rusisë po i mbarojnë municionet dhe trupave po u jepet më pak mbështetje nga artileria gjatë luftimeve.