Zhaklina Dhimojani Blätter është një emër i mirënjohur në Shqipëri dhe Zvicër. Që e tërheq vemendjen dhe simpatinë. Emër që lidhet me botën e filmit, artit, kulturës, skenës, veprimtarisë humanitare, që lidhet me emrin e Himarës dhe Shqipërisë. Zhaklina Dhimojani Blätter një fytyrë e bukur dhe një shpirt i bukur, nga ata që duan të ndryshojnë botën. Botën shqiptare që duket sikur është në një kaos biblik.
Kur të gjithë duan të ikin nga Shqipëria, kur planet e të gjithëve janë si e si të ikin nga Shqipëria, Zhaklina kthehet!
Zhaklina me një valixhe plot me ëndërra e la vendin kur ishte njëzetë vjeçare. E la Shqipërinë, por Himarën e mori me vete në sytë e saj të gjelbër e të thellë, që fantazojnë një Shqipëri të bukur, me shtet social e me turizëm.
Kur pothuaj të gjithë i futen politikës për ta zhvatur Shqipërinë, Zhaklina Dhimojani Blätter bën gjithçka që t’i japë, me pasion, me dhëmbshuri, pa u dorëzuar kurrë sikur bija që kujdeset për Nënën. Sapo kthehet nga Shqipëria në Bernë, Zhaklina ka me plane për projekte të reja. Në një Shqipëri që konsumohet vetëm politikë për përfitim, Zhaklina duket sikur shkon kundra rrymës.
Në Zvicër Zhaklina e ka jetën e saj të mbushur me familjen e bukur. Ajo është e angazhuar pranë një zyre konsulence në zemër të Bernës, të përqendruar në sigurinë publike e private, por dhe në promovimin e artit, duke mbuluar Sektorin e Marrëdhënieve me Ballkanin.
Kush e njeh Zhaklinën e di se Zhaklina kështu është. Altruiste, idealiste, ngulmuese deri sa ta çojë deri në fund një ndërmarrje për të nisur pastaj diçka të re. Gjithmonë për Shqipërinë. Me sytë dhe altruizmin e Zhaklinës është dashuruar edhe bashkëshorti i saj, një funksionar i lartë i policisë zvicerane, të cilin vajza nga Himara e ka bërë si veten, himariot dhe shqiptar.
Në Shqipërinë komuniste, emri Zhaklina ishte shumë i rrallë, pothuaj i pagjendur, sepse kujtonte emrin e zonjës së parë të Presidentit amerikan John Kennedy. E megjithatë ishte një fëmijë me këtë emër, të cilën regjizorja e mirënjohur Xhanfize Keko e zgjodhi si kryepersonazhin e paharruar në filmin e saj Mimoza Llastica. Pastaj Zhaklinën gjimnaziste e zgjodhën të aktrojë për filmin Qortimet e Vjeshtës me regji të Kristaq Dhamos, pastaj interpretoi në një film tjetër, megjithëse studionte për ekonomi, dukej se zemrën e kishte te arti, skena dhe ekrani i madh e i vogël.
Në prag të ndryshimit të sistemit, Zhaklina, si shumë të rinj e të reja shqiptare, kishte etje për të shijuar lirinë e vërtetë dhe për të parë se çfarë ishte Perëndimi. U integrua menjëherë në Itali si bashkëpunëtore në Zyrën Federale të Refugjatëve në kufirin Zvicër-Itali. Aty i lindi Aleksandra, vajza e saj, së cilës Zhaklina i është dedikuar me dashurinë tipike të nënave shqiptare. Aty u dashurua me shefin aktual të Policisë të Bernës, një nga ekspertët më të mëdhenj të policisë, kriminalistikës e të drejtës penale, akademik, docent pranë UNI Bernë, aktualisht kandidat i Zvicrës për në Interpol.
Dhe në jetën e tyre Zhaklina futi Himarën dhe Shqipërinë.
Zhaklina e ka Shqipërinë në qendër të vemendjes, si të çojë ndihma, si të mbështesë projekte të kulturës, si të çojë prapë ndihma dhe nuk ndalet.
Ka njerëz që jetojnë me projekte e fonde publike duke tërhequr dritat e reflektorëve për të hutuar shqiptarët se me demek po i kontribuojnë kulturës, kur në fakt i kontribuojnë xhepave të tyre që nuk ngopen kurrë, ndërsa Zhaklina pa zhurmë, gati në mënyrë diskrete kontribuon.
Kur filloi kriza e pandemisë Zhaklina me bashkëshortin e saj dhuruan në Shqipëri respiratorë për pacientët e prekur nga Covid-19.
Përpara dy ditësh nga Berna u nis një karvan maunash me ndihma nga çifti Blätter, të cilën do ta lajmëronte vetë Zhaklina në rrjetin social “me shtretër spitalorë, komodina që do të përdoren për situatën emergjente të COVID-19, një autoambulancë, një autotransporter për persona me aftësi të kufizuara, dy minibusë, dy autotransporter të tjerë, 50 laptopë etj. Këtij karvani iu bashkohen edhe 2 zjarrfikëse.”
Dhurimi ndihmave nga çifti Dhimojani- Blätter nuk ka filluar sivjet dhe nuk do të ndalet sivjet, nuk është as i pari dhe as i fundit, ka vite e vite, me kontribute private të familjes prej 20 vitesh çifti Blätter dërgon vetëm shpresë në Shqipëri.
Unë personalisht me Zhaklinën jam njohur në vitin 2014, kur ajo me bashkëshortin organizoi një koncert të jashtëzakonshëm në Katedralen Münster në Bernë, një nga simbolet më domethënëse të kryeqytetit helvetik, ku morën pjesë katër instrumentistë të shkëlqyer shqiptarë: Klajdi Sahatçi, violinë e parë në Tonhalle Orchester Zürich që intepreton me një Stradivari bashkë me pianisten e mirënjohur Dhurata Lazo, saksofonistin Zija Bejleri dhe fëmijën mrekulli Gjergj Bejko.
Më përpara Zhaklina kishte organizuar një grup teatror fëmijësh në Bernë. Po ashtu ka kontribuar për restaurimin e disa filmave shqiptarë, ka mbështetur vetë financiarisht projekte për dokumentarë dhe kulturën shqiptare.
Më herët gjithmonë me bashkëshortin Zhaklina kanë dhuruar dy zjarrëfikësa për Bashkinë e Himarës, që kanë garantuar punësim për 12 familje, duke financuar trajnimin e personelit të zjarrëfiksëve në Zvicër. Zjarrfikësa kanë dhuruar edhe në Bashkinë e Vlorës dhe të Ersekës.
Kësaj vere buzë detit preheshin mbeturinat e një anije që e prishnin peizazhin e plazhit të Himarës, që nuk i hiqte kush dhe askujt nuk i bënte përshtypje, veç Zhaklinës, e cila organizoi me financimin e vet pastrimin e bregut të detit.
Zhaklina Dhimojani Blätter e ëndërron Himarën e saj me detin më të bukur të botës të ketë një turizëm model sipas të standartit europian. Zhaklina thotë se bregdeti shqiptar ka potenciale shumë më të mira se të fqinjëve dhe se shqiptarët janë njerëzit më të talentuar të botës.
Zhaklina prej një viti është edhe anëtare e Këshillit Bashkiak të Himarës, si përfaqësuese e PS. Unë jam kritike ndaj kryeministrit të Shqipërisë, ndërsa jam fanse e Zhaklina Dhimojani Blätter. Zhaklina nuk flet për politikë, por vetëm ka plane në të mirë të kulturës, komunitetit, Himarës.
Shqiptarët janë mësuar 30 vjet të duartrokasin politikanët majtas e djathtas, që u premtojnë se do t’ju ndryshojnë jetën dhe në fund i mashtrojnë. Ndërsa Zhaklina nuk bën premtime, por vetëm kontribuon.
Kjo është Zhaklina Dhimojani Blätter, që vetëm i jep Shqipërisë, sipas thënies së njohur të presidentit John Kennedy “Mos pyesni se çfarë ka bërë vendi juaj për ju, por se çfarë keni bërë ju për vendin tuaj”.
https://www.voal.ch/nga-arkivi-magjia-shqiptare-shfaqet-mrekullisht-ne-sallen-e-katedrales-se-bernes-ky-event-u-organizua-nen-kujdesin-e-ciftit-dhimojani-blattler-nga-elida-bucpapaj/
http://www.gazetatema.net/2020/12/14/ishim-shoke-shkolle-me-ramen
Kush e di sa vilat i ka kjo në Shqipëri?
Kush e di sa vilat i ka kjo në Shqipëri?