Koha duket se është në anën e nënpresidentes amerikane Kamala Harris të hënën, pasi një numër i madh ligjvënësish demokratë, guvernatorësh dhe dhuruesish financiarë shprehën mbështetjen e tyre që ajo të jetë kandidatja presidenciale e partisë në zgjedhjet e nëntorit, pasi presidenti Joe Biden shpalli të dielën vendimin për t’u tërhequr nga gara.
Presidenti Biden pak pas njoftimit të befasishëm të dielën, i shprehu mbështetjen zonjës Harris si kandidate të partisë për t’u përballur me ish presidentin Donald Trump, kandidatin e Partisë Republikane.
Zonja Harris, e cila është 59 vjeçe, njoftoi shpejt se do të kërkonte emërimin. Ajo ishte senatore nga shteti më i populluar i vendit, Kalifornia, kur zoti Biden e zgjodhi në 2020 si kandidate për postin e nënpresidentes.
Vlerësimet rreth saj në anketat kombëtare kanë pasqyruar në masë të madhe ato për presidentin, por disa anketa të votuesve të mundshëm tregojnë se zonja Harris qëndron pak më mirë se zoti Biden përballë zotit Trump dhe në disa, ajo ka dalë përpara ish presidentit Trump.
Zonja Harris tha në një deklaratë se presidenti Biden, duke u tërhequr nga gara kundër zotit Trump, “po bën atë që ka bërë gjatë gjithë jetës së tij, duke vënë popullin amerikan dhe vendin tonë mbi çdo gjë tjetër”.
“Unë do të bëj gjithçka që është në dorën time për të bashkuar Partinë Demokratike dhe për të bashkuar kombin tonë, për të mposhtur Donald Trumpin”, tha ajo. “Kemi 107 ditë deri në ditën e zgjedhjeve. Së bashku, ne do të luftojmë. Dhe së bashku do të fitojmë”.
ActBlue, platforma kryesore e demokratëve për mbledhjen e fondeve, tha të dielën vonë se kishte mbledhur 46.7 milionë dollarë në donacione të vogla për fushatën e zonjës Harris vetëm gjatë ditës së djeshme. Kjo e dhënë paraqet një ndryshim të madh krahasuar me javët e zbehjes së mbështetjes për zotin Biden, veçanërisht midis dhuruesve kryesorë, pas paraqitjes së tij në një debat në fund të qershorit përballë zotit Trump.
Shumë zyrtarë ta lartë demokrat mbështetën zonjën Harris, përfshirë të paktën një anëtar të kabinetit të zotit Biden, Sekretarin e Transportit Pete Buttigieg, i cili tha se do të bënte “gjithçka që mundem” për të ndihmuar zgjedhjen e saj.
Nëse zonja Harris zgjidhet nga partia për të zëvendësuar zotin Biden, ajo do të ishte gruaja e parë i dhe gruaja e parë afrikano-amerikane dhe me origjinë nga Azia Jugore si kandidate presidenciale në historinë 248-vjeçare të Shteteve të Bashkuara.
Njoftimi i zotit Biden të dielën pasoi shtimin e thirrje brenda Partisë Demokratike që i kërkonin atij të “kalojë pishtarin” tek dikush tjetër, mes rënies së numrave në anketat kombëtare dhe shqetësimeve të ngritura pas paraqitjes së tij në debat me zotin Trump. Gjatë atij debati, presidenti 81-vjeçar shpesh dukej se humbiste fillin e mendimit, nuk arriti t’i kundërvihej me forcë 78 vjeçarit Donald Trump ose të mbronte mandatin e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Biden ngulmoi, duke theksuar se nuk do të hiqte dorë nga gara përveç nëse “Zoti i Plotfuqishëm” nuk e kërkonte një gjë të tillë, ose nëse do t’i tregoheshin numrat e anketave që tregojnë se nuk mund ta mposhtë Trumpin për herë të dytë ose nëse do të këshillohej nga mjekët e tij se nuk ishte fizikisht në gjendje të vazhdojë garën.
“Besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që unë të tërhiqem dhe të përqendrohem vetëm në përmbushjen e detyrave të mia si president për pjesën e mbetur të mandatit tim”, tha ai në një deklaratë të dielën. Mandati i tij përfundon në muajin janar.
Presidenti Biden tha se planifikon t’i drejtohet kombit lidhur me vendimin e tij, më vonë gjatë javës.
Ish presidenti Trump reagoi ndaj njoftimit duke sulmuar zotin Biden dhe zonjën Harris. Në një postim në median e tij Truth Social, ai tha se presidenti Biden “nuk është i përshtatshëm për të kandiduar për president dhe sigurisht që nuk është i përshtatshëm për të shërbyer (në këtë detyrë)”. Ai tha se zonja Harris është edhe më keq se zoti Biden.
“Harris do të jetë më e lehtë për t’u mposhtur sesa do të kishte qenë Joe Biden”, tha ish presidenti Trump për rrjetin CNN.
Shumë republikanë reaguan duke kërkuar që zoti Biden të jap dorëheqjen si president.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili është i dyti në linjën e pasuesve presidenciale pas zonjës Harris, i bëri thirrje presidentit Biden të japë dorëheqjen, duke pretenduar që nëse ai nuk është i përshtatshëm për të mbajtur gjallë kandidaturën e tij për një mandat tjetër katërvjeçar, nuk është gjithashtu i përshtatshëm për të qëndruar si president deri më 20 janar.
Nëse zoti Biden do të jepte dorëheqjen, zonja Harris do të betohej menjëherë si presidente, të paktën deri në inaugurimin e fituesit të zgjedhjeve të nëntorit.
Emra të demokratëve të tjerë të shquar janë përmendur si kandidatë të mundshëm përveç zonjës Harris, duke përfshirë disa guvernatorë shtetesh si Gretchen Whitmer nga Miçigani, Josh Shapiro nga Pensilvania, J.B. Pritzker nga Illinoisi dhe Gavin Newsom nga Kalifornia. Josh Shapiro dhe Gavin Newsom mbështetën zonjën Harris të dielën.
Ish presidenti Bill Clinton dhe zonja Hillary Clinton, e cila shërbeu si Sekretare e Shtetit në administratën e presidentit Barack Obama, mbështetën zonjën Harris në një deklaratë. Ish presidenti Obama, me të cilin zotin Biden shërbeu si nënpresident për tetë vjet, falënderoi zotin Biden për patriotizmin e tij, por nuk tregoi nëse ai do mbështeste zonjën Harris ose ndonjë pretendent tjetër të mundshëm.
Raportet e mediave në orët e para pas tërheqjes së zotit Biden, cituan burime të afërta me senatorin Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore, tani një i pavarur, duke thënë se ai po shqyrtonte ribashkimin me Partinë Demokratike në përpjekje për të zëvendësuar presidentin si kandidat i partisë.
Ka dy mënyra se si demokratët mund ta zëvendësojnë zotin Biden.
Njëra do të ishte një votim virtual i delegatëve të Kuvendit Kombëtar Demokratike, që do të përcaktonte një kandidat të ri në fillim të gushtit. Shanset janë që ky proces do të favorizonte zonjën Harris, për të shmangur konfliktin në Kuvendin që mbahet në Çikago nga 19 deri më 22 gusht.
Mënyra tjetër se si demokratët mund të zgjidhnin një kandidat të ri do të ishte një kuvend “i hapur” në të cilën disa kandidatë, përfshirë zonjën Harris, do të kërkonin emërimin presidencial, një skenar që partia nuk e ka përjetuar që nga viti 1968, kur presidenti Lyndon Johnson hoqi dorë nga planet e tij për të kandiduar përballë kundërshtimit të gjerë ndaj trajtimit të tij të luftës së Amerikës kundër Vietnamit të Veriut.
Disa demokratë po propozojnë që partia të mbajë shpejt një palë “mini zgjedhje paraprake” për të mundësuar që zonja Harris dhe kushdo tjetër, të konkurrojnë hapur.
*Disa pjesë të këtij artikulli u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters.