Nga Keze Kozeta Zylo
Atdhe, Zoti im,
Edhe pse larg, vetëm tek ty përkundem me ninulla,
Në të vetmin djep me shqiponjë gdhendur,
Me emrin Kosovë, me emrin Shqipëri!
Në mjediset e Qendrës “Illyria” në Bronx siguruar nga z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit’, mësuesit, nxënësit dhe prindërit e Shkollave Shqipe “Alba Life” në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe në Online mirëpritën me plot respekt dhe dashuri ZV/Kryeministren, Ministren e Jashtme dhe të Diasporës, znj.Donika Gërvalla e cila kishte shprehur dëshirën për t’u takuar në Shkollën Shqipe në Bronx.
Zonja Gërvalla është e bija e Jusuf Gërvallës, poet, muzikant dhe gazetar kulturor, si dhe disident i regjimit të Titos. Në vitin 1980, u detyrua të arratisej në Gjermani, pas dy vjetesh në janar 1982, shërbimi i fshehtë jugosllav do t’i vriste të atin, xhaxhain, Bardhosh Gërvalla, si dhe shokun e tyre, Kadri Zekën.
Znj.Gërvalla ishte e shoqëruar nga znj.Liza Gashi zv/ministre në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shefi i kabinetit z. Sharr Jakupi si dhe nga anëtaret e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në New York si z.Lulzim Krasniqi dhe znj.Teuta Hyseni.
Në hyrje të qendrës “Illyria” Zonjës Donika Gërvalla iu dhura një buqetë me lule nga nxënësja e talentuar e shkollës Simelba Xhaferri. Zonja Gërvalla u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit në klasë. Më duhet të shtoj këtu, ndonëse të gjitha shkollat Shqipe “Alba Life” në New York ishin në javën e pushimeve të pranverës, përsëri ata që kishin mundësi dhe nuk kishin ikur me pushim jashtë Nju Jorkut morën pjesë në nderim dhe respekt të Kosovës sonë martire.
Z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i shkollave Shqipe “Alba Life” në emër të bordit dhe të stafit të mësuesëve i uroi mirëseardhjen znj.Donika Gërvalla dhe përshëndeti gjithë të pranishmit. Ai bëri një paraqitje të shkurtër të themelimit të shkollave shqipe, punës së mësuesëve, prindërve dhe nxënësve. Puna me shkollat shqipe në Diasporë nuk ka qenë e lehtë, pasi mësimi i gjuhës shqipe bëhet pas programit të mësimit në shkollat amerkane, por në bashkëpunim të ngushtë me koordinatorët, mësuesit dhe gjithë prindërit kemi qenë të suksesshëm. Mësuesit punojnë profesionalisht dhe kanë ditur të sjellin përvojën e tyre të mësimdhënies duke e ushtruar me metodat bashkëkohore dhe frytdhënëse.
Shkolla Shqipe “Alba Life” nuk e ndërpreu asnjëherë mësimin gjatë dy vjetëve të pandemisë, por ishte e para që hapi klasa në Online, program që iu bashkuan shkollat në Chicago, Halifax në Kanada si dhe nxënës nga vende të ndryshme të botës.
ZV/Kryeministrja, Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës znj.Gërvalla i
përshëndeti të gjithë të pranishmit plot përzemërsi dhe i falënderoi për mikpritjen. Ajo falënderoi themeluesit dhe drejtuesin Zylo, gjithë mësuesit, koordinatorët, prindërit dhe nxënësit që vinin në shkollë për të mësuar Gjuhën Shqipe, që aq shumë sakrifikuan të parët tanë për ta ruajtur Gjuhën tonë të shenjtë. Zonja Gërvalla e njihte mirë Diasporën, problemet e ndryshme që ajo has gjatë rrugës, shkollat shqipe etj. duke sjellë shembull vecanërisht me Gjermaninë në të cilën ka jetuar. Prindërit në radhë të parë duhet t’ju mësojnë fëmijëve gjuhën e nënës, t’i edukojnë me dashurinë për Atdheun në bashkëpunim me mësuesit dhe shkollat. Zonja Gërvalla solli shembull me bijën e saj Nora dhe kujdesin që duhet të kemi si mësues në ushtrimin e metodave të mësimdhënies sa më efikase, sa më të kuptueshme për nxënësit, pasi dihet që fëmijët e lindur dhe rritur jashtë trojeve e kanë më të vështirë mësimin e Gjuhës Shqipe. Duke bashkërenduar punët, doemos që rezultatet do të jenë më të dukshme. Me thjeshtësinë që e karakterizon ajo tha se pres propozime konkrete nga ju dhe si ta përmirësojmë punën me shkollat shqipe në Diasporë.
Diskutuan dhe dhanë mendime të vyera si Dr.Manjola Duli, mësuese Majlinda Tafaj dhe z.Jojo Luncaj, prind.
Në këtë takim disktuoi znj.Liza Gashi zv/ministre në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Zonja Gashi foli për lidhjet e ngushta që duhet të krijohen midis shkollave shqipe në Diasporë dhe programet unike që duhet të kenë në dispozicion mësuesit.
Pas diskutimeve nxënësit dhanë një program të shkurtër artistik ku kori këndoi këngën: Gjuha Shqipe, Gjuha Jonë, nxënësi excellent Jozef Juncaj intepretoi himnin e Flamurit Kombëtar, Arelt Xhaferri një nxënës që premton shumë për të ardhmen intepretoi poezi për Kosovën. Programi u mbyll me valltarët e shkollës të cilët intepretuan vallen e famshme të Tropojes nën kujdesin e mësuese Tafaj.
Ishte një ditë e bukur, e këndshme më thanë plot kënaqësi nxënësit, prindërit, koordinatoret mësuesit si Xhaferri, Duli, Tafaj, Hasanaj, Topollaj, duke folur fjalë miradie për ministren dhe ekipin e saj që e shoqëronte, ata shprehën mirënjohjen dhe shpresuan se do të realizohen disa projekte në lidhje me shkollën Shqipe “Alba Life”, New York.
U ndamë duke i uruar punë të mbarë në Kosovë dhe mirë ardhshi përsëri.
Së shpejti do të sjellim kronikën e përgatitur nga TV “Alba Life” filmuar nga
Elton Xhaferri bashkëpunëtor.
23 Prill, 2022
Staten Island, New York
Komentet