Në Shqipëri ka filluar në disa qytete procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në disa qendra votimi që ka përfunduar numërimi, respektivisht në katër nga gjithsej 5.199, kryeson partia në pushtet, ajo Socialiste e Shqipërisë me 57,62 % për qind të votave.
Në vend të dytë renditet koalicioni i udhëhequr nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë, me 31,6 për qind të votave.
Më pas, në vend të trete renditet partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) me 8,99 për qind.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat konfirmoi se ka filluar procesi i numërimit të votave.
Duke iu referuar të dhënave paraprake mbi pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, ai tha se pjesëmarrja sipas të dhënave nga KQZ është në nivelin 48,2 për qind.
Në lidhje me procesin e numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve, Celibashi theksoi se “KQZ ka marrë të gjitha masat që ky proces të përfundojë brenda 48 orëve të paktën për partitë politike dhe koalicionet dhe pastaj të vazhdojmë me procesin e nxjerrjes së rezultatit për kandidatët”.
Ndërkohë në lidhje me procesin zgjedhor ka reaguar edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili në një intervistë në një emision televiziv në Shqipëri tha se populli në përgjithësi votoi i qetë dhe i lirë.
“Tani është detyra e komisionerëve dhe numëruesve përtej interesave të partive që i kanë caktuar të veprojnë me përgjegjshmëri, transparencë dhe patriotizëm dhe të vlerësohet drejt çdo votë që ka hedhur sovrani. Sot populli në përgjithësi votoi i qetë dhe i lirë. Unë jam i bindur që në kutitë e votimit është vullneti i sovranit”, deklaroi presidenti Meta.
Në zgjedhje konkurruan dy koalicione, Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim (PD-AN), i cili udhëhiqet nga partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe përbëhet nga 13 parti që garojnë me një listë të vetme si koalicion, si dhe koalicioni Aleanca Bashkimi Popullor – Emigracioni – Ora e Shpresës dhe Konservatorët (ABEOK), i përbërë nga 4 parti politike.
Gjithashtu 10 parti politike garuan më vete, përfshirë edhe partinë në pushtet, Partinë Socialiste të Shqipërisë (PS) dhe disa kandidatë të pavarur.
Komentet