Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani dekretoi sot 7 Majin si ditën kur do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri të Bashkisë së Kavajës
Zgjedhjet e parakohshme në Kavajë mbahen pasi ish kryebashkiakut Elvis Rroshi ju hoq mandati në kuadër të ashtuquajturit ligj për dekriminalizimin. Prokuroria ofroi të dhëna se ai kishte fshehur një të kaluar problematike. Pavarësisht ankimimit në Gjykatës kushtetuese, vendimi për heqjen e mandatot mbeti në fuqi.
Gara në Kavajë do të jenë edhe testi i parë për zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit, jo aq për rezultatin se sa për qëndrimin e opozitës, e cila prej 5 javësh po kërkon një qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme në qershor. Sot kryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka përsëriti se sipas tij “zgjedhje me kryeministrin Edi Rama, me bandat e parave të pista të drogës nuk do të ketë, në Kavajë apo në cdo zonë tjetër”, tha ai.
Në një reagim në Facebook, kryeministri Rama shprehu “keqardhje për PD-n, po kriza e saj s’është e s’do bëhet kriza e vendit! Zgjedhjet do të bëhen, Drejtësia do të bëhet”, shkruan kryeministri.
Komentet