Nga konferenca e përbashkët për shtyp në Zvicër mes presidentit ukrainas dhe presidentes zviceriane (15 janar 2024)
VOA
Zvicra njoftoi të hënën se do të organizojë një takim global për paqen me kërkesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Planifikimi për këtë aktivitet fillon të martën.
Gjatë një konference për shtypin në Bernë, përkrah presidentes zvicerane Viola Amherd, zoti Zelenskyy i bëri thirrje Kinës, një vend aleat i Rusisë dhe ndër vendet me influencë në skenën globale, që të marrë pjesë dhe të ndihmojë për të zgjidhur konfliktin me Rusinë.
“Do të donim shumë që Kina të përfshihej në formulën tonë (të paqes), si dhe në takimin e nivelit të lartë”, tha ai. “Por, jo çdo gjë varet nga dëshira jonë”.
Zoti Zelenskyy nuk bëri të ditur listën e pjesëmarrësve, por tha se “jemi të hapur ndaj të gjitha vendeve që respektojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial në takimin e nivelit të lartë për paqen”.
Zoti Zelenskyy ftoi edhe vendet nga i ashtuquajturi Jugu Global, disa prej të cilave mbajnë marrëdhënie diplomatike me Rusinë.
“Do të donim të ishte i pranishëm edhe Jugu Global… është e rëndësishme për ne të tregojmë se e gjithë bota është kundër agresionit të Rusisë dhe se e gjithë bota është në favor të një paqeje të drejtë”, tha ai.
Rusia, e cila nuk merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet këtë javë në Davos të Zvicrës, refuzon t’i përgjigjet pozitivisht propozimit të Ukrainës për paqe.
“Pa pjesëmarrjen tonë, diskutimet janë pa vlerë për ndonjë perspektivë me rezultate”, tha të hënën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet për diskutimet për Ukrainën në Davos.
“Kjo është thjesht e folur për hir të së folurës”, shtoi ai.
Zoti Peskov tha se Moska do ta vazhdojë operacionin ushtarak në Ukrainë derisa të arrijë të gjitha objektivat e saj.
Ukraina ka thënë se nuk do të ndalet derisa të gjithë ushtarët rusë të kenë dalë nga territori i saj. Presidenti Zelenskyy ka nxjerrë një dekret që i shpall të paligjshme të gjitha bisedimet me Rusinë.
Zoti Zelenskyy tha se “rendi i bazuar tek rregullat duhet të rikthehet për çdokënd nëpër botë, pa përjashtim”.
Ai shtoi se udhëheqësit e Rusisë “besojnë se me dhunën dhe terrorin e tyre, mund të vendosin me forcë një tjetër lloj rendi, një rend grabitqar, pa rregulla apo garanci sigurie”.
Kremlini e paraqet luftën në Ukrainë si pjesë e një përpjekjeje shumë më të madhe globale ndaj Perëndimit, që mendon se synon ta copëtojë Rusinë dhe të përvetësojë burimet e saj natyrore. Perëndimi mohon të ketë objektiv shkatërrimin e Rusisë.
Këshilltarët e sigurisë kombëtare të 83 vendeve u mblodhën në Davos të shtunën, në kuadrin e Forumit Ekonomik Botëror, për të diskutuar planin e paqes me 10 pika të Ukrainës, ku parashtrohen kushtet e Kievit për dhënien fund luftës me Rusinë.
Kina nuk merrte pjesë në këto bisedime.
Ndërkaq, ministrja e jashtme e Koresë së Veriut është duke bërë një vizitë treditore në Rusi, ndërsa po rritet shqetësimi ndërkombëtar për bashkëpunimin mes dy vendeve për armatimin.
Delegacioni i udhëhequr nga ministrja e jashtme Choe Son Hui mbërriti në Moskë të dielën, njoftoi agjencia koreanoveriore e lajmeve. Ajo takohet të martën me homologun rus, Sergey Lavrov, njoftoi zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Zonja Choe po e bën vizitën me ftesë të zotit Lavrov, njoftoi ministria ruse.
Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut thonë se Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me armatime, përfshirë artileri dhe raketa, për ta ndihmuar për luftën në Ukrainë.
Administrata e Presidentit Biden thotë se ka evidencë se Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me raketat që janë përdorur tashmë në Ukrainë. Në një deklaratë të përbashkët javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe partnerët thanë se Koreja e Veriut e furnizoi Rusinë me raketa, në këmbim të njohurive të vlefshme teknike dhe ushtarake të Rusisë.
NGA LUFTIMET NË UKRAINË
Forcat ajrore ukrainase rrëzuan një aeroplan rus zbulimi që mund të identifikojë objektivat në distancë prej 650 kilometrash, si dhe një aeroplan tjetër të rëndësishëm që transferon të urdhëratë e komandës ruse tek forcat në terren.
Rrëzimi i aeroplanëve luftarake është një goditje e rëndë ndaj forcave të Kremlinit, njoftoi të hënën komandanti ushtarak i Ukrainës.
Aeroplanët ishin pjesë thelbësore e infrastrukturës që ndihmon në orkestrimin e lëvizjeve të forcave ruse në fushëbetejë në Ukrainë. Rrëzimi i tyre, nëse konfirmohet, do të shënojë një arritje të dukshme të Ukrainës në luftën gati dyvjeçare kundër agresionit rus, ndërkohë që luftimet përgjatë vijës së frontit kanë ngecur.
Rusia ka ruajtur kryesisht epërsinë ajrore gjatë luftës pasi ushtria e Ukrainës ka vetëm aeroplanë të vjetër të periudhës sovjetike.
Gjenerali Valeriy Zaluzhnyi, komandanti i forcave të armatosura të Ukrainës, nuk tha se si ishin rrëzuar dy aeroplanët. Kievi është furnizuar kohët e fundit nga Perëndimit me sisteme sofistikuara kundërajrore.
Gjenerali Zaluzhnyi nuk njoftoi se në çfarë rajoni gjeografik ishin zbuluar avionët, ndonëse postimi shoqërohej me disa pamje me video gjurmuese radarësh që tregonin dy objektivat tek zhdukeshin mbi Detin Azov, që shtrihet ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, në veri të Gadishullit të Krimesë dhe Detit të Zi.
Moska nuk ka komentuar. Blogerët rusë të luftës thanë se dy aeroplanët ishin qëlluar gabimisht nga zjarri rus, ndonëse nuk dhanë ndonjë provë. Ata thanë se avioni Il-22 ishte dëmtuar, por ishte ulur me sukses.
Aeroplani tjetër i modelit A-50, i cili është i pajisur me një radar të madh, zakonisht transporton një ekuipazh prej 15 vetash. Forca ajrore ruse thuhet se ka një flotë prej nëntë aeroplanësh të tillë.
Një sulm në shkurt të vitit 2023 ndaj një baze ajrore në Bjellorusi dëmtoi një aeroplan të tipit A-50, por zyrtarët rusë dhe bjellorusë e cilësuan dëmin si të vogël.
Aeroplani i tipit “Il-22” shërben si post komandues i forcave ajrore, që mbikëqyr operacionet ushtarake dhe u dërgon sinjale radioje trupave në vijën e frontit. Sipas raporteve, forcat ajrore ruse kanë një duzinë aeroplanësh të tillë.
Ukraina po mundohet t’u tregojë aleatëve të saj perëndimorë aftësitë e ushtrisë së saj mbi përdorimin e armatimeve të ardhura nga shtetet aleate.
Zyrtarët ukrainas po mundohen që ta përqendrojnë vëmendjen e botës tek lufta e tyre kundër agresionit rus mes shqetësimeve se konflikti po del në plan të dytë në arenën ndërkombëtare.
Organizata e Kombeve të Bashkuara bëri thirrje të hënën për një ndihmë prej 4.2 miliardë dollarësh për të ndihmuar banorët e Ukrainës dhe ata që janë zhvendosur gjatë këtij viti.
Drejtori i ndihmave i OKB-së Martin Griffiths njoftoi se “gara për fonde po bëhet gjithnjë e më e madhe” për shkak të krizave në mbarë botën, përfshirë luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë.
Ukraina po ashtu synon të rrisë rezervat e armatimeve në përgatitje për një luftë të gjatë dhe “në mënyrë dramatike po zgjeron” kapacitetin e vet për të prodhuar pajisje ushtarake, sipas një organizate amerikane.
Sipas Institutit për Studimin e Luftës, Ukraina është në pozitë të mirë që t’i realizojë planet e saj për të përmbushur mungesën e armatimeve që nuk vinë nga Perëndimi.
“Ukraina është shumë e industrializuar, me një popullatë shumë të arsimuar dhe të sofistikuar në aspektin teknik,” tha të dielën instituti. “Kishte një industri të madhe të armëve gjatë periudhës sovjetike dhe vazhdoi të jetë një eksportues i rëndësishëm i armëve pas pavarësisë.”
Për këtë artikull u përdorën materiale të agjencive të lajmeve The Associated Press dhe Reuters.