JETA DHE VDEKJA
Nuk e pa ma diellin tue u luhatë në valëzat e lehta të lumit të gjanë; e kishin mëshefë mbas shpinës së tyne kodrat, përmoi të cilat qielli ishte i shkarravitun pa kurrëfarë lidhje, si prej dorës së përlyeme të fëmisë, me ngjyrë të kuqe, të cilën ai mandej mundohet me e fshi ngutshëm, tinëz nanës. Ktheu kryet dhe zu të kundrojë lëvizjet e gjalla të peshqve të vegjël, të cilët bridhshin papra bregut atypari, rreth kambëve të tij të zhytuna n’ujin e kthjellët që pranë bregut asht i vokët dhe gati i palëvizshëm. Për çdo mbramje ia kishte anda me ardhë e me i llapërçitë kambët në lum, me soditë syprinën e tij që zhubravitet vetem prej ndonji peshku që këcen, përhidhet dreqnisht n’ajër e, tue i vetue luspat e barkut, përdridhet edhe nja dy a tri herë, rrëxohet dhe zhytet n’ujë ku, në fillim, sajohen shum valëza të vogla që shkojnë lehtas tue u përhapë ngadalë kah bregu. Kjo lojë i pëlqente. Lojë e valëzave të qeta. Dhe, sa herë që rrin ulë në vendin e tij të zakonshëm, këtu, aty pak ma poshtë burimit të cemtë, shikimi i tij ndalet gjithmonë tue shetitë nëpër to, prej valëzës në valëz, në krahnorët e të cilave dridhet, përkundet andshëm si me dashtë me ra me fjetë dielli që, ashtu si shef ky, i duket se asht tue u kotë. N’ato çaste i duket se pushon. Si foshnjë. Si fëmi. Dhe- ate përherë ia ka pasë anda me e pa. Ashtu të çkujdesun. Tue ndejtë lirisht. Të qetë.
Por, kështu ndodh kur asht mot i mirë, si ky që asht tue zgjatë sa ditë, sa kohë. E kaherë ka që nuk i ka ndodhë mos me e pa. Vetëm njiherë i ndodhi. Atëherë kur lumi i ishte dukë si ndonji rrugaç që thyen e vjedh çdo gja që sheh përpara … Atëherë kishte qenë mëngjez. Të gjithë grepat i kishte pasë lëshue me zanë peshq. Kudo përreth kishte ra në pre një heshtje e randë, të cilën mezi mundnin me e përtypë gjelat me kikirimën e tyne. Kishte pasë zgjedhë barkën e tij për me lundrue në lumin që i dukej se rridhte qetësisht, ndërsa atje larg, si këlbaza të mëdha, shiheshin vransinat që ishin turrë me kaplue qiellin. N’at çast i kishte ra ndërmend se, në mbramje, ia kishte pasë qëllue shum bukur se moti do të vërshonte e të mirrte tanë fushën- edhe pse gati të gjithë tjerët kishin pasë profetizue mot të mirë. Prap e kishte lidhë barkën në vendin e saj dhe ishte ulë pranë grepave e, tue shikue syprinën e lumit që kishte marrë nji ngjyrë të mbyllët, mbështuell cigaren.
Grepat nuk lëviznin vendi që kishte qenë gjithmonë i pasun me ta, kishte ndie se si në dorë e kishte pasë lagë nji pikë e madhe shiu. Ajo ishte përhapë nëpër lëkurën e dorës së tij, dhe ky ishte pasë mbetë tue shikue me nji buazëqeshje disi të pakuptimtë. Mandej kishte pa nji pe të hollë zjarri tue gjarpnue nëpër qiell. Mbas saj ishte ndëgjue nji murmurimë e gjatë, së pari e fortë, shum e fortë, që kishte ardhë tue u zvoglue, fashitë. Dhe, prap-heshtje e zapllueshme, të cilën kaherë nuk e kishte pasë ndie aq të randë. I dukej se ajri ishte rrallue. E përreth, ishte terrinë. Ndëgjonte ma thekshëm zhumhurin e valëve kah rrahshin barkën e tij, që puthte bregun orë e çast. Edhe grepat luejshin me ujin, ose ma mirë me thanë, uji me ta. Dhe kishte vështrue: vendi i dukej si i shkretë dhe nuk mundej me pa tjetër, përveç nji kalorsi që e diktoi tue ardhë Xhadës së Madhe. Ishte i krrusun dhe, këtij, n’çast, ia kishte pasë marrë mendja se ai ishte i plaguem.i kishte dalë përpara me e pyetë se prej nga vinte ashtu, por ai i kishte thanë se duhej të shkonte nalt, atje te Lugu i Karcejve.
Atje lumi me siguri kishte dalë prej shtratit të vet. Kishte gufue. Dhe ndjeu disi, në shpirt, njifarë parandjenje të zymtë, e cila e kishte përshkue nëpër tanë trupin e tij. Tash i dhimbeshin njerzit që ndodheshin atje, te Lugu i Karcejve, tue u mundue me e ndalë, me e vu për shtrat të vet lumin që vinte gjithnji e ma tepër, shum e ma shum, tue u trazue, tue ardhë ma i trubullt. Grepat i muerën valët dhe ky, për nji çast, mbeti tue shikue kah tretshin teposhtë. Barka ishte plot me ujë, kurse përskaj shavarit të madh syni i zu në diçka të pajetë, që notonte nëpër lum. I ra përreth, zdathi opingat, përvoli pantollonat deri në gjujë, hyni n’ujin e shqetësuem dhe dora i ndeshi në trupin e nji ushtari të vdekun. E tërhoq në breg. Ky nuk kishte pa kurr aso petkash ushtarake. Ushtarët që kishte pa në qytet kishin rrobe e kapele tjera. Në gjoks kishte pasë nji pllakë me disa shkronja dhe fjalë të nji gjuhe të huej, kurse në brez të ngjeshun këllëfin e thatë të revoles. Kishte pasë edhe çizme të mira. Njiherë i kishte shkue mendja ma ia marrë, por menjiherë i ishin kujtue fjalët e babës që i kishte thanë se asht keq me marrë gja prej të vdekunit. Padashas, fare padashas për ku me dijtë se çka i shpëtoi dora dhe shtyni ushtarin e huej, i cili në setër kishte nji medalje që në të vërtetë ishte njifarë kryqi si i thyem. Valët e kapën, e rrëmbyen ushtarin e huej dhe shkonin tue e shty përpara. Ky e shikonte at trup që gjithnji e ma tepër zvogëlohej në sy, pa dijtë mirë se pse u tregue aq i ftohtë ndaj tij dhe ma në fund nuk e nxuer në breg. Shum pak ia trazoi ndiesit ai trup i atij ushtari të huej. Dhe, në heshtje, ia kishte kthye shpinën. Ishte ulë pranë barkës, përskaj të cilës notonte nji tra. Prej blozës, me të cilën ishte e përlyeme, ia muer mendja se ishte i kulmit të ndonji shtëpije. Mandej mbi valë pa edhe nji derë. Dikur edhe nji shtrat. U shtang. Për bri barkës u përplas nji trup fëmije. Këte nuk e kishte pa deri më tash. I ishte dukë se kishte pasë gufue prej mbrendësisë së valëve. Hyni n’ujë deri në shokë, e muer fëminë, e lëshoi në breg dhe u ndal tue e shikue. S’e njihte. Në sytë e tij shikoi diçka si të fikun me zor. Kjo gja e pikëlloi. Dhe muer kupinin, rrëmihu me te dheun dhe e vorrosi aty, në breg. Kur e lëshoi plisin e mbramë mbi vorr, i iku shikimi plot troha pikllimi andej kah lumi, ku pa nji herë nji, mandej dy, dikur tre e, në fund, shum trupna njerëzish … Nxue njenin, mnadej tjetrin, nxuer shumë … dhe nisi me i vorrosë. Vorrosi nji, dy, tre … U lodh. Tanë trupi i dhimbte. Por vorroste edhe ma, derisa iu thye kupini.
Tash trupi edhe me dashtë, s’kishte me çka me rrëmihë dheun. Prandej u shtri. Shiu binte papra. Ndëgjonte hukamën e egër të lumit, kah i cili nuk ndiente ma kurrfarë vullneti me shikue. E dinte se nëpër valët e tij notonin njerëz, njerëz të vdekun. Edhe shum e shum ushtarë të huej. Edhe pjesë t’orendive të shtëpijave, dyer, duer të thyeme dhe çkamos. Por, lumi i sillej papra para sysh. Ate nuk e kishte pa kurr t’atillë. E, pra, përherë ishte frigue se nji ditë do ta shihte ashtu. Të çmendun. Me të vërtetë, kishte pasë mendue, pse katundi nuk kishte ndreqë nji pendë të fortë? Mendët i kishte te Lugu i Karcejve. Ku me dijtë se çfarë mundimesh heqin njerzit atje, ku me dijtë! Ky, i shtrimë në ranë, i lagun qull vetëm e mirrte me mend se çka ndodhte atje. Mendonte: sikur ta dijnë njerëzit, qysh tash do t’ia nisnin me ndërtue nji pendë të fortë edhe pse asht stuhi. I dukej se, mu atëherë, ishte çasti për nji punë të këtillë, sepse njerëzit me sy, me veshë e me shpirt shihnin dhe provonin shkumën e idhët të valëve të lumit të tërbuem. Dhe n’atë egërsi të tij, ky mendonte se duhej të ndërtohej penda. Mendonte, mandej, se me këtë mendim ndoshta bante nji perjashtim të rrallë. Por, e dinte se mashtrohej. Nuk ishte vetëm. Për këtë ishte i sigurt. Por, ia kishte anda me mendue kështu për veti: se ishte i pari. E, sikur të ndodhej atëherë atje dikund në Lugun e Karcejve, menjiherë kishte me u thanë njerëzve me e ndreqë pendën. Ndoshta kishin me e shpallë të marrë? Në këtë dyshoi. Sepse ky do t’u thoshte: burra, tash sa jemi tue u përpjekë me dëbue ujin prej arave e fushës sonë, tash, pra, ta ndreqim pendën! Me nji rrugë dy punë! Të bajmë kështu, që të mos kthehet kurr ma ujë me shkretnue gjallnin tonë!… Mandej do të buzëqeshte kur do ta pyetshin- se me çka me e ndërtue at pendë të fuqishme? O, këtu tash i ishte dukë se ishte lehtë me i bindë se penda e bukur dhe shum e fortë do të bahej sikur në themelin e saj të përdoreshin gurët, shkambijt e shkëputun prej maleve. Buzëqeshi: sikur të bajmë kështu! Por, ndoshta, edhe bajnë, more bablok-kishte pasë mendue atëhere i shtrimë në ranë, i lodhun prej vorrimit të trupava të njerëzve. Por, lodhjen dhe të gjitha mendimet tjera në atë çast ia kishte zëvendësue dëshira me dijtë se sa vorreza kishte ba, sepse as vetë nuk e dinte se sa ishin ato që i kishte çelë me kupin … Atëherë i ra ndërmend trupi i fëmisë. U trishtue. Iu kujtue, mandej, edhe trupi i ushtarit me petka të çuditshme, me këllef të zbrazët në brez e me medaljen e kryqit në setër, të cilën e shtypin duert e valëve. Tash fëmija ishte në vorr, pranë tij, kurse ushtari ku me dijtë se ku-ishte zhdukë moti prej syprinës së lumit. Buzëqeshja e fëmisë nuk e linte me u kotë, kurse hija e shkueme e ushtarit të huej e qetsonte . ajo e solli atë buzëqeshje të fëmisë. E ate lumi i çmendun, zhumhuri i të cilit e kishte pasë lodhë. Të tanë: në mbarë trupin, në veshë, në sy. Dhe, atbotë, këlkatset i ishin lëshue … I kujtohej se e kishin pasë zgjue prej kllapisë së randë disa zane, disa jehona çekajsh të mëdhyenj, njifarë zhurme. E kur kishte pasë çue kryet, të cilin e kishte ndie të randë, kishte pa njerëzit tue punue diçka: zbardhonte nji themel i gjatë dhe i trashë, zbardhonin dy themele nga të dyja anët e lumit. Pranë tyne: gurë, shkambij. Asi gurësh e shkambijsh për të cilët kishte mendue se ishin shum të mirë për ndërtimin e pendës. Por, për këtë gja nuk donte me u çuditë. I dukej punë e natyrshme. Ishte çue. Kishte pa se barka e tij ishte e lidhun ende në vendin e saj të zakonshëm, por me brij të thyem prej valëve t’ujit. Kurrgja, kishte mendue, kurrgja s’asht kjo, kam duert dhe mundem me e ndreqë! Mandej ishte ulë në vendin e vet, aty pak ma poshtë burimit të cemtë, uji i të cilit ishte ma i kthjellët se përpara. Aty kishte mbetë tue shikue ato muret e gjata, që shkojshin gjithkah, kah gjarpnonte lumi. Ai lum tash, mendonte, nuk do të mundet me dalë ma prej shtratit të vet do të jemi të qetë prej tij! Në heshtje shikonte syprinën e lumit, të cilën prap kishin pasë fillue me e xiglue peshqit e vegjël, të cilët sikur sonte, bredhshin pranë kambëve të tij të zhytun n’ujë.
KITARA
Zemra ime vallëzon vetëm atëherë kur dëgjon titrimin e telave të kitarës. Vetëm shpatat e zërit të saj mund ta copëtojnë brengën dhe t´ua falin flatrave të harresës. Po, vetëm kitara, kjo kitarë që rri përpara meje e varur aty në mur, mundet.
Edhe pse tash frik jam mësuar të luaj me telat e saj, kitara ime lëshon zëra që, duke u ngatërruar ndërmjet vete, krijojnë jone, për mua shumë të hareshme. Vetëm për mua! Them vetëm për mua, sepse tingujt e saj janë shumë të çuditshëm. Nuk mund t´i kuptojë, ose nuk do t´i kuptojë, gjithkush: qajnë kur duhet të gëzohen, gëzohen kur duhet të qajnë.
Si tash më kujtohet vaji i vashës, që m´u lut t´ia këndoj një këngë. Pranova. Mora kitaren në duar. U ula pranë dritarës, duke shikuar në qiellin e natës, i cili, nëpër dritaren time, dukej katërkëndësh me fillim, por pa fund. Pëlqeva telat dhe gishtat e mi zunë të luajnë nëpër to. Tingujt e kitarës përcillnin fjalët e këngës për Hënën e dashuruar në një yll që tradhtoi Diellin, i cili, zemëruar pamasë, shkreu që ta shëmtojë përgjithmonë fytyrën e Pabesës.
-Pse t´u mbush mendja ta këndosh këtë këngë?-pyeti ajo dhe sytë ia mbytën bulzat e lotëve që i gufonin pajada.
Rrudha krahët. Rrudha edhe ballin. Nuk dita ç´t´i them. Dita, por diçka më lidhi në fyt.
-Po pse, pse po loton?-dëgjova pyetjen mbasi doli prej gojës sime.
-Si…pse?!-tha ajo duke u munduar për t´i ndalë lotët, që i rridhnin nëpër faqe.
-Si, të lutem, si ka mundur Dielli të bëhet aq mizor…
-Mizor?!
-Po, po!-tha ajo””Si ka mundur të bëhet aq mizor ndaj Hënës, e cila për çdo mbrëmje del për ta stolisur lumin tonë me shtyllën e artë të rrezeve të veta?
-Shtylla e artë e Hënës?
-S´është e Hënës.
-Po e kujt është?
-Fol sa të duash, por ti s´je duke prekur telin e solit?
-Unë?
-Ti, pra. Të Pabesës…-thashë dhe u ndala. Mendimin, që desha t´ia them asaj, e përtypa në heshtje.
Më shikonte. Pesha e shikimit të saj, që më kaploi, ishte tepër e rëndë. Ishte e rëndë sa s´bëhet.
-Mirë, mirë!-thashë.
Preka telat e kitarës sime. U krijuan tinguj që s´kishin lidhje me njëri tjetrin.
-A di çka,-tha ajo,-ta lëmë Hënën.
-Ta lëmë, nëse na lë.
-Mos u tall!
-Nuk po tallem.
-Atëherë, pra, jipja këngës për sumllën e djersës!
-Për sumllën e djersës, pa të cilën nuk mbin as therra për gardhiqe?
-Po, ke të drejtë.
-S´dua!
-Pse?
-S´dua t´ia them asaj kënge, sepse është e dhimbshme.
-Ani që është e dhimbshme, ani.
-Por ti s´e merr vesh!
-Si nuk e marr vesh!-tha ajo.-Vëllaut tim të vogël ia shoh sumllën e djersës sa herë që mundohet ta gënjejë nënën…
-Eh…-thashë unë.
Një e qeshur, për mua fare e pakuptimtë, shpërtheu në gojën e saj. Ishte aq therrëse dhe e padurueshme, sa mua më hypi gjaku në krye.
Shikova nëpër dritare: m´u duk se një yll kishte zbritur dhe tashti ishte mu përpara syve të mi. Çova dorën dhe mora hov: desha ta thej kitarën në njërën këmbë të atij ylli. Por, sjellja shkoi kot: ylli ishte larg, atje lart duke hequr valle me shokët e vet.
-Ha, ha,ha!-dëgjohej e qeshura e saj.
Mora kitaren. Drodha një tel. I thashë:
-Për ty, për lëkurën tënde pa asnjë pore!
Ndali të qeshurit. Më shikoi me ballë të mrrolur. Drodha të gjashtë tela e i thashë:
-Për ty, për ty që m´je tingull i pazëshëm!
-Paska tinguj të pazëshëm?
-Ja, paska!
Brofi në këmbë. Bëri një hap dhe u ndal përpara meje.
-Shiko veten, o i mjerë!-tha ajo.
-O gjuetar i ëndrrave, a s´po sheh se je krejt lakuriq!
-Unë?
-Ti, ti…A s´po sheh se ke mbetur lakuriq?…A s´po sheh se kitara të solli në këtë ditë të zezë?…Hidhe atë kitarë e mos rri kështu lakuriq, se do të bëhesh gazi i botës…
Zonjusha Vulë lëvizi vendit. Megjithatë, shtrëngova kitarën. Kitara u dalldis. Kurse ajo u mrrol edhe më shumë. Dikur fluturoi jashtë, duke mbyllur derën me forcë.
Mbeta vetëm unë, kitara dhe tingujt e saj magjikë që përpiqeshin për ta zhdavaritur rrapëllimën e derës së mbyllur…
Shkurt, 1957
LËKURA E VERDHË E LIMONIT
1.
Pushoi së menduari për diellin dhe rrezet e tij, që përvidhen nëpër dritare. Dielli dhe rrezet prânë së zgjuari te kjo ato ndjesi që gjithmonë e shtyjnë të mendojë për bukurinë e madhështinë e tyre. Ato, tashti, iu duken të rëndomta. E për gjëra të rëndomta kishte vendosur disa here të mos e vriste mendjen.
Shumë, shumë herë e qortonte veten, kur jipej mbas gjërave të imta.
Dëshira e saj ishte të përjetonte ngjarje të mëdha. E kjo, edhe pse e vogël, shumë e vogël, e dinte se ato kërkojnë lot. Të mëdhenj. Sa kokrra e thanës.
Dhe filloi t´ia ketë zili motrës së saj të madhe. Ajo dinte të qajë. Ajo. Kurse kjo nuk dinte.
Çuditej me vetveten: pse nuk dinte të derdhë lot nga sytë e saj të vegjel?
I kujtoheshin fjalët e motrës së saj të madhe, e cila, sa herë i prekte sytë me facoletë-sytë dhe mollëzat e faqeve me facoletë, thoshte:
´E shtrydha, e shtrydha limonin!´´
2.
Në tryezë është një pjatë me tre limonë. Vajza merr një. E shikon me habi. E hudh prej
dorës në dorë. Mundohet të dijë çfarë lëngu është ai brenda, mbështjellë nga lëkura e verdhë. Por, ajo është e pafuqishme, aq e pafuqishme sa që nuk mund ta shtrydhë. Një habi e re e kaplon. S´ka mundësi ta marrë me mend se pse nuk është e zonja për t´ia nxjerrë lëngun. Hidhërohet me vetveten. Edhe me lëkurën e verdhë të limonit. Merr thikën dhe e pret përgjysmë.
´Ç´bëre?´ pyet e motra e madhe, e cila s´pat si ta fshehë zemërimin e saj.
´Ja, preva limonin, por unë motër, s´po qaj?!´
Heshtje.
´Pse s´po qaj?´ përsëriti kjo. ´Si ndodh me ty kjo gjë? Ti na përlotesh sa s´ka, kur e shtrydhë limonin?´
´Po, unë e shtrydhi e nuk e pres!´´i tha motra.
´Po pse, a nuk është e njëjta gjë?´ pyeti.
´S´është.´
3.
Në sytë e saj u vendos një hije pikëllimi. Shikimin ia turbulluan lotët. Por, lotët e saj nuk ishin kurrfarë rremash lundrues. E dinte mandej se lotët janë një grusht guralecash në xhepin e detarit, anija e të cilit është në rrezik të përplaset për ndonjë valë të tërbuar…
Mars, 1957
NËN QARR PO RRINTE VASHA
Syni s’e sheh synin matanë hundës,
zemra e sheh zemrën matanë bjeshkës
(Thuhej dikur në Has)
1.
Qetësinë, befas, e zhdavariti rrokullisja e një guri.
2.
Mbasi guri theu qafën teposhtë malit, Dila e Marisë desh të çohej për të parë ku i kishte delet dhe a mos ishin trembur, por therra e murrizit, që iu ngul pardje kur shkoi ta kthejë një qengj që kish mbetur mbrapa grigjës, – e theri në thembër, e cila po i mblidhte qelb. E këputi dhembja e fortë: përsëri u shtri nën qarr. Ballin ia rimuan djersët. U zbeh. Mbylli sytë.
Gjëja e fundit që pa Dila, para se t’i lëshonte këlkatëset, ishte qielli i gjerë ding me bashka të reve që, përtueshëm, udhëtonin dikah…
3.
S’i ndahej dhembja. Therra e therte pajada. Iu duk se do të mbetej përgjithmonë aty, nën qarrin plak. Se nuk do të mund të çohej kurrë për t’i prekur kryet në krahoshën e varur në rremin e një dege të qarrit më të moçëm, më krahëhapur, më majëlartë se asnjë qarr tjetër në këto anë.
“O zot”, mendoi, “a e di kush sa asht i vjetër ky qarr – dhetë, njizet, njiqind apo, ndoshta, pesëqind vjet?”
4.
Kur nxente dielli, qarri lëshonte një hije të gjerë e të rrasët që ta flladiste shpirtin. Aty mund të shtrohej sofra për nja, mos i thashin rrenë, njëzet e katër burra, njëzet e katër cuba. Dhe ndoshta përnjëmend, mendoi kjo tashti. janë ulur ndonjëherë aq burra të dheut, aq cuba të malit ku e di ti se jo! Por, megjithatë, s’kishte parë a dëgjuar kurrë se në hijen e qarrit të saj të dashur të kishin hëngër e pirë njëzet e katër burra, njëzet e katër cuba me mustaqe vesh më vesh ku e di ti se po!
5.
Të gjithë e quanin Qarri i Dragonit. “Njâ të kemi!” i thoshin gjyshja e nëna. “Mo’ atje, se t’shiton zana!”
6.
Gjyshja e nëna na i k’in pas kallëzuar se moti, aq moti sa askush i gjallë nuk e dinte kur, një Drangua kishte pas rënë në dashuri me Zanën, shtatselvinë e katundit të tyre.
Mirëpo që në djep, në djepin me kaptell të shkruar me brisk për mrekulli.
Drangonin na e ki’n pa’ fejuar me një tjetër. E tjetrën, të cilën kurrë s’e kishte parë, s’ia donte se s’ia donte zemra.
Po dhe Zanën që në djep në djepin që përkundte gjyshja gjithmonë në zi, na e ki’n pa’ fejuar me një tjetër. E tjetrin, të cilin kurrë s’e kishte parë, s’ia donte se s’ia donte zemra.
Kur ki’n pa’ marë vesh, vrer i zi na ish bërë babai i Zanës, mullan plot qelb e gjak të keq na ish bërë babai i Drangonit, kurse një ditë prej ditësh, Zana e Drangoni ki’n pas bërë fjalët për të ikur në mal tinëz. Dhe ata ki’n ikur tinëz. Dhe te qarri na i ki’n pas parë pëllumbat e zogjtë krahëshkruar të lumtur. Pëllumbat e zogjtë, mbasandej, kishin fshikur krahët në ajrin e pastër të qiellit të kthjellët si loti, dhe ki’n fluturuar gjithë ditën e lume përmbi katund për t’u kallëzuar njerëzve se Zana e dashka Drangonin si ara e shkrumuar shiun. Por, askush s’i dëgj’onte.
Se katër burra, katër rrotela të kërleshur, babai i Zanës, babai i të fejuarit të Zanës, babai i Drangonit, babai i së fejuares së Drangonit haheshin. E kishin shkrehur: përshesh të bëheshin.
Dhe pëllumbat e zogjtë krahëshkruar u trembën nga krisma e martinave, plasja e kobureve, tymi i zi i barotit; tymi i zi i luftës fis me fis flaka përlau shtatë copë katunde.
E u kthyen pëllumbat e zogjtë, e i kallëzuan Zanës e Drangonit për çdo gjë që kishin parë. Zana e Drangoni ishin pikëlluar shumë, dhe ki’n thirrur pëllumbat e zogjtë e ki’n thënë:
“Amanet, o more pëllumba! Amanet, o more zogj! Kur t’na shihni se jemi shtri njani pranë tjetrit, ejani dhe ngjyeni nga nji pupël në gjakun e varrëve tona dhe shkoni e i lëshoni katund m’katund, shtëpi m’shtëpi. .. ”
Një qyqe e ngratë pat kukatur tri herë midis dy degëve të një lisi shumë të thatë.
7.
Vashës që rrinte nën qarr, Dilës së Marisë, iu duk se ishte shtrirë mu në vendin, ku, Zana e Drangoni, kishin ndërruar jetë. Zemrën ia kaploi një nderim fort i thellë. Bile, luajti pakëz vendit, ashtu si luante edhe babai i saj kur përmendej emri i pajtorit të oxhakut të tyre.
8.
Heshtte.
9.
Tinëz, ngadalë, e zuri dëshprimi. Kurrnjëherë s’i ishte dukur vetja më e vetmuar, më e ngratë, se tashti. Çdo kush e kish harruar iu duk. Iu bë se s’kishte njeri të lemë që mendonte për të. E, pra, aq shumë dëshironte që të mendonte dikush për të.
10.
E mori gjogu i ëndrrave, i cili, si duhia, e çoi në trok drejt njëfarë vendi të panjohur, në një copë toke në midisdisit të detit. Eu, po kjo ishte njajo toka e çuditshme, për të cilën i kish kallëzuar Delia i Ndreut, i Ndre Delisë. Ç’mos i kish kallëzuar:
atje, në atë farë toke të bukur, të cilën e kishte parë kur kish qenë në “ushtrinë e detit”, dielli nxen gjithë ditën e lume
kurse nata
nata s’është natë, si këtu
hëna, sa një kallamboçe e çerepit, del nga deti dhe zdritë tokën midis ujit të njelmtë, të cilit s’i dihet skaji.
“A kurrë s’bie shi?”
“Bie, por nuk asht si ky i yni, që t’ban gozhdar!”
“Po thue?”
“Jo, për këta dy sy! Tekembrama, do ta shohësh… ”
“Kush … unë?!”
“Ti”.
“Unë?!”
“Unë e ti”.
“Bashkë?!”
“Pojzi”.
“Po a je ti në mend? A s’e ditke hiq se m’kanë dhanë?!”
“Si s’e ditkam, moj Dilë … ”
“Ani edhe ty ta kanë zanë nji tjetër!”
Delia i Ndreut, i Ndre Delisë, e kish shikuar drejt në sy, të cilët Dila, prej turpit, i kish paluar. Delia, mbasandej, ia kish kapur krahun dhe ia kish shtrënguar aq fort, sa Dila s’pat duruar pa i thënë:
“Uf, djalë, djalë … ç’je tu’ ba kështu?”
“Mos u tremb, moj Dila e Marisë, mos u tremb!” kish thënë Delia i Ndreut, i Ndre Delisë. “Mos u tremb, ani që deti asht i gjanë e i fellë!, Do të dalim matanë dhe do të mbërrijmë në tokën në midisdisit të tij”.
Dila pa se Delia ish burrë që s’i vetëtonte ashkja e syrit.
11.
Dëgjoi shushurimën e gjetheve, që zuri t’i fërkonte një erë e lehtë, e cila sillte pika shiu të ftohtë. Çeli sytë: qielli ish ndrysur në të katër anët. U çua, mezi u çua: pa delet e tubuara në një rogë krejt të frikësuara nga murmurimat dhe vetëtimat. I ndolli, dhe ato u nisen mbas Diles së Marisë që ecte duke shqepuar, që mbahej me të vështirë: therra në thembër e therte pajada. Kurse mali ushtonte. Nëpër ushtimën e tij të mnershme iu bë se dëgjoi një zë njeriu, i cili e thërriste. U ndal. Delet ikën para saj dhe, me krye teposhtë, tretën në shtegun e ngushtë dredha-dredha që shpjente në katund. Mbeti vetëm. Pa kur një si tojë e zjarrtë; tojë rrufeje, u rrek për ta zdritur malin. U dëgjua një murmurimë e hatashme; si me dorë, diçka e preku në zemër dhe e lëshoi për dhé. Mbasi u rrëzua, mendoi se e vrau rrufeja.
“E pata!” tha dhe zuri të priste për të vdekur. Priste. Por, ama, nuk vdiste. Bile, si në kllapi, diktoi se dikush po e bante. Ngutshëm.
“Aman, o zot, ty t’kofsha true, a m’kallëzon kah je tu’ m’çue?”
“Kah deti. .. Në midisdisit të detit… ”
“Ani me therrë në thembër?”
“S’asht gja therra… Therrën do ta qërojë deti… ”
“Aman, o zot. .. ”
“O, s’jam zoti, s’jam, moj Dila e Marisë, po jam Delia i Ndreut, i Ndre Delisë!”
Një kalë i bardhë, ama më i bardhë se korja e borës, që sall zjarr nuk villte prej gojës, kaptoi Brinjën e Lisit të Gjatë dhe doli e treti në Bjeshkë të Lagamirit…
12.
Bash kur kafexhiu po ia thoshte me zë . të ulët “po bjen shiu sixhim-sixhim, ç’po i qet vegshit bytha tym”, në kafenenë e vogël të katundit krejt i përlloçur e me shpirt në fyt, – u rras Biba i Lleshit, Llesh Bibajt.
“N’kambë, sokola!” bërtiti. “N’kambë, bre trima me fletë, se për qiell e për dhé na u nxi ftyra për jetë!… A s’pasket ndie?… Nji Drangue, nji thi karathi, na e muer Dilën nëpër shi… “Turr mbas meje!” tha Biba i Lleshit, i Llesh Bibajt dhe turravrap e theu qafën përjasht.
Kurse Leka i Gjonit, i Gjon Gjolekajt, tha:
“Çudë, çudë e madhe!”
“Hë, çka polli?” pyeti Deda i Gjinit, i Gjin Gjidedajt.
“S’e di hiq, bre burrë i dheut, pse njani sy nuk e sheh tjetrin?”
“Dihet, he burrë!” ia kthei Deda i Gjinit, i Gjin Gjidedajt. “Fajin ma të madh e ka hunda!”
“Hunda e ka fajin, pojzi!” ia priti Leka i Gjonit, i Gjon Gjolekajt. “E di, por s’po di ç’duhet t’bajmë me këtë hundë?”
Qershor, 1959
—
Anton Pashku lindi në Has të Thatë të Prizrenit. U shkollua në Prizren dhe në Prishtinë. Deri në vdekje punoi redaktor në gazetën “Rilindja”. Është autor i disa vëllimeve me tregime: Tregime (1961), Një pjesë e lindjes (1965), Kulla (1968), Kjasina (1973), Lutjet e mbrëmjes (1978).Ai ka shkruar dy drama: Sinkopa (1969), Gof, 1976 dhe romanin Oh (1971). Tregimet e para Anton Pashku i botoi në vitin 1957. Për afro tridhjetë vjet punë krijuese letrare, ai botoi relativisht pak, por, për nga vlera artistike, vepra e tij zuri vend në krye të panteonit letrar kombëtar Anton Pashku sjell një frymë krejtësisht moderne në traditën e prozës shqiptare.