ZYRIH – Dy vëllezërit kanë mbajtur të mërkurën në muzeun e FIFA-s në Zyrih një konferencë për media me ç`rast kanë folur për ballafaqimin që i pret më 11 qershor në ndeshjen në mes të Shqipërisë dhe Zvicrës.
Gjatë konferencës Taulant Xhaka ka thënë se kanë vënë bast kundër njëri-tjetrit, por ende nuk e kanë vendosur se cili do të jetë shpërblimi.
“Kemi vënë bast por ende nuk kemi vendosur se për çfarë”, ka thënë Taulanti, derisa Granit Xhaka ka mbajtur qëndrimin e tij se do të ndëshkohet me të kuq që në minutën e dytë të takimit.
Prejse është kuptuar se në ndeshjen e parë të Evropianit 2016 do të luajë Shqipëria kundër Zvicrës, dy vëllezërit Xhaka, Graniti dhe Taulanti, janë në fokus të mediave, jo vetëm zvicerane. Dhe, me shumë të drejtë, pasi që nuk dihet të ketë ndodhur ndonjëherë që dy vëllezër të luajnë në një kampionat evropian për dy ekipe kundërshtare, siç do të ndodhë me Taulantin dhe Granitin, transmeton albinfo.
Dy vëllezërit, yje të njohur të futbollit, kanë mbajtur të mërkurën në muzeun e FIFA-s në Zyrih një konferencë për media. Ata me këtë rast kanë folur për ballafaqimin që i pret më 11 qershor në ndeshjen në mes të Shqipërisë dhe Zvicrës, për emocionet me të cilat lidhet kjo përballje etj, përcjell blick.ch në një videoxhirim.
Taulanti thotë se edhe më parë, në një periudhë kur ai ka luajtur për GC të Zyrihut e Graniti për Bazelin, kanë qenë në pozita rivalësh por jo në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë sikundër do të jenë në Evropianin e Futbollit në Francë.
Graniti ndërkaq ka sqaruar se edhe në familje kjo rastësi ka qenë një kohë të gjatë temë bisede por i me kohë çdo gjë ka rënë në suaza të normale. “Unë do të jap më të mirën për Zvicrën ashtu sikurse edhe Taulanti për Shqipërinë”, ka thënë Granit Xhaka. Ai ka shtuar më tutje se është krenar me angazhimin për Zvicrën pasi që për të dhe klubet zvicerane ka luajtur në të gjitha fazat por edhe se në asnjë mënyrë nuk i fsheh rrënjët e tij shqiptare, përcjell albinfo.ch. “Unë pushimet verore dhe ato dimërore i kaloj gjithmonë në Kosovë, në Prishtinë, ku i vizitoj me dëshirë gjyshërit deri sa të jenë gjallë”, ka theksuar ylli i Bundesligës gjermane dhe lojtari i kërkuar nga Arsenali.
Ndërsa Taulanti, i pyetur për kalimin eventual në kombëtaren e Kosovës, ka thënë: “Kjo nuk është aspak temë për momentin. Unë jam i përqendruar tërësisht në përgatitjen për Evropianin në Francë, në radhët e Shqipërisë”.
Graniti ka shprehur dëshirën që vëllai i tij, Taulanti të shërohet sa më shpejt nga lëndimi që ka marrë së fundi dhe të jetë në formë për ndeshjen që i pret bashkë.
Komentet