Voal.ch – Më 13 shkurt qytetarët e Konfederatës Helvetike votojnë paketën mediatike.
Sindikatat e mediave dhe jo vetëm, por edhe partitë politike po bëjnë fushatë që kjo paketë të votohet me një “Po”.
Sindikata zvicerane e punonjësve të medias SSM e ka mbuluar fushatën për votimin “Po” të referendumit, duke nënvizuar se “çdo votë “Po” ka një rëndësis të madhe.“
Objektivi i këtij referendumi është që të ruajë diversitetin e mediave në Zvicër.
“Mediat e pavarura janë thelbësore për demokracinë tonë”, lexohen nëpër bilbordet e shpërndara kudo nëpër Zvicër.
“Ligji i ri është një investim në cilësinë dhe pavarësinë e medias sonë”.
Mediat më të vogla marrin një përqindje më të lartë se shtëpitë më të mëdha mediatike.
Në faqen online të qeverisë zvicerane midis të tjerave shkruhet:
“Gazetat, radiot dhe televizionet private si dhe mediat online informojnë popullatën çdo ditë për atë që po ndodh në rajonin e tyre dhe në Zvicër. Në këtë mënyrë ato kontribuojnë në procesin e formimit të opinionit politik dhe në kohezionin social. Pavarësisht rëndësisë së tyre, mediat lokale dhe rajonale janë në vështirësi financiare: të ardhurat nga reklamat po derdhen gjithnjë e më shumë në arkat e platformave të mëdha ndërkombëtare të internetit. Shumë gazeta janë zhdukur dhe të ardhurat nga reklamat e transmetuesve privatë të radios dhe televizionit janë gjithashtu në rënie. Këshilli Federal dhe Parlamenti synojnë të forcojnë mediat lokale dhe rajonale. Konfederata ka pak kohë që ka ulur koston e shpërndarjes së gazetave me abonim. Tani duam ta shtrijmë këtë reduktim në gazetat me tirazh më të lartë dhe shpërndarjen e mëngjesit, të promovojmë mediat online dhe t’u japim radiove lokale dhe televizioneve rajonale më shumë mbështetje me kusht që ata të synojnë kryesisht një audiencë zvicerane dhe të mbulojnë tema në mënyra të ndryshme në sferat e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë. Prandaj Këshilli Federal i Parlamentit të Zvicrës i rekomandon popullit që ta votojnë me një “Po” këtë referendum./EB

Komentet