Dje u paralajmërua se tek Opinion i Blendi Fevziut do të jepej një lajm bombë. Për këtë lajm u parafol në intervistën që Blendi pati me Lulzim Bashën një javë më parë.
Fjala ishte për një intervistë të re të gazetarit Basir Çollaku me ish-oficerin e antidrogës tash i marrë në mbrojtje nga një vend europian. Është e dyta intervistë e Basir Çollakut me Dritan Zaganin, kësaj here jo në Shqipëri, por në vendin ku ish-oficeri ka gjetur mbrojtje dhe strehim për familjen.
Çështja Zagani tash i ka kaluar kufijtë kombëtarë. Shtypi në Itali ka shprehur dyshime rreth implikimeve të diplomatëve italianë me shërbim në Shqipëri. Ndërsa pretendimi i palës shqiptare se Zagani është në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli është pothuaj spekulim, pasi është vetë Interpol Tirana që e kërkon Zaganin nën akuzën « për thyerje të vendimit të gjykatës për arrestin shtëpiak».
Intervista e parë e Zaganit u dha një pjesë e pastaj censurua nga News24 dhe gazetari Basir Çollaku është shprehur haptas se pas kësaj interviste nuk shihet me sy të mirë nga shteti. Edhe për mediat është nongrata. Për këtë flet qartë fakti se për të shfaqur intervistën e tij të dytë me Zaganin ndërhyri publikisht Lulzim Basha live tek Blendi Fevziu. Në dukje u pa se Blendi Fevziu e pranoi pa asnjë hezitim sepse lideri i opozitës i akuzoi direkt mediat. Por tek TVKlan pronar është dikush tjetër.
Kur Blendi Fevziu paraqiti panelin e gazetarëve, ku merrnin pjesë veç Basir Çollakut, edhe Robert Rakipllari, Artur Zheji dhe Preç Zogaj u pa se diçka nuk shkonte.
Që në prezantim u krijua shija se intervista do të kishte zhurmues. Gjë që u vërtetua, kur, posa u dha pjesa e parë, e një interviste të ndarë në 11 pjesë, filluan menjëherë komentet e pjestarëve të panelit. As gazeta Panorama dhe as gazeta Mapo, ku këta zotërinj janë drejtues, nuk kanë ndërmarrë asnjë hetim investigativ për të zbardhur të vërtetën e Zaganit. Vetëm në këtë rast, Rakipllari dhe Zheji do të mund të justifikonin pjesëmarrjen në panel. Dukej qartë se Blendi Fevziu ka mbajtur qendrim oportunist, ashtu si mban gjithmonë, që ta ketë mirë me të gjitha palët, sepse vetëm kështu mund t’i mbijetojë mizerabilitetit që ekziston në Shqipëri.
Përballë intervistës të Dritan Zaganit u përdorën si zhurmues llapllapjet e opinionistëve, kur do të mjaftohej që Blendi Feviu të kishte thirrur në studio vetëm Basir Çollakun dhe kaq. Komentet e tyre Rakipllari dhe Zheji t’i bënin nëpër gazetat e tyre. Por gjithmonë me një deficit moral sepse gazetat e tyre kanë marrë rolin e shurdh-memecit në raport me të vërtetën.
Ne telespektatorët që prisnim intervistën dhe në vend të saj ishim të detyruar të dëgjonim se çfarë thoshte Zheji apo Rakipllari, e kuptuam që diçka nuk shkonte. Stile të vjetra. Kjo situatë me interferime pa asnjë rol, ia cënonte Blendi Fevziut integritetin e emisionit kur ai do të duhej të udhëhiqte një emision fair.
Dhe ishte shumë i drejtë reagimi i Zirkon Dishës, njëri nga drejtuesit e lëvizjes Zgjohu dhe organizatorët kryesorë të mbledhjes së firmave kundër Fullanit që i dërgoi drejtuesit të Opinion këtë mesazh: “Zoti Fevziu: Ndërro analistët që u lodhën, nëse duan të ndërrohen. Ose le të ikin pasi emisioni duhet të vazhdojë sipas premtimit. Mostransmetimi i plotë rrezikon jetën e gazetarit Basir Çollaku, gjithashtu është joetike, ky nuk është “SHOW” por emision me bazë investigative”! Blendi Fevziu si një gazetar me eksperiencë, e di fort mirë dallimin midis një Show dhe një interviste investigative.
U duk qartë se Fevziu po përdorte një truk. Ky ishte qëllimi, që të lodhej dhe të shpërqëndrohej opinioni nga intervista.
Blendi Fevziu i iku detyrës së tij si gazetar. Ai duhej të krijonte kushte optimale që intervista të jepej e plotë. Edhe nëse ishte e ndarë në 11 pjesë. Ato duhej të jepeshin njëra pas tjetrës. Të dëgjohej i gjithë versioni i ish-oficerit të antidrogës Dritan Zaganit. Ta dëgjonte opinioni publik intervistën e Zaganit. Opinioni publik nuk kishte nevojë fare të dëgjonte të ftuarit e panelit të Fevziut.
Sa për dëshmitë e ish-oficerit të antidrogës, nëse versioni i Zaganit është i vërtetë ose jo, po investigojnë organizmat kompetente. Për këtë po hetohet. Po heton edhe Italia. Por mediat duhet të bëjnë një mbulim të pastër, jo të marrin rolin e zhurmuesit!
Sepse zhurmuesi tek Opinioni foli në favor të Zaganit.

Komentet