Dorëheqja e Bidenit hap një lojë që dukej tashmë e mbyllur. Ndoshta Trumpi do të fitojë njëlloj zgjedhjet e nëndorit, por së paku, demokratët janë rivënë në kushte për të mundur të luftojnë. Demokracia amerikane vërteton gjallërinë e saj, por si evropianë ne duhet të pyesim veten se pse ky beleg zgjedhor do të jetë për ne kaq i rëndësishëm, cili është ndryshimi ndërmjet tij dhe gjithë zgjedhjeve presidenciale që janë zhvilluar para tij mbas luftës së Dytë botërore. Ndryshimi qëndron në atë, se nëse do të fitonte Trumpi, Amerika do t’i a mbathte, do të braktiste Evropën në fatin e saj. Do të përcaktohej një thyerje në brëndësi të bashkësisë së demokracive perëndimore, me rrezatime mbi gjithshka: me rrezikun për shembull, të një ashpërsimi të masave mbrojtëse. E me një ndikim të fuqishëm mbi sektorin e brishtë të sigurisë e të mbrojtjes. Pikërisht në një çast në të cilin kontinenti i vjetër është përsëri i pështjelluar në një luftë të armatosur. Që nga lufta e Dytë botërore evropianët janw mbrojtur nga amerikanët. Secili kishte leverdinë e tij të mirë: evropianët mund të investonin rezervat e tyre në mirëqënie pa kthyer shumë mbi mbrojtjen, ndërsa amerikanët përfitonin nga pranimi evropian i udhëheqjes së tyre. Gjithshka do të mund të ndryshonte nëse Trumpi do të fitonte.
Sepse siguria evropiane, një përparësi e të gjitha Administratave nga 45 e këndej, nuk është e tillë për Trumpin e ndjekësit e tij. Nuk është e rastit që filo-rusët e Evropës janë miqtë e tij. Ukraina, marrëdhëniet evropiane me Rusinë, mbrojtja evropiane: mbi secilën prej këtyre temave qeveritë tona do të duhej të shihnin fund e majë agjendën e tyre politike.
Është e mundur që me Trumpin Ukraina duhet të pranojë një ndalim zjarri që do t’i linte Putinit territoret e pushtuar, do t’i lejonte atij të deklarohej fitues, të merrte frymë e të përgatitej për aventura të reja ushtarake. Filo-putinianët të djathtë e të majtë, të përforcuar nga fitorja e Trumpit, do të kërkonin, n’emër të “paqes” paqëtimin ndërmjet Evropës e Rusisë, ose (siç thuhej në kohët e Luftës së Ftohtë), “finlandizimin” e Evropës. Një pjesë e madhe e evropianëve (por jo ndërmarrjet e shumta, që do të donin të rifillonin allishverishet me Rusinë), me dëshirë nuk do t’ishte e gatëshme të ndiqte miqtë e Putinit në këtë rrugë. Por duhet të bëjë llogaritë me përparësitë e reja të Administratës amerikane, duke filluar nga kërkesa, madje urdhëri për të rritur menjëherë shpenzimet ushtarake në kuadër të NATO-s ( krejt tjetër nga pritja e ndonjë viti , siç do të dëshëronte qeveria e jonë, për të shpënë një shpenzim të tillë në 2 përqind të PPI).
Evropa do të vihej nën trysni. Do t’i duhej të vinte para saj problemin e famshëm të “këmbës evropiane” të NATO-s, për të cilën është folur shumë kur të folurit nuk kushtonte politikisht asgjë. Do të ishte me arsye fillimi i një psiko-drame të përgjithëshme n’Evropë, i një konflikti çjerrës që do të rishkruante aleanca, miqësi e armiqësi. Mbas kaqë lloqeve, më të shumtat të mërzitëshme, mbi mbrojtjen evropiane do të duhej të kalohej në faktet, duke u shpjeguar evropianëve se, në kushte të reja, bëhet fjalë të zhvendosen (menjëherë) rezerva nga mirëqënia në luftë, nga gjalpi në topa.
Evropianistët, të cilët deri tani kanë mundur të kërkojnë mbrojtjen evropiane pa shkaktuar skandal, do të vizatoheshin atëherë si luftënxitës nga putinian-pacifistët të së djathtës e të së majtës, nga Orbani tek Melenchoni, duke kaluar nëpër të gjithë të tjerët. Me pasoja paradoksale. Megjithë Brexitin e namin e “evroskeptiçizmit”, Britania e Madhe do të bëhej pika e riferimit për të gjithë ata që nuk duan një Evropë të pambrojtur, ushqim për ujqërit. Britania e Madhe, e drejtuar nga një laburist, do të kthehej me pëlqim, veç udhëheqjes morale, edhe në një fuqi tërheqëse në përpjekjen për të mbështetur Ukrainën, ashtu si dhe për të krijuar këmbën evropiane të sipërpërmendur. Ndërsa Franca, vendi tjetër evropian që, së bashku me Britaninë e Madhe, nuk ka ëndërruar kurrë “të verë lulet mbi topat e saj” do t’ishte e ndarë ndërmjet kërkesës për të dhënë ndihmesën në mbrojtjen evropiane dhe kushtrimit të të parëve, vullnetit të një pjese të konsideueshme të francezëve për të mos hequr dorë nga ajo pak që mbetet nga Madhështia e lashtë, pra nga pavarësia e plotë ushtarake.
Mund të pritet edhe ndonjë rrëshqitje nga shumica që sapo ka votuar në Parlamentin e Strasburgut për Ursula von der Leyen, nga të gjelbërit por edhe nga socialistët.
Pasojat do të ishin veçanërisht të rënda për demokracitë e dala nga humbja e luftës së Dytë botërore, Gjermania e Italia. Vlen edhe për Italinë ajo që ka shkruajtur pak kohë më parë një historian gjerman, Michel Stürmer për Vendin e tij: bëhet fjalë për demokraci që për kundërveprim ndaj nazizmit e fashizmit, kanë zëvendësuar shpatën me tregëti, kanë besuar të fortë në mbrojtjen amerikane, se nuk do të kenë nevojë të kujdesen për sigurinë e tyre duke ndërtuar, qoftë edhe në hijen e NATO-s një aparat të qëndrueshëm e të efektëshëm ushtarak. Një prirje që është fuqizuar me fundin e Luftës së Ftohtë. Klasat drejtuese dhe opinionet publikë gjermanë e italianë kanë përfunduar së besuari se në botë kishte vetëm miq me të cilët të mund të bëheshin allishverishe, asnjë armik për t’i u ruajtur, (me përjashtim të ndonjë terroristi).
Bëhet fjalë për një vështrim të botës që në Itali e Gjermani ka farkëtuar mendësi, ka ushqyer një ndjenjë të përhapur kundër-ushtarake, ka bërë opinionin politik të pandjeshëm ndaj nevojës së sigurisë. Është kthyer në një përbërës të identiteve përkatës kombëtarë. Prandaj u duk gjëmëmadh lajmërimi gjerman, menjëherë mbas fillimit të luftës në Ukrainë, për një plan armatimi. Ndërsa nuk habit që ai vendim nuk ka prodhuar rezultate të mëdha deri sot.
N’Itali, në rastin e fitores së Trumpit, mund të pritet shpërthimi i një konflikti të padëgjuar. Me shumë kalime frontesh, nga ai evropian tek ai kundërevropian (në dobi apo kundër mbrojtjes evropiane) dhe anasjelltas. Do të ishte e dobishme të kuptohej , duke mbajtur parasysh peshën që zgjedhjet e saj kanë në Itali, se si do të qëndronte Kisha katolike në këtë konflikt. Nëse fiton Trumpi na pret një psiko-dramë. Më mirë të përgatitemi.
“Corriere della Sera”, 22 korrik 2024 E përktheu Eugjen Merlika