Çfarë do të thoshte sot filozofi Tomas Mor për propozimin e futjes së një të ardhure bazë të pakushtëzuar për të gjithë në Zvicër?
Një rrjedhë e gjatë historike
Saktësisht gjysmëmileniumi pasi Tomas Mori (Thomas More) paraqiti idenë tek vepra me shumë ndikim ‘Utopia’, në Zvicër më 5 qershor, pë herë të parë në botë, populli do të votojë për futjen e një page bazë të pakushtëzuar për të gjithë shtetasit.
Vepra letrare dhe e filozofisë politike, botuar në latinishte më 1556, përmendte pagat bazë si mjet i mundshëm për ta luftuar vjedhjen. Dhjetë vjet më vonë, miku i tij Giovanni Ludovico Vives ishte i pari që përpiloi një propozim të detajuar. Paraqitja e propozimit tek kryetari i bashkisë Bruges, më 1526, çoi tek zbatimi i parë i kësaj ideje në qytetin flaming Ypres.
“Ishte vërtet për t’i ndihmuar të varfërit”, thotë Florian Schui, docent i historisë ekonomike në Universitetin e San Galenit, lidhur me idenë veçanërisht të rëndësishme që nga fundi i Mesjetës. por prej atëherë tema e debatit ka ndërruar.
“Përqëndrimi më i madh i sotëm i debatit mbi të ardhurat bazë nuk i përket aq fort shumës që njerëzit marrin, por ndryshimit të paradigmës,” thotë ai për swissinfo.ch. Shuma që derdh Shteti “nuk konsiderohet më një ndihmë sociale, por është një e drejtë njerëzore themelore”.
Nga kohët e Tomas Morit, ideja është zhvilluar në një formë që na e kujton thënien e ish presidentit të Shteteve të Bashkuara John F. Kennedy: “Një njeri mund të vdesë, kombet mund të ngrihen apo të bien, por një ide vazhdon të jetojë. Idetë rezistojnë, janë të pavdekshme.”
Sot mbështetësit e të ardhurës bazë shpresojnë se ideja për t’ia shpërndarë çdo qytetari një dërgesë mujore parash ka arritur më në fund në nivelin e aforizmit të Viktor Hygoit, sipas të cilit “asnjë ushtri nuk mund ta ndalë një ide koha e së cilës ka ardhur”.
Parimi i përgjithshëm është që Shteti ia jep çdo qytetari një rrogë mujore bazë, pa i kërkuar në shkëmbim të punojë dhe pavarësisht rrogave të tjera sipas Basic Income European Network (BIEN) – shqip: Rrjetit Evropian të të Ardhurave Bazë REAB, me seli qendrore në Belgjikë.
Përkrahësit thonë se është mënyra më e sigurt dhe më e drejtë për të zbutur varfërinë dhe nxitur punësimin. Gjithsesi, në diskutim janë mundësi të ndryshme dhe pika kritike. Në mënyrë të veçantë diskutohet si të financohet Rroga Bazë e Pakushtëzuar -RBP. Përkrahësit thonë se është diçka e njëjtë me format e tjera të sigurisë sociale.
Një ide që i përshkon shekujt
Ideja e RBP qe diskutuar në Shekullin XVI DHE XVII nga akademikë të spikatur të Shkollës së Salamankës, të shqetësuar për varfërinë dhe për problemet e lidhura me ekspansionin kolonial spanjoll në Amerikën Latine. Në Angli, në epokën elizabetiane, “ligji për të varfërit” i vitit 1576 iu dha punë njerëzve që dëshironin por nuk arrinin ta gjenin.
Ndër intelektualët francezë që u muarën me ekzistencën e së drejtës së ekzistencës individuale, Montesquieu (Monteskje) më 1748, në “Shpirtin e ligjit” pohoi se një shtet “duhet t’ua garantojë të gjithë shtetasve të tij mjetet për t’u përkujdesur ndaj jetesës së vet, ushqimit, veshjeve të përshtatshme dhe një mënyre të të jetuarit që nuk e dëmton shëndetin e tyre”
Në vitet 1790, shkrimtarët anglezë Tom Paine e Thomas Spence, u muarën me të drejtat natyrale, duke mbështetur idenë e një rroge bazë. Shqetësimi kryesor i Paine ishte për t’i ndihmuar pleqtë dhe prindërit e fëmijëve të vegjël. Në të njëjtën periudhë, në Francë, markezi Condorcet mbështeste rrogën bazë si formë të sigurisë sociale për ta luftuar varfërinë dhe pabarazinë.
Idetë e tyre kanë frymëzuar zhvillimin e sistemeve të reja të mbrojtjes dhe të sigurisë sociale në Evrope, si pensionet dhe sigurimet shëndetësore, të futura nga Otto von Bismarck, kancelari i parë i Gjermanisë, nga vitit 1871 deri në vitin 1890. Këto sisteme, gjithsesi, janë bazuar në idenë se një njeri ka të drejtë për shërbime sociale në kushte të caktuara, jo për një rrogë bazë pa asnjë kushtëzim.
Në vitet 1970, disa variante të një rroge bazë universale hodhën rrënjët në Amerikën e Veriut:
• Në Dauphin, në provinciën kanadeze Manitoba, nga 1974 deri më 1979, iu dha një rrogë familjeve. Orët e punës për nënat e reja dhe adoleshentët u pakësuan dhe numri i njerëzve vkktima të fatkeqësive u zvogëlua.
• Në Alaskë, më 1976, u themelua një fond i përhershëm që i shndërron të ardhurat e naftës të Shtetit në një pagesë të shpërndarë çdo vit të gjithë atyre që banonin së paku prej gjashtë muajsh atje, pa asnjë dallim moshe.
Shembuj të tjerë të freskët:
• Në një fshat në Namibia, nga 2008 deri më 2009, një shoqatë humanitare gjermane sponsorizoi një projekt pilot për dhënie parash në dorë. Kjo çoi në rritjen e numrit të fëmijëve që shkonin në shkollë dhe në zvogëlimin e kriminalitetit. Ndihma financiare atje vazhdoi deri në fillim të vitit 2012.
• Qeveria e Finlandës parashikon të vendosë këtë muaj nëse do të eksperimentojë një projekt pilot për rrogë bazë universale duke filluar nga viti 2017.
• Në Livorno, Këshilli Bashkiak i drejtuar nga kryetari i bashkisë Filippo Nogarin (Lëvizja e 5 Yjeve) më 20 maj 2016 futi “rrogën e qytetarisë lokale”, në mënyrë eksperimentale për gjashtë muaj. Në nivel vendi, në Itali projektligji i rrogës së qytetarisë i paraqitur nga pesyjeshit më 2013 ka mbetur në Komisionin e punës të Senatit nga shkurti 2015.
• Utrecht, Tilburg e qytete të tjera të Holandës po eksperimentojnë një rrogë bazë ose po e marrin parasysh idenë.
• Partia Kombëtare Skoceze ka përkrahur idenë e zëvendësimit të sistemit aktual të sigurisë sociale me një rrogë bazë dhe ka rënë dakord të marrë në konsideratë reformën përkatëse në kuadrin e një Skocie të pavarur.
Propozimi i hedhur për votim në Zvicër
Më 5 qershor në Zvicër elektorati do të shprehet për iniciativën popullore “Për një rrogë bazë të pakushtëzuar” që propozon të përfshihet ky parim në Kushtetutën Federale.
Spas Florian Schuit, debati pasqyron kundërpozicionimin e “dy mendimeve të ndryshme” sa iu përket të varfërve: nga një anë ata që i mbajnë përgjegjës për situatën e tyre, ndërsa nga ana tjetër janë ata që e mbajnë përgjegjës sistemin ekonomik që nuk ua mundëson të gjithëve të kenë një punë.
Utopia e Tomas Murit pasqyronte një vizion religjioz, sipas të cilit qeniet njerëzore janë rënduar me punë që nga dëbimi i tyre prej Edenit, ndërkohë që nuk kishin asnjë nevojë në statusin e tyre zanafillor.
Pastaj, që nga revolucioni industrial, njerëzit janë mësuar me idenë se prodhimi mund të vazhdojë të shtohet edhe duke e pakësuar sasinë e punës. Çështja që disktohet, thotë Florian Schui, është se çfarë të bëhet me këtë tip progresi.
“Mendoj se i bëhet jehonë modelit të pasluftës, periudhës së moshës së artë të kapitalizmit, me një shkallë të lartë rritje, por jo me një sistem rritjesh të taksave dhe me një sistem social bujar,” thotë studiuesi i hisorisë ekonomike. “Mendoj se është më shumë një nostalgji e periudhës pas-lufte se ndaj Tomas Morit apo religjionit.”
(Përktheu për voal.ch Skënder Buçpapaj)
Komentet