Zoica Haxho në rolin kryesor në shfaqjen “Cuca e maleve” me koreografi të Agron Aliajt në vitin 1974
Pa ndonjë shtat të lartë, por me mprehtësi teknike, lëvizje tejet artistike, portret sa të hareshëm e sa hijerëndë, Zoica Haxho qe primadonë e pakontestueshme e baletit. Për këtë kur në shfaqjet e Trupës së Baletit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ndaheshin rolet, Haxho në të shumtën e rasteve bartte atë kryesorin. Lajmi për vdekjen e Haxhos është dhënë të dielën. Ajo ishte 91 vjeçe. Për kolegët e saj mbetet një yll baleti zor i përsëritshëm. Kontributi i dhënë në vitet ’70 për Trupën e asokohshme të Baletit është kapitull më vete
Dramaciteti që ajo ofronte, dëshmuar nga pamjet e kohës, bënte që lëvizjet prej balerine të ofronin ndjeshmëri të lartë sa i përket temës që trajtohej. Pa ndonjë shtat të lartë, por me mprehtësi teknike, lëvizje tejet artistike, portret sa të hareshëm e sa hijerëndë, Zoica Haxho qe primadonë e pakontestueshme. E tillë duket edhe në pamjet e shfaqjes “Cuca e maleve” të vitit 1974, kur ajo ishte në rolin e Cucës. Për këtë, kur në shfaqjet e Trupës së Baletit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ndaheshin rolet, Haxho në të shumtin e rasteve bartte rol kryesor. Dhe këtë veç pse, sipas bashkëkohanikëve, e meritonte. E me vdekjen e saj, arti shqiptar ka humbur një prej pioniereve, primadonën e artisten që midis jetës private e karrierës, e dyta i peshonte shumë më rëndë. Lajmi për vdekjen e Haxhos është dhënë të dielën. Ajo ishte 91 vjeçe. Për kolegët e saj mbetet një yll baleti zor i përsëritshëm.
Anëtare e gjeneratës së parë
E lindur më 28 mars të vitit 1933, Zoica Haxho qysh si fëmijë kishte dhënë shenja se do të merrej me art. Shqipëria e dalë nga Lufta e Dytë Botërore synonte që krahas institucioneve të tjera të konsolidonte edhe ato të artit. Trupa e Baletit do të themelohej bashkë me Filharmoninë më 1950, e më 1953 do t’i bashkohej Teatrit të Operës dhe Baletit. Për ta çuar këtë institucion përpara duheshin kuadro profesionale. Në saje të marrëdhënieve të mira midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, Zoica Haxho në vitet ’50 bashkë me një grup të rinjsh, si Agron Aliaj e Ganimet Vendresha, do të studionin në Bashkimin Sovjetik. E më tu kthyer, pos aktiviteteve në Trupën e Baletit, do të hapnin edhe shkollën për këtë art, duke u bërë themeltarët e artit të baletit në Shqipëri.
“Pas kthimit, ajo nuk ishte thjesht një balerinë në TKOB; ajo u bë zemra e skenës, prima balerina që magjepsi publikun për 33 vjet me radhë. Interpretimi i saj i parë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në rolin e Lizës në ‘Kujdesi i kotë’ (1957), ishte veçse fillimi i një karriere brilante”, shkruhet në kujtimin që asaj i ka bërë të dielën TKOB-i.
Aty shkruhet se Haxho krijoi një galeri të mrekullueshme rolesh, duke mishëruar personazhe të paharrueshme si Lola, Fadeta, Hajria, Cuca, Nica, Rina dhe Delina.
“Përmes plastikës, finesës dhe interpretimit të saj unik, ajo i dha shpirt çdo karakteri, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike. 20 premierat ku ajo shkëlqeu janë një testament i klasit të saj, ndërsa brezat që ajo edukoi si pedagoge pasqyrojnë përkushtimin e saj për të ndarë artin dhe vizionin e saj”, shkruhet në kujtimin që ka bërë për të vendi i dikurshëm i punës.
E nderuar me çmime dhe tituj të lartë, sipas TKOB-it, Haxho mbetet një simbol i vlerave të larta artistike dhe shpirtërore. “Përtej titujve dhe medaljeve, ajo mbetet në zemrat e spektatorëve dhe kolegëve si një frymëzim i pashuar. Kujtimi i Zoicës do të mbetet gjithmonë gjallë në çdo hap baleti, në çdo duartrokitje dhe në çdo zemër që e ka parë të performojë”, shkruhet në kujtimin e titulluar “Lamtumirë Zoica Haxho, ylli i përjetshëm i baletit shqiptar”.
Agalliu: “Ajo i ka dhënë baletit sa s’i ka dhënë njëri”
Në arkivin e trashëguar nga kinostudio “Shpëria e Re” ruhen pamjet e shfaqjes së baletit “Cuca e maleve”, tashmë të qasshme edhe online. Nën koreografi të Agron Aliajt, ajo është prej shfaqjeve ku Zoica Haxho ka barrën kryesore. E veshur me kostume të veriut në rolin e Cucës ajo bashkon talentin prej balerine e shkathtësinë për të sjellë në skenë një malësore. Lënë anash mesazhin e shfaqjes ku bajraktarët bashkë me klerin fusnin sherr te punëtorët e tokave të tyre, Haxho shpërfaqet si balerinë me shkathtësi të larta. E tillë edhe përshkruhet nga kolegët e saj.
Koreografi Pullumb Algalliu në atë shfaqje kishte rolin e Nikës. Si i shkolluar për balet në Baku të Azherbajxhanit në kohë kur Shqipëria i takonte bllokut të Lindjes, Agalliu pas arritjes së demokracisë në Shqipëri ia mësyu prapë vendit që ndahet midis Evropës e Azisë. Është koreograf e profesor baleti. Të dielën nëpërmjet një lidhjeje telefonike ai e ka kujtuar Haxhon si një primadonë.
“Ka dhënë shumë. Ajo i ka dhënë baletit sa s’i ka dhënë njëri. Ka qenë balerinë e mrekullueshme në të gjitha drejtimet. Ka pasur zakonisht rolet kryesore dhe i ka bërë me dinjitet”, ka thënë Agalliu.
Ka kujtuar se kur Agron Aliaj kishte nisur të merrej më shumë me koreografi, Haxho në të shumtën e rasteve do të ishte partnere e tij në shfaqje.
“Ka qenë një çik e ashpër, por e ka dashur shumë profesionin. Dembeli nuk ka shumë kërkesa e ajo ka pasur shumë kërkesa. Më vjen keq pasi kohëve të fundit ka qenë pak e harruar. Ajo është monument kulture”, ka thënë Agalliu. Sipas tij, s’ka sa duhet fjalë për të përshkruar kontributin e Haxhos për baletin shqiptar.
“Ka qenë pjesë e grupit të parë dhe këta bënë shkollën e baletit te ne. Kishte një shkallë të lartë dhe ka lënë prapa shumë jetën personale për artin. E tillë ishte”, ka thënë Agalliu, i cili ka bërë koreografinë e disa shfaqjeve të Baletit Kombëtar të Kosovës.
Me “Halilin e Hajrinë” në Prishtinë
Në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, kur marrëdhëniet midis ish-Jugosllavisë dhe asaj që ishte Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ishin relaksuar një grimë, u intensifikua komunikimi kulturor i Kosovës me Shqipërinë.
Ishte vendosur që Trupa e Baletit të Kosovës të realizonte shfaqjen “Halili dhe Hajria”. Koreograf qe caktuar Panajot Kanaqi. Por fillimisht për afro katër muaj në Prishtinë me balerinët do të punonin tre asistentë të Kanaqit: Ganimet Vendresha, Pullumb Agalliu e Zoica Haxho. Ajo periudhë për balerinët nga Kosova nuk ishte thjesht përgatitje e një shfaqjeje, por edhe shkollë më vete.
Balerina Sabrije Spahiu ka treguar se Haxho qe një profesioniste e zonja.
“Ajo e ka luajtur rolin e Rrushes te ‘Halili e Hajria’. Ka pasur një shkathtësi mahnitëse se si luante e si shpjegonte. Ishte një pedagoge e jashtëzakonshme. Kishin ardhur me qëllimin më të mirë që të na ndihmonin shumë e të na përgatisnin teknikisht më mirë”, ka thënë Spahiu. Trupa e Baletit të Kosovës që asokohe funksiononte në kuadër të atij që ishte Teatri Popullor Krahinor, tash Teatri Kombëtar i Kosovës, sfidat nuk i kishte të lehta. E themeluar më 1972 me shfaqje jo aq të shpeshta, kishte nevojë për hap tjetër. E bashkëpunimi me Shqipërinë kishte dhënë efekt.
“Puna e tyre na e dha një vulë për të vazhduar tutje si ansambël. Ishte një grua e jashtëzakonshme dhe e hareshme, pavarësisht rrethanave ku mungonte liria për tu shprehur”, ka kujtuar Spahiu. Midis të tjerash, ka thënë se ajo ishte shumë kërkuese.
“Kur lodheshim dhe thoshim se jemi lodhur, na u drejtonte me humor : ‘Ç’është kjo lodhja?’. Ka qenë shumë kërkuesese. Kërcimi i saj ka qenë i jashtëzakonshëm. Puna e asaj gjenerate është e papërsëritshme. Po e përsëris se ne ishim në formim e sipër dhe kishte shumë dilema për vazhdimësinë tonë. Ajo punë na e dha vulën”, ka thënë Spahiu.
Veprimtaria e Zoica Haxhos ka lënë gjurmë të pashlyeshme në fillet e artit të baletit ndër shqiptarë. Jo veç në Shqipëri, por edhe në Kosovë. E profesionaliteti i saj prej primadone ngelet shembull. Prej atyre që nuk i zbeh koha. Koha