VOAL – Nëse, siç vë bastin Konfederata, vaksina nga kompania amerikane Moderna funksionon, Zvicra do të ketë doza të mjaftueshme për të mbuluar 2.25 milionë njerëz. Pra, jo e gjithë popullata e vendit. Me cilat kritere do të administrohet atëherë? Berna ende nuk e ka sqaruar këtë aspekt, por sipas Alessandro Ceschit, drejtor mjekësor dhe shkencor i Institutit të Shkencave Farmakologjike të Zvicrës italiane, “do të jetë e rëndësishme të mbulohen pjesët e popullatës më të rrezikuar, pra të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje të tjera. Përveç punonjësve të shëndetësisë.”
Moderna, një kompani me të cilën Konfederata ka nënshkruar një marrëveshje ditëve të fundit për “rezervimin” e vaksinës, është një nga gjashtë projektet në një fazë të avancuar të ekpserimentimit në të gjithë botën. Të martën, Presidenti Rus Vladimir Putin njoftoi se Moska ka regjistruar vaksinën e parë kundër Covid-19. Lajm që ka shkaktuar shumë zhurmë te disa ekspertë. “Edhe mua më befasoi”, pranon Ceschi, duke nënvizuar se “është pozitive, por duhet të merret me kujdes derisa autoritetet tona rregullatore të mund të verifikojnë gjithë efikasitetin dhe të dhënat e sigurisë”.
Por lufta kundër koronavirusit të ri nuk ka të bëjë vetëm me vaksinat. Të martën, Berna njoftoi se kishte nënshkruar një marrëveshje tjetër me kompaninë zvicerane Molecular Partners, këtë herë për një ilaç që synon trajtimin e Covid-19. “Të dhënat që kemi sot janë inkurajuese, por ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Studimet klinike mbi njerëzit, të cilat pritet të fillojnë në vjeshtë, do të thellohen”, komenton drejtori i Institutit të Shkencave Farmakologjike të Zvicrës italiane. rsi/eb
Komentet