Në foto Këshilltarja Federale e Transporteve zonja Doris Leuthard
Voal – Voal.ch shkruan se sot është një ditë historike jo vetëm për Zvicrën por edhe për Europën, që shënohet me inagurimin e Tunelit të San Gotardit, më i gjati në botë, pas 17 vjet punimesh.
Sot aty ku inagurohet galeria e re, në jug të Alpeve të Zvicrës ka zbarkuar pothuaj gjithë Parlamenti Helvetik, 190 nga 246 parlamentarë si dhe janë të pranishëm tre Këshilltarë Fedearalë, të mos flasim pastaj për praninë e gazetarëve.
Më e emocionuara është sigurisht Këshilltarja Federale e Transporteve zonja Doris Leuthard e cila ka ndjekur ecurinë e punimeve të tunelit deri në finale dhe me të drejtë përpara kamerave thotë se “se sot është një ditë për të qenë krenarë”. Sytë e zonjës Leuthard shkëlqejnë prej lotëve.
Për gazetarët foli edhe Adolf Ogi, ish ministri zviceran i transporteve: “Është një akt dhe vepër solidare e popullit të Zvicrës në mbrojtje të Alpeve. Për Europën fillon një politikë e re për transportet. Zvicra i ka përmbushur deri më një të gjitha akordet ndërkombëtare për transportin tranzit, ndërsa Gjermania dhe Italia duhet të ndërtojnë akoma. Por edhe ne nuk kemi përfunduar ende, ky është momenti historik”, tha Ogi.
Janë 1100 të ftuar, midis tyre 300 gazetarë. Akreditimet për të marrë pjesë në këtë ngjarje kanë përfunduar në mes të shkurtit, kjo ka shkaktuar nervozizëm tek gazetarët, por organizatorët kanë qenë shumë striktë. Ndërkohë që për gazetarët do të krijohen ditëve që vjen mundësi të tjera për të vizituar San Gotardin.
Midis të ftuarve merr pjesë kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez François Hollande dhe kryeministri i Italisë Matteo Renzi.
Masat e sigurisë janë shumë të larta, kontrolli po ashtu i nivelit më të lartë nën praninë e dendur të forcave policore dhe zona është e kontrolluar metër për metër ndërkohë që ndihet zhurma e një helikopteri të ushtrisë. Në total forcat e sigurisë që garantojnë mbarëvajtjen e inagurimit shkojnë në 2000.
Treni i parë
Momenti final që tashmë ka arritur është nisja e dy trenave, rruga e parë, njëri tren nga jugu dhe tjetri nga veriu. Në bord janë 1000 përfaqësues të qyetarëve zviceranë, të zgjedhur rastësisht në një konkurs ku kanë marrë pjesë 140 mijë vetë.
Tuneli ka kushtuar 12 miliardë e 200 milionë franga zvicerane që ka një vlerë pothuaj sa Euro.
Sasia e betonit e përdorur ka qenë 4 milionë metër kub sa për të ngritur 84 Empire State Building.
Me të drejtë mund të quhet kryevepër e realizuar nga mendja dhe dora e njeriut.
Jo më kot presidenti i Konfederatës Helvetike Johann Schneider-Ammann, në fjalën përshëndetëse tha se sot është një ditë historike, porse “Në Zvicër dhe Evropë arritjet epokale janë ende të realizueshme“/Elida Buçpapaj





Tuneli u inagurua. Rruga e parë! Rrugën e Mbarë!
Komentet