Analisti Artur Zheji, në një shkrim të tijin në portalin 360gradë.al shkruan se Ilir Meta, aleati kryesor i kryeministrit Rama është duke gabuar me këtë të fundit.
Sipas Zhejit, Rama është duke plotësuar ambicien e tij politike dhe kërkon që të “hajë” sa më shumë koka sipas Zhejit.
Zheji argumenton se gjatë këtyre viteve, Rama ka vënë në zbatim panin e “ngrënies së kokave” njëherësh.
Këtë, Zheji e ilustron në tri faza. “Faza e parë kapja, nënshtrimi apo kontrolli i Sistemit Gjyqësor Kombëtar, në emër të luftës së rreme kundër korrupsionit. Një luftë kjo që në thelb populli e do dhe e aspiron thellësisht dhe ndjehet i tërhequr, nga “gjakderdhja” që kjo shkakton te të fuqishmit e këtij vendi.
“Faza e dytë, që do të përparojë paralelisht me të parën, është nënshtrimi i atyre pak mediave të panënshtruara dhe i atyre pak mendjeve rebele dhe largpamëse, që për arsye nga më të ndryshme nuk janë pjesë e oborrit të kryeministrit. Dhe këtu nenet jane gati.
Faza e tretë, është sundimi i plotë, politik dhe ekonomik, në shkretëtirën e krijuar nga “shkatërrimi” i të gjithë konkurrentëve politikë. Sigurisht edhe me ndihmën e disa kompanive shumëkombëshe, që do të mund të sjellin më shumë punësim dhe një suport për mosrrënimin e plotë të ekonomisë. Madje edhe një përmirësim sipërfaqësor të saj, në këmbim të të gjitha burimeve natyrore e nëntokësore të këtij vendi kaq të pasur për frymë popullsie që është Shqipëria”, shkruan Zheji.
“Ilir Meta, për atë që përfaqëson dhe forcën politike që ka pas, është padyshim pengesa më e madhe e momentit, për realizimin e një platformë të tillë, për të cilën disa këshilltarë të tij, mendojnë se është thjesht një teprim, paranojë dhe teori konspirative.
Mirëpo Meta, mjafton të mos harrojë politikisht sulmet e shtatorit të vitit të kaluar për Çështjen CEZ-DIA dhe të mos harrojë se çfarë energjie negative u grumbullua kundër tij, gjatë muajit korrik, në negociatat për Reformën në Drejtësi. Sulme nga segmente të qeverisë, me qëllim presionin dhe diskretitimin publik, kombëtar dhe ndërkombëtar. Dhe kjo, jo thjesht si pjesë e luftës politike, por si realizim i njërit nënkapitull, të Platformës gjithëpërfshirëse të Ngrënies së të gjitha Kokave. Ku lista është e gjatë.
Meta gabon, kur beson se ky ngërç nuk ka zgjidhje. Qoftë kjo edhe zgjidhja më e kushtueshme politike për të personalisht”, vijon ai më tej.
Komentet