Kompania kineze “China Everbright Limited” (CEL) ka njoftuar zyrtarisht blerjen e Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza. Sipas njoftimit zyrtar, janë dy kompani pjesë të “China Everbright”, “Keen Dynamics Limited” (KDL) së bashku me “Friedmann Pacific Assets Management Limited”, që fokusohet në investimet globale në aeroporte, ka nënshkruar marrëveshjen me koncesionarin dhe operatorin e Aeroportit të Rinasit.
KDL pritet që ta marrë koncesionin e TIA deri në vitin 2025, me dy vite zgjatje të afatit, në varësi të aprovimit të qeverisë shqiptare.
Kompania kineze, me bazë në Hong Kong, vlerëson se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është një ndër aeroportet në rritje në Europë.

Sipas saj, numri i pasagjerëve është rritur nga 600 mijë që ishte në 2005 – ën, në 2 milionë në 2015 – ën. Kjo për drejtuesit e “China Everbright Limited” është një tregues i rritjes së shpejtë ekonomike të Shqipërisë.
Chen Shuang, drejtuesi ekzekutiv i kompanisë kineze tha: “CEL është në proces investimi në infrastrukturës jashtë vendit dhe blerja e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës është hapi i parë. Me përmbylljen e marrëveshjes, KDL do të marrë totalisht në dorë TIA – an”. /tvklan.al
Komentet