Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA) ka reaguar ndaj sulmit të sotëm ndaj civilëve në stacionin ukrainas në Kramatorsk duke thirrur ambasadorin rus në Bernë.
“Pas sulmit barbar në Bucha, Ukraina sot pësoi një sulm të dytë të pamëshirshëm në stacionin Kramatorsk”, thuhet në deklaratën në anglisht në Twitter. “Ne thirrëm menjëherë ambasadorin rus për të dënuar ashpër këto shkelje të ligjit humanitar, të cilat potencialisht përbëjnë krime lufte. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që menjëherë t’i japë fund kësaj lufte dhe të bashkëpunojë me hetimet e pavarura ndërkombëtare për të hedhur dritë mbi çdo krim të supozuar të luftës”
Nga ana e saj, ambasada ruse në Bernë ka publikuar në Twitter qëndrimin e ministrisë së jashtme ruse, sipas së cilës ka prova të qarta se Ukraina është përgjegjëse për bombardimin e Kramatorskut. Moska gjithashtu i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndalojë furnizimin me armë për Ukrainën dhe ta shtyjë vendin të refuzojë metodat e papranueshme të luftimit.
Sipas Pentagonit, stacioni Kramatorsk “u godit nga një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi”. Zëdhënësi, John Kirby, tha në një konferencë për shtyp se “edhe një herë kemi të bëjmë me një shprehje të brutalitetit të Rusisë”, duke i quajtur “jobindës” pretendimet e Moskës se forcat e saj nuk ishin të përfshira në sulmin ndaj stacionit./rsi.ch/eb

Komentet