Ku është udhëheqësi i Koresë së Veriut? Përse është zhdukur prej dy javësh? Duket se të gjithë duan të dinë, por askush nuk ka një përgjigje definitive.
Disa zëra thonë se zoti Kim ka ndrydhur këmbën, të tjerë thonë se ka probleme veshkash, apo se ka pësuar probleme gjatë operacionit në zemër. Ka zëra se ai është mbyllur për t’u mbrojtur nga koronavirusi, të tjerë thonë se ka pësuar lëndime gjatë një testimi të dështuar me raketë.
Sipas thashethemeve, ai është në koma për momentin; ka të tjerë që thonë se ai ka vdekur. Ka edhe njerëz që thonë se e kanë parë në qytetin bregdetar Wonsan ku ka një rezidencë pushimi.
Revista sensacionale si dhe grupe serioze mediatike kanë botuar hamendësi të ndryshme, asnjë prej tyre të konfirmuara.
E vetmja gjë e konfirmuar është se Kim Jong Un u pa për herë të fundit më 11 prill në një mbledhje të partisë.
Shpërthejnë thashethemet
Thashethemet filluan pasi 36-vjeçari Kim, i cili pi duhan rëndë dhe vuan nga probleme të shumta shëndetësore, nuk u pa në festimet e 15 prillit për gjyshin e tij, themelues i shtetit komunist të Koresë së Veriut.
Daily NK, një grup mediatik dixhital në Seul, citoi javën e kaluar një burim anonim sipas të cilit ai i ishte nënshtruar operacionit në zemër më 12 prill dhe po pushonte në një vilë pranë Phenianit.
Po atë ditë CNN citoi zyrtarë amerikanë në kushte anonimiteti, sipas të cilëve të dhënat e zbulimit çojnë në përfundimin se Kim është “në rrezik të madh”.
Të shtunën, TMZ, një grup mediatik sensacional që bazohet në thashetheme mbi figurat publike, njoftoi se Kim kishte vdekur. Njoftimi u pasua nga shaka të shumta në internet në kurriz të udhëheqësit koreano-verior.
Heshtje nga Koreja e Veriut
Koreja e Veriut nuk u është përgjigjur thashethemeve. Media shtetërore ka raportuar, por pa transmetuar pamje, se zoti Kim vazhdon punën zyrtare.
Disa vëzhgues thonë se fakti që Koreja e Veriut nuk është përgjigjur ndërkohë që thashethemet ziejnë, tregon se udhëheqësi koreano-verior është shumë i sëmurë ose ka vdekur.
“Nuk di gjë konkrte, por do të shokohesha nëse nuk është ose i sëmurë rëndë, ose ka vdekur,” tha Senatori republikan Lindsey Graham në një intervistë të dielën me Fox News. “Përndryshe, thashetheme të tilla nuk mund të vazhdonin pa marrë përgjigje”.
Rachel Minyoung Lee, analiste në Seul, e sheh ndryshe situatën:
“Koreja e Veriut nuk reagon ndaj thashethemeve për shëndetin e udhëheqësit”.
Për shembull në 2014, Kim Jong Un u zhduk për 41 ditë. Koreja e Veriut nuk reagoi zyrtarisht ndaj thashethemeve. Kur Kim u rishfaq, ai ecte me shkop. Media shtetërore raportoi tangent se ai “kishte pasur shqetësime” pa dhënë shpjegime.
Në gjurmë të informacionit
Media shtetërore koreano-veriore nuk ka folur direkt për gjendjen shëndetësore të Kim Jong Unit, por ka raportuar se ai u ka dërguar mesazhe personale udhëheqësve botërorë.
Koreja e Jugut u është kundërpërgjigjur thashethemeve. Ministri për Ribashkimin, Kim Yeon-chul, i cili kryeson marrëdhëniet me Phenianin, thotë se informacioni i zbulimit koreano-jugor tregon se “nuk ka aktivitet të pazakontë” në Korenë e Veriut.
“Qëndrimi i qeverisë sonë mbetet i pandryshuar: Kim Jong Un është shëndoshë e mirë. Ka qëndruar në Wonsan që nga 13 prilli. Deri tani nuk janë parë lëvizje të pazakonta,” thotë Moon Chung-in, këshilltar i presidentit koreano-jugor.
Imazhe satelitore tregojnë një tren që mendohet se përdoret nga zoti Kim, të ndalur në zonën e Wonsanit pranë vilës së udhëheqësit, sipas “38 North”, një grup që ndjek zhvillimet në Korenë e Veriut.
Ka pasur gjithashtu zëra se në kryeqytetin koreano-verior ka pasur blerje intensive dhe një situatë paniku për disa ditë, veçanërisht blerje artikujsh për dizinfektim dhe ushqime të importuara.
Sipas një burimi në Phenian, i cili foli me Zërin e Amerikës, shtimi i blerjeve u shfaq të hënën e kaluar.
Megjithatë këto zhvillime mund të mos kenë lidhje me shëndetin e zotit Kim, por me forcimin e masave të izolimit në përgjigje të koronavirusit. Koreja e Veriut këmbëngul se në territorin e saj nuk ka raste me koronavirus, por ekspertët këmbëngulin se kjo është e pamundur.
Nuk është e qartë nëse thashethemet për shëndetin e Kim Jong Unit po qarkullojnë në vetë popullatën e Koresë së Veriut, një ndër shoqëritë më të izoluara në botë, ku zbatohet një censurë ekstreme.
Ekspertët këshillojnë maturi
Pa konfirmim nga Pheniani, shumë vëzhgues të zhvillimeve në Korenë e Veriut paralajmërojnë që të mos kalohet në përfundime të pabaza.
“Gjatë viteve ka pasur plot informata falso për probleme shëndeti të Kim Jong Unit, babait apo gjyshit të tij,” thotë Bruce Klingner, analist për Korenë e Veirut në Fondacionin “Heritage”.
“Kim Jong Uni mund të jetë në prag të infarktit në zemër, por deri tani nuk kemi prova konkrete se ai është drejt fundit”.
Andray Abrahamian, që studion zhvillimet politike në Korenë e Veriut si analist në grupin studimor Pacific Forum në Havai, thotë se në rastin e këtij vendi “kërkesa për informacion është shumë e madhe, por oferta nga Koreja e Veriut është shumë e vogël”.
“Ka ndodhur gjë këtë muaj që mund të ketë prekur shëndetin e Kim Jong Unit? Ndoshta. Dimë ne gjë? Jo! Ka plot spekulime që janë shndërruar në një furtunë thashethemesh, të përsëritura e të ekzagjeruara,” thotë analisti Abrahamian.
Komentet