Pamjet e masakrave në Çamëri me flakë dhe dëbime masive, me fëmijë që qajnë të lebetitur në krahë të nënave të tyre, me burra dhe gra që ecin nëpër dëborë drejt fatit të panjohur, duken tashmë tejet të largëta, si të një epoke prehistorike. Por nuk është ashtu. Ato shfaqen e rishfaqen pambarimisht në formë rrëfenjash, tablosh, pikturash e fotografish që na emocionojnë dhe na bëjnë pambarimisht apel jo vetëm për mospërsëritjen e tyre, por mbi të gjitha për rivendosjen e drejtësisë….
Pavarësisht nga propaganda dhe botimet e jashtëzakonshme që janë bërë gjatë dy dekadave të fundit, çështja çame mbetet ende një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë sonë. Aty është edhe gjenocidi, edhe problemi i pakicave etnike që mban peng marrëdhëniet midis popujve dhe shteteve. Prandaj ndihet domosdoshmëria e një zbardhjeje të së vërtetës historike dhe respektim i të drejtave të këtyre njerëzve që kanë vuajtur padrejtësitë më të mëdha njerëzore. Dhe problemi bëhet edhe më tronditës, kur mëson se kjo tragjedi vazhdon… në njëmijë e një forma të rafinuara.
Historia e Çamërisë është pa asnjë dyshim një nga faqet më të dhimbshme të historisë së shqiptarëve përgjatë më shumë se një shekulli. Një pamje krejtësisht të panjohur të kësaj historie po u shpalosim sot në faqet e gazetës ‘DITA’. Është një histori që ngjan si një krijim, si një trillim artistik, më shumë se një realitet historik. Por kjo është një histori e vërtetë dhe me personazhe realë, të cilët folën ekskluzivisht për gazetën ‘Dita” jo më larg se dje pasdite…
Zëri i gjakut
Mehmet Sejdini, së toku me bashkëshorten, Fatbardha Sejdinin, kanë lënë Italinë ku jetojnë prej njëzet vjetësh dhe kanë ardhur në Shqipëri këto ditë gushti për të pritur dy motrat Bilani, të ftuara prej tyre nga Turqia. Në të vërtetë Qamilja dhe Hanifeja janë kushërirat e para të tij. Ato janë të bijat e Shefqet Sejdinit, xhaxhait të Mehmetit. Po ashtu janë dhe kushërira të Profesorit të njohur çam, Hajredin Isufit. Mehmeti bashkë me Hajredinin, duke gërmuar në origjinën e familjeve të tyre, ranë në gjurmë të pararadhësve të tyre dhe të vendndodhjeve të pasaradhësve të tyre. Prof. Hajredini është një enciklopedi e gjallë jo vetëm për trungun e tij familjar, por për gjithë Çamërinë. Ai, po i hape çështjen çame nuk di të heshtë, por vetëm tregon e tregon me dokumente, me dëshmi historike, me këngë, me fotografi e deri me filmime…
Miku im Nimet Musai, kandidat për deputet i Aleancës Popullore në qarkun e Fierit në zgjedhjet e 23 qershorit që për pak vota do të ishte bërë anëtar i parlamentit të ri, më njoftoi para tri ditësh nga Saranda se në Shqipëri kanë ardhur dy zonja çame. Jetojnë në Izmir të Turqisë dhe vijnë për herë të parë në Shqipëri. E keqja është se ato nuk dijnë shqip. Lidhu me Prof. Hajredin Isufin në Durrës dhe ke për të gjetur një material shumë të mirë për gazetën. Kështu më tha Nimeti. Dhe ja, kështu nisi kjo histori.
Dhimbja
Në paraqitje, në sjellje, në të gjitha format e komunikimit nuk kam asnjë dyshim se po bisedoj me dy shqiptare të jugut. Vetëm pak fantazi duhet që të pikasësh menjëherë fizionominë e tyre të patjetërsueshme çame. Është e habitshme se si e kanë ruajtur ato këtë trashëgimi, se si i kanë ruajtur këto zakone dhe tradita tërësisht shqiptare në një mjedis krejtësisht të huaj. Gjithsesi, pavarësisht se shkelin për herë të parë në Shqipëri, ato ndihen si në vendin e tyre.
Nuk dinë thuajse asnjë fjalë shqip. Ose më saktë disa fjalë si ‘faleminderit’, ‘ne jemi çame’, ‘ne jemi shqiptare’ që ato i shqiptojnë mundimshëm, i kanë mësuar gjatë tetë ditëve të fundit që kanë qëndruar në Shqipëri. Në të vërtetë, shqipja ekziston brenda tyre si ajri, si gjaku. Shqipja është thelbi i shpirtit të tyre. Janë takuar për herë të parë me kushërinjtë e tyre të një gjaku pas më shumë se 70-vjetësh. Përfytyroni lotët e mallëngjimit në këtë rast, të cilat nuk ka nevojë të përshkruhen këtu. Është një dhimbje shekullore dhe kontinentale kjo, e kuptueshme nga të gjithë ata që e dinë historinë e Çamërisë dhe të brengave të panumërta të saj…
Sidoqoftë, dje pasdite me dy zonjat çame nga Izmiri, në Hotelin e famshëm “Adriatik” në Durrës bëmë një bisedë mjaft të ngrohtë dhe krejtësisht të hapur, sikur të ishim njohur prej vitesh. Ato flasin turqisht dhe mua më duhet të komunikoj me anë të një përkthyesi me to. Dhe ky është miku i gazetës ‘DITA’, shkrimtari dhe publicisti tashmë i njohur Ahmet Dursun. Duke përkthyer, ai këput një shaka nga ato të tijat: “Me këto që po dëgjoj, kam përshtypjen se ti i kupton më mirë se unë këto zonja”.
Dhe ka të drejtë.
Motrat çame
Quhen Qamile dhe Hanife Bilani. Me përpjekjet e kushëririnjve të parë të tyrë Mehmet Sejdini dhe Hajredin Isufi ato më në fund prekën ëndrrën, shkelën për herë të parë në mëmëdheun e të parëve të tyre, në Shqipëri.
Historia e tyre është një pjesëz Çamërie. E dhimbshme dhe tragjike si vetë Çamëria. Babai i tyre Shefqet Sejdini iu përket atyre shqiptarëve të Çamërisë që Greqia i shpërnguli në drejtim të Turqisë në vitin 1923, në bazë të Marrëveshjes së Lozanës, në këmbim të grekëve të Turqisë që shpërnguleshin për në Greqi. Meqë ishin myslimanë, çamët i trajtuan si turq dhe i vendosën në Izmir ku kishte ekzistuar ngulimi më i madh grek në Azinë e Vogël. Ishte një shkombëtarizim i pastër për shqiptarët e Çamërisë, që kishte filluar vite më parë dhe që do të vazhdonte edhe shumë vite më pas.
Vonë, shumë vonë, ato kanë mësuar gjithnjë e më shumë mbi fatin e Çamërisë dhe mbi masakrat mbi Çamët. Kanë mësuar për gjenocidin e viteve 1913-14 dhe sidomos për atë të viteve 1944-45. Iu janë dukur gjithnjë tej një imagjinate normale njerëzore, deri të pabesueshme. Por gjithsesi një tablo më të plotë kemi mësuar tani që erdhëm në Shqipëri, na thonë. Dhe jemi bindur. Na i tregoi Profesor Hajredini, na i treguan shqiptarët dhe çamët e shumtë që kemi takuar,na thonë.
Në këtë vend zonjat çame i ka mrekulluar gjithçka kanë parë dhe dëgjuar. Kanë vizituar qytete, qendra historike, muzeume, janë njohur me një histori për të cilën kishin dëgjuar diçka krejtësisht të mjegullt, aq sa u dukej më shumë si një fantazi e stisur se sa një histori reale tejet tragjike.
Tashmë, kanë një përfytyrim krejt tjetër, një përfytyrim real dhe e ndiejnë se janë shqiptare 100 për qind.
Rrëfimi i Qamiles
Kishim dëgjuar për Çamërinë nga prindërit dhe të parët tanë. Ne kemi lindur në Turqi dhe e vetmja lidhje që kemi mbajtur me vendlindjen e të parëve tanë ishin kujtimet e tyre. Ata na flisnin për masakra, për shpërngulje, për vrasje makabre…. por jo të gjitha na i rrokte mendja. Si është e mundur të kenë ndodhur të tilla barbarira, të tilla hatara, thoshnim. Kur më ka vdekur im atë unë isha vetëm katër vjeç. Mbaj mend vetëm emrin e fshatit. Dolan, Dolan, thoshte im atë. Dolani tani marr vesh se qenka një fshat i mrekullueshëm i Filatit në Çamëri. Më shumë nuk mësova dot nga im atë dhe nga nëna. Të gjitha i mësova këtu nga librat që më dha Profesor Hajredini. Herën tjetër patjetër do të shkojmë në Çamëri, në Filat, në Dolan, atje tek rrapi të pimë nga ai uji që na thonë se qenka si ilaç. Tetë ditë kemi që jemi këtu po na duken si tetëqind vjet. Aq të afërt ndihemi me njeri-tjetrin. Jemi të një gjaku. Ngado që kemi shkuar dhe me të gjithë që jemi takuar jemi rrethuar me dashuri. Kemi gjetur gjakun tonë. Sikur kemi lindur këtu, thotë Qamilja me një sinqeritet prekës.
Rrëfimi i Hanifes
Qamilja ka të drejtë. Gjithçka për Çamërinë e kishim dëgjuar atje në Izmir ku jetojmë. Pavarësisht se jemi lindur e rritur në Turqi, asnjëherë nuk e kemi harruar origjinën tonë çame. Të dy prindërit tanë ishin çamë dhe na porosisnin vazhdimisht që të mos e harronim asnjëherë Çamërinë. Tashmë mund të themi me plot gojën se ndihemi krenare që jemi çame dhe shqiptare. Jemi një popull i mrekullueshëm. Profesor Hajredini na ka dhanë gjithë ato libra, na ka dhënë kaseta, CD e DVD me këngë çame (oh sa të mrekullueshme që janë!), na ka dhënë dokumentarë, të cilët na e kanë sjellë të gjallë kujtimin e prindërve tanë, historinë tonë tragjike. Këto të gjitha ne do t’i marrim me vete në Turqi, do t’ua tregojmë fëmijve tanë, të afërmve, gjithë shqiptarëve që nuk u shuhet asnjëherë malli për mëmëdheun…
Më besoni, këto ditë kur kam parë aq shumë fotografi dhe pamje nga Çamëria, kam parë çdo natë në ëndërr Çamërinë, Filatin, Igumenicën, Dolanin. Dhe kam qarë… Ai rrapi i Dolanit qenka i famshëm. Thonë se aty mrizonin 500 kokë dele. Po aty paska dhe një krua me ujë qelibar, ku mbidheshin burrat e fshatit me mustaqe nga një pëllëmbë e kuvendonin hallet e vendit, të kombit shqiptar… Ishin patriotë të mëdhenj ata! Oh, mezi po pres të shkoj në Dolan!
Rrëfimi i Semihut
Semih Oskersen është turk. Është bashkëshorti i Qamiles dhe ka ardhur këto ditë në Shqipëri bashkë me gruan dhe kunatën. Ndihet i befasuar dhe i mrekulluar në të njëjtën kohë nga gjithë ato që ka parë e ka takuar.
Në një moment unë e pyes thuajse pa takt: “Nga jeni?”
Dhe ai hazërxhevap ma kthen:
“Nga fshati gruas”. Jam çam, më thotë. Ai është një turk safi, por me këtë shprehje tregoi se ndihet po aq shqiptar sa edhe gruaja e tij. Ju jap fjalën se do të vimë vit për vit në Shqipëri dhe do të shkojmë në Çamëri, do të vemi në Filat e Dolan, thotë Semihu.
Çështja Çame në Turqi
Tashmë mund të flasim se çështja Çame po fiton një terren të paparë edhe në Turqi. Motrat Qamile dhe Hanife na thonë se do të jenë aktivistet e para të kësaj kauze.
Çamët tashmë janë të organizuar në shoqata politike dhe punojnë shumë, thotë Qamilja. Profesor Hajredini dhe Mehmeti na kanë folur për ‘Aleancën Popullore’ që drejtohet nga një djalë i zoti i Çamërisë, Artur Dojaka. Kemi parë disa veprimtari të kësaj partie që ka bërë në Tiranë, në Durrës, në Fier, Elbasan e Vlorë kohët e fundit dhe jemi ndier krenare me këtë gjallërim të çështjes çame. Ju premtojmë se sa të kthehemi në Turqi do të kemi çfarë të tregojmë dhe përse do të punojmë. Do të punojmë për çështjen çame. Unë kam mbaruar për shkencat politike-juridike dhe kam një rreth mjaft të gjerë njohjesh në Izmir. Le të jemi ne aktivistet e para të Aleancës Popullore të zotit Dojaka në Izmir.
– Sa çamë ka në Izmir? – i pyes unë.
– Janë disa mijëra, më thonë. Bashkë me fëmijët, nipërit dhe mbesat. Shqiptarë janë rreth 800 mijë.
– Janë një milionë shqiptarë në Izmir, korrigjon Ahmeti.
Besoj se pas këtij informacioni, Kryetari i Aleancës Popullore, Artur Dojaka, do të marrë një shtysë të fuqishme për të shkuar dhe takuar bashkatdhetarët çamë në Izmir dhe jo vetëm në Izmir. Është një horizont i ri që shfaqet nga vëllezërit dhe motrat tona të një gjaku në Turqi. Jam i sigurt se kur zoti Dojaka të shkojë në Turqi, do të gjejë një terren të gatshëm për t’i dhënë një përmasë të re çështjes çame.
Largimi
Nesër dy motrat çame, dy zonja nga Izmiri largohen nga Shqipëria. Me vete do të marrin shumë fotografi, mallin e shumë të afërmve që nuk i kishin takuar asnjëherë, do të marrin këngët çame, do të marrin libra, filma… Është një pasuri e tërë që marrin me vete, është një botë e tërë, është vendlindja dhe kushtrimi i të parëve që nuk do t’i lërë asnjëherë të qeta. Zonjat çame të Izmirit do të dinë ta përcjellin mesazhin e duhur. Sepse ato janë nëna dhe amanetin e nënës nuk e tret as dheu. Ashtu si mallin e tyre për Çamërinë.
Kështu pra, ato ikin nesër. Do të marrin me vete mallin e pashuar dhe shumë dashuri për mëmëdheun e të parëve, do të të marrin diellin dhe peizazhet e patjetërsueshme që panë dhe u ringjallën një shpresë të pashuar.
Por zemrën do ta lemë këtu, na thonë. Prandaj dhe nuk themi lamtumirë, por “Mirupafshim!”
2013
Komentet