Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku ka firmosur javën e kaluar një vendim për t’i dhënë Presidentit të Republikës Bajram Begaj një shumë prej 600 mijë lekë të reja për mbulimin e shpenzimeve shëndetësore.
Në vendim nuk thuhet nëse kurimi i Kreut të Shtetit është bërë në një spital privat në Shqipëri apo jashtë vendit, por e sigurt është që në spitalet publike në vendin tonë Presidenti nuk është kuruar.
Presidenca nuk ka dhënë detaje se çfarë kurimi ka bërë Begaj, ndërkohë që dy javët e fundit ai ka dalë në publik me dorën e djathtë të fashuar.
Në të njëjtën ditë, zv.kryeministrja Balluku i ka akorduar një shumë prej 1.2 milionë lekësh edhe ish-kryetarit të KQZ-së, aktualisht këshilltar i Presidentit, Klement Zguri.
VENDIM
Nr. 175, datë 24.3.2023
PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. BAJRAM BEGAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, dhe në vijim të vendimit nr. 23, datë 18.1.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2023”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Bajram Begaj, në masën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë.
Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të
Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
ZËVENDËSKRYEMINISTËR
Belinda Balluku
VENDIM
Nr. 176, datë 24.3.2023
PËR MBULIMIN E PJESSHËM TË SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. KLEMENT ZGURI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, dhe në vijim të vendimit nr. 23, datë 18.1.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2023”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të mjekimit të z. Klement Zguri, në masën 1 200 000 (një milion e dyqind mijë) lekë.
Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
ZËVENDËSKRYEMINISTËR
Belinda Balluku
bw