Prishtinë, 2 shkurt 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u takuan sot me përfaqësues të bizneseve dhe punëtorë të ndërmjetësuar përmes platformës Superpuna.
Me këtë rast u bë edhe lansimi i zgjerimit të platformës së punësimit SuperPuna nga e cila tashmë do të mund të përfitojnë të rinjtë e grupmoshave 18 – 29 vjeç për dallim nga 18-25 vjeç sa ishin grupmoshat e kualifikuara për përfitim deri më tani.
Në fjalën e tij hyrëse, Kryeministri Kurti tha se që prej lansimit të platformës në shkurt të vitit të kaluar kanë përfituar gjithsej 9,394 të rinj përmes subvencionimit të pagës me vlerë prej 264 euro për gjashtë muaj me radhë. E prej atyre që kanë përfunduar gjashtëmujorit të paraparë të mbështetur nga Qeveria, 67% kanë vazhduar punësimin e rregullt. Disa nga përfituesit dhe përfitueset që kanë vazhduar punësimin e rregullt ishin të pranishëm sot me rastin e zgjerimit të platformës.
“Superpuna jo vetëm ka mundësuar që të rinjtë të fitojnë përvojë pune por gjithashtu ka ndikuar që të rinjtë ta dëshmojnë kapacitetin e tyre dhe të vijojnë zhvillimin e tyre profesional, duke lidhur kontrata të punësimit të rregullta me punëdhënësit”, u shpreh kryeministri.
Ndërkaq ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se gati një vit më herët kur e lansuam platformën, synimi ka qenë që përmes saj të mbështetet punësimi i 10 mijë të rinjve të grupmoshave 18-25. Ai theksoi se një vit pas, kur të përfshihen shifrat edhe të muajit janar, pritet të arrihet shifra prej 10 mijë aq edhe sa ka qenë synimi, që dëshmon se platforma ka qenë e suksesshme por edhe parashikimi ka qenë i saktë.
Duke e parë suksesin me grupmoshën e parë, ai shtoi se ka qenë e qartë që të vazhdohen me zgjerimin e moshës, ashtu që këtë mundësi t’ia japim edhe atyre që janë mbi 25 vjeç e deri në moshën 29 vjeç, përfshirë edhe moshën 29 vjeçare.
Sa i përket kushteve dhe kritereve për të përfituar nga platforma, ministri Murati njoftoi se ato do të mbesin të njëjtat, me të vetmin dallim që grupmosha e përfituesve do të zgjerohet.
Takimi vazhdoi me një diskutim të hapur ku bizneset dhe punonjësit, që vazhdojnë kontratat e ndërsjella të punësimit edhe pas periudhës gjashtë mujore të paraparë përmes Superpuna, ndanë përvojat e tyre të suksesshme me platformën dhe mbështetjen e ofruar nga Qeveria. Gjatë bisedës, ministri falënderoi përfaqësuesit e bizneseve për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në suksesin e platformës.
Në shkurt të vitit 2023 u lansua për herë të parë platforma e punësimit për të rinjtë SuperPuna. Qëllimi i saj është ndërmjetësimi i të rinjve punëkërkues 18-29 vjeç me punëdhënës potencial. Punëdhënësit mund të jenë nga sektori privat, publik dhe sektori jo-qeveritar. Përmes “superpuna”, çdo punëdhënës mund të angazhojë deri në 30% të stafit të tyre ekzistues. Pas ndërmjetësimit të suksesshëm në mes të punëdhënësve dhe punëkërkuesve, Qeveria bën subvencionimin e pagës prej 264 euro në muaj, për 6 muaj me radhë. Çdo punëdhënës ka të drejtë që të shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar.
Deri më tani në platformë janë të regjistruara rreth 10 mijë bizneseve të cilat kanë listuar vende të hapura të punës, ndërkohë që rreth 18 mijë të rinj dhe të reja kanë hapur llogaritë e tyre. Aktualisht në platformë janë rreth 4 mijë vende të lira aktive të punës.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Faleminderit Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, z.Hekuran Murati,
Të nderuar përfaqësues të bizneseve
Të nderuar të punësuar,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Punë dhe drejtësi është togfjalëshi që është dëgjuar më së shpeshti në paraqitjet tona publike. Por, kjo shprehje punë dhe drejtësi nuk është thjeshtë një togfjalësh. Ajo është baza e të gjitha politikave të zbatuara deri më tani dhe më tej. Andaj, qëllimisht edhe është pikënisja e takimit tonë të sotëm.
Në shkurt të vitit 2023, pra para saktësisht një viti prezantuam për herë të parë para jush platformën që e kemi quajtur Superpuna. Përmes kësaj platforme synuam punësimin e garantuar të të rinjve të grupmoshave 18 deri në 25 vjeç. Kjo platformë për bizneset e bëri më të lehtë angazhimin e punëtorëve pasi garantoi subvencionimin e pagës me vlerë prej 264 euro për gjashtë muaj me radhë. Ndërkaq punëtorëve: një grupi prej tyre ua garantoi punën e parë, ndërsa një grupi tjetër ua garantoi një punë afatgjatë dhe të dinjitetshme.
Platforma Superpuna ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm duke arritur që vetëm për brenda një viti të bëjë ndërmjetësimin e suksesshëm të punësimit të 9394 të rejave dhe të rinjve.
Prej tyre, 4635 persona e kanë përfunduar gjashtë mujorin e paraparë përmes platformës Superpuna. Ndërkaq, nga ky numër 3108 të rinj, 1599 djem dhe 1509 vajza janë bërë punëtorë të rregullt. Kjo i bie që 67% të punëtorëve të ndërmjetësuar përmes Superpunës kanë vazhduar të qëndrojnë aktiv në tregun e punës. Pra, Superpuna jo vetëm që ka mundësuar që të rinjtë të fitojnë përvojë pune por gjithashtu edhe ka ndikuar që të rinjtë të dëshmojnë kapacitetin e tyre dhe ta vijojnë zhvillimin e tyre profesional, duke lidhur kontrata të punësimit të rregullta me punëdhënësit.
Sot, unë jam shumë i lumtur që disa nga përfituesit dhe përfitueset që kanë vazhduar punësimin e rregullt i kemi në mesin tonë për t’ua dhënë edhe një lajm të mirë. Duke marrë parasysh ndikimin e jashtëzakonshëm që platforma Superpuna ka pasur tek shumë të rinj kemi vendosur që të zgjerojmë grupmoshat të cilët mund të përfitojnë nga kjo platformë. Pra nga 18 deri në 25 vjeç sa ishin grupmoshat që mund të ndërmjetësoheshin nga Superpuna, tashmë do të zgjerojmë grupmoshat e përfituesve nga 18 deri në 29 vjeç.
Për të dhënë më shumë detaje rreth zgjerimit të kësaj platforme, ftoj Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati që ta marrë fjalën.
– Zyra e Kryeministrit