Ambasada e Kosovës në Washington dhe Konsullata në New York, ishin qendrat e fundit të votimit të diasporës, në të cilat ka përfunduar procesi zgjedhor.
Qytetarët e Kosovës jashtë vendit patën të drejtë të votojnë në 43 vendvotime në Ambasada dhe Konsullata të Kosovës në botë, një ditë para zgjedhjeve. Por, për shkak të ndryshimit të kohës lokale, ato në SHBA u hapën të fundit, për t’u mbyllur kësisoj të fundit.
“Falënderojmë të gjithë që votuan sot si dhe ata që kanë zgjedhur votimin përmes postës, ndërkaq mirënjohje të thellë për të gjithë kolegët e përfshirë për bashkëpunimin, punën e palodhshme dhe profesionale duke mundësuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Në Ambasadën në Washington të drejtë vote kanë patur 78 shtetas të Republikës së Kosovës, ndërkaq në Konsullatën në New-York, të drejtë vote patën 619 bashkatdhetarë.
Kjo është hera e parë, që qytetarëve të Kosovës, iu lejohet të ushtrojnë të drejtën e votës në një objekt diplomatik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të dhënat e fundit të KQZ-së, 71.16 përqind e votuesve të regjistruar për votim (14 mijë e 463) në Ambasada/Konsullata kanë ushtruar të drejtën e votës, pa llogaritur ata në ShBA. sn