Personat që bëjnë një veprim të tillë mund të shihen si fajtor për mbështetje të një organizate kriminale, thirrje për krime apo dhunë dhe paraqitje të dhunës. Zëdhënësja nuk ka bërë të ditur numrin e personave që janë duke u hetuar, as moshën dhe nacionalitetin e tyre. Në fillim të vitit 2014 Gjykata Penale Konfederale kishte konstatuar në rastin e dy irakianëve se shpërndarja e një linku me përmbajtje nga kuzhina propagandistike e ISIS-it ka për qëllim t’i bëjë reklamë «mendësisë» kriminale. Një veprim i tillë, sipas gjykatës, përforcon potencialin kriminal dhe paraqet përkrahje për veprimet kriminale të organizatave kriminale.
Krahas kësaj Prokuroria e Konfederatës së Zvicrës ka iniciuar procedura penale kundër të ashtuquajturve «udhëtarë xhihadistë». Bëhet fjalë për persona që iu kanë bashkuar organizatave islamiste në botën e jashtme. Shërbimi Sekret i Zvicrës (NDB) ka dijeni për 71 persona të tillë. 57 prej tyre kanë udhëtuar në Siri dhe Irak, ku lufton «Shteti Islamik». 13 prej 71 xhihadistëve ndërkohë janë kthyer në Zvicër, 13 të tjerë janë vrarë në luftë, mes tyre edhe Valdet Gashi, një shqiptar me shtetësi zvicerane, i cili drejtonte një shkollë të sporteve luftarake në Winterthur, një qytet afër Zürichut.
Së shpejti Prokuroria pritet t’i akuzojë katër anëtarë të një celule të ISIS-it në Zvicër. -ATS/dp
Komentet