Duke analizuar situatën e fundit politike dhe raportin Rama-Meta, analisti Artur Zheji shkruan se “Meta është në kulmin e një pune që ai dëshiron të mbetet enigmë. Si ata skulptorët që nuk e rrëzojnë çarçafin e skulpturës së tyre, deri në përfundimin e saj, edhe ai ka vendosur ta mbajë të mbuluar më çarçaf surprizën e tij”.
Në një opinion në 360gradë.al, Zheji, teksa analizon daljen e fundit të kryeparlamentarit dhe kreut të LSI-së, Meta në “Zonë e Lirë” e Arjan Çanit, shkruan se “Meta ishte demoralizues, edhe kësaj rradhe në kulmin e protestës opozitare, për të gjithë ata që prisnin dhe presin një shenjë sado të vogël, që Koalicioni PS-LSI, mund të shkërmoqet përpara 18 Qershorit”.
Sipas tij, Meta kishte zgjedhur strategjinë që ka ca kohë që e sendërton në media, Zero informacion në lidhje se çfarë gatuan politikisht në të vërtetë dhe Zero tolerancë ndaj provokimit gazetaresk.
“Nga ky qëndrim, Ramës, i duket dhe ai ka filluar të mendojë se koha po punon edhe njëherë për të. Madje në ndarjen e tapive në Vlorë, tapi-marrësit, për pak nuk i puthnin duart, Tapidhënësit kryeministër dhe premtonin me zë të lartë se do të votonin Partinë Socialiste që u ndryshoi jetën. Dhe kryeministri i tejngopur me bekime hallexhinjsh, të sinqertë, dinakë apo shpirtzhuritur, u thoshte që të: “falenderonin qeverinë dhe jo Partinë Socialiste”. Dhe ata ja kthenin: “Po qeveria e Partisë Socialiste është zoti kryeministër!” dhe ai qeshte para nja dhjetë kanaleve Tv që e jepnin live në network kombëtar, duke harruar se qeveria e ka edhe një ose dy parti të tjera që e mbajnë në këmbë…”- shkruan Zheji.
Ai thekson më tej, se edhe duke ndarë tapitë e qeverisë së Partisë Socialiste, Rama, në fushatë si kryeqeveritar dhe si kryepartiak, qeshte dhe gëzonte me të madhe!
“Dukej shumë i lumtur nga deklaratat e Metës dhe demoralizimin që ato shkaktojnë te kundërshtarët e tij politikë, kudo ata ndodhen, Në PD, në PS, te Libra, te Zgjidhja apo dhe vetë te LSI. Muri i padepërtueshëm i Ilir Metës te Çani, por jo vetëm, gjithësesi e tremb edhe Ramën, sepse Zero Informacioni nga prapavija e tij politike, që jep Meta në media, por sigurisht edhe në takimet kokë më kokë që bën me të, demoralizon pa dyshim edhe vetë Ramën”- thotë Zheji.
Komentet