Facebook-u më kujtoi një statusin tim të botuar më 15 prill 2013.
Pragfushata e zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.
Deri atëherë LSI kishte bashkëqeverisur me PD.
Por pikërisht më 1 prill, në ditën e rrenave, Ilir Meta u divorcua me Berishën dhe bashkë me Edi Ramën nënshkruan marrëveshjen e turpit për të hyrë në Aleancë bashkëqeverisëse.
Të mos harrojmë se në janarin e 2011 Edi Rama me në krye Tom Doshin udhëhoqi protestatat e 21 janarit që shkaktuan 4 viktima dhe që kishin si casus belli Ilir Metën.
Në respekt të koherencës sime si gazetare po e sjell statusin e 15 prillit 2013 jo në mënyrë integrale: “Ilir Meta thotë se duhet rotacion, që shqip do të thotë që ai nuk duhet të rikthehet në qeverisje! Sepse Sali Berisha nuk mund ta çbëjë çiftëzimin katërvjeçar që pati me Ilir Metën. Sali Berishës i duhet të paguajë për gabimet e tij. Ndërsa PS po çiftëzohet aktualisht me bishtdredhësin që e kishte dëbuar si të padenjë nga shtëpia! Kjo vetëm demokraci nuk është! Në këto kushte, një pol i tretë i kishte fituar zgjedhjet e 23 qershorit.”
Kanë kaluar 8 vjet e në Shqipëri nuk ka as pol të tretë, se LSI shkon si patericë herë me PD e herë me PS. Në Shqipëri nuk kemi ende as Vjosë, as Donikë dhe as Albin.
Jemi përsëri në muajin prill, pas tetë vjetësh dhe Shqipëria ka 30 vjet në një gjendje stanjacioni. A kanë sy kryepolitikanët shqiptarë për të parë gërmadhën e shtetit dhe eleminimin e sistemit demokratik përmes akrobacive të tyre për pushtet!
Nuk jam gjykatëse dhe shkruaj nga pozitat e një gazetareje që ka ndjekur prej tri dekadash zhvillimet politike shqiptare, jam dëshmitare e papërgjegjshmërisë të klasës politike, e cila hyri në politikë me plaçkat e trupit si i gjithë populli dhe, tre dekada më vonë, e ka lënë popullin të zhveshur e të rreckosur dhe shtetin shqiptar të shpartalluar me themel, me kryerrëmimtarin sulltanin Edi Rama, largimi i të cilit është emergjencë kombëtare, çka e bën të detyrueshëm rotacionin.
Presidenti Ilir Meta në kontakt me mediat denoncon diktaturën e sulltanit me shallvare e atlete dhe bën apel në mënyrë implicite për rotacion!
Sot Ilir Meta në prillin e 2021 kërkon rotacion për të hequr Edi Ramën .
Rotacion për të bashkëqeverisur me Edi Ramën kërkonte Ilir Meta në prillin e 2013.
Po cilin Ilir Meta të besojmë?
Ndërkohë që Shqipëria duhet të ndryshojë.
Ndryshim o sot o kurrë që do të thotë largimi i Edi Ramës është imperativ për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Një nga figurat më emblematike të elitës së pavarur shqiptare, diplomati dhe studiuesi i shquar Shaban Murati ka kohë që ka vënë alarmin se në Shqipëri “po glorifikohen anëtarët e Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, Sekretarët e Parë të Partisë së Punës nëpër rrethe, kryetarët e degëve të punëve të brendshme, gjeneralët e ushtrisë së atëhershme, kryeministrat dhe ministrat e qeverisë komuniste, shumë rrugë mbajnë emrat e tyre, madje disave u kanë ngritur edhe buste dhe fëmijtë e tyre janë bërë sot ministra si baballarët. Dhe që ikonografia të jetë sa më autentike: kushurijtë e Enver Hoxhës, Hysni Kapos, Sulo Gradecit, etj. janë sot gurutë e partive kryesore politike shqiptare.”
Në këtë situatë dramatike, kur kryeministri ka kapur çdo qelizë të shtetit, Presidenti i Republikës është përpjekur që të mbajë qendrime konform kushtetutshmërisë. Ilir Meta po ashtu ka kundërshtuar korrigjimin e ndryshimeve kushtetuese që u bënë në Kodin zgjedhor në prill të vitit 2008 nga Sali Berisha dhe Edi Rama që i vunë minat votës të lirë, parimit check and balance duke institucionalizuar klientelizmin dhe Njëshin ose kultin e individit përmes deputetëve të listave, që nga shërbëtorë të popullit janë kthyer në profiterë të paskrupuj dhe skllevër të kryetarëve të partive.
Dhe pikërisht në kulmin e fushatës zgjedhore, kur shqiptarëve u duhet mbushur mendja që votojnë për ndryshimin, Presidenti i Republikës Ilir Meta, që në publik i bën opozitë diktatorit Edi Rama, kryen një veprim që shkon plotësisht në favor të Edi Ramës! Presidenti Ilir Meta provokon gjithë shtresën e të përndjekurve politikë por edhe çdo shqiptar me ndërgjegje të pastër duke i dhënë dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Mehdi Bushatit, ish eksponent i Sigurimit të Shtetit, i denoncuar nga ish të burgosurit për egërsitë e tij gjatë diktaturës.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Gëzim Peshkëpisë, Antar i Bordit te Institutit studimit te krimeve te komunizmit, një monument i gjallë i vuajtjeve të regjimit totalitarist, që i ka provuar tmerret e diktaturës që fëmijë, i biri i Manush Peshkëpisë, i pushkatuar nga regjimi diktatorial, vetë i burgosur politik, i cili me një letër publike i drejtohet Presidentit të Republikës Ilir Meta duke i bërë apel që ta anullojë dekretin:
“Zoti President, Mora vesh per dhenien nga ana tuaj te dekorates se larte “Kaloresi i urdherit Gjergj Kastrioti-Skenderbeu” kriminelit Mehdi Bushati.Turp ! Kete dekorate te larte te shtetit shqiptar e kam mbajtur me krenari e nderim me nje kornize ne studion time te varur ne mur ketu ne Gjermani. Them “e kam mbajtur” sepse nuk e mbaj me. Ate e hoqa dhe do ua kthej fizikisht ne çastin me te pare te mundshem. Te dy dekoratat jane ekuivalente, por ndryshimi qendron tek mbajtesit e tyre.Njera i akordohet nje familje te persekutuar keq nga regjimi komunist, ndersa tjetra nje persekutori sadist…Zoti President është në nderin tuaj ta anulloni këtë dekoratë. Bëjeni që mos t’jua mallkojnë Dorën me të cilën firmosët”.
Letra e Gëzim Peshkëpisë drejtuar Presidentit të Republikës është publikuar më 5 prill dhe deri tani ka mbetur pa përgjigje.
Poeti gjerman Heinrich Heine me rrënjë hebreje një shekull përpara se botën ta pushtonte terrori i kuq dhe terrori i zi shkruante: “Komunizmi zotëron një gjuhë të cilën çdo popull mund ta kuptojë – elementet e tij janë uria, zilia dhe vdekja.”
Edhe në dramën e tij “Almansor” shkruar më 1821, Heinrich Heine parashikoi në mënyrë profetike Holokaustin “Das war ein Vorspiel nur, dort wo man Bucher verbrennt man auch am Ende Menschen” që shqipërohet se “atje ku ata djegin libra, në fund të fundit do të djegin edhe njerëz ”.
Mbi njëqind vjet më vonë, në maj të 1933 në Opernplatz të Berlinit aktivistët e partisë naziste do të digjinin mijra e mijra libra, duke përfshirë mdis tyre edhe veprat e Heinrich Heine-s, veprim mizor që t’ju paraprinte krematoriumeve.
E solla Heinen si shembull për t’i kujtuar Presidentit të Republikës se Shqipëria është vendi që nuk e ka vënë ende shenjën e barazimit midis krimeve të nazizmit me krimet e komunizmit dhe nderimi me dekorata ish eksponentëve të sistemit totalitarist që u kanë shkaktuar dhimbje viktimave të diktaturës është antikushtetues për një sistem demokratik.
Komentet