Pjesëmarrja e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në samitin e Partive Popullore Evropiane, grupimi më i madh brenda Parlamentit Evropian, nuk ka qenë thjesht një pjesëmarrje për të mbajtur një fjalim dhe për t’u larguar prej andej.
Kreu demokrat ka arritur të “marrë” një rezolutë të fortë për krizën politike në Shqipëri, e përbërë nga 10 pika.
Ashtu sikurse dokumenti i Bundestagut gjerman, edhe rezoluta e Partive Popullore Evropiane i mëshon fort krijimit me urgjencë të Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar prej saj një vendim të shpejtë dhe final mbi votimet e 30 qershorit, të cilat siç dihen u zhvilluan vetëm me pjesëmarrjen e Partisë Socialiste, e cila ka fituar të gjitha bashkitë në vend.
Rezoluta kërkon drejtpërdrejt hetimin e politikanëve të përfshirë në vjedhjen e votave, kërkesë e cila bëhet edhe nga Bundestagu gjerman.
Në pikën 6 shprehet shqetësimi i thellë për fenomenin e vazhdueshëm të personave me rekorde kriminale që kandidojnë për poste publike në shkelje të hapur të ligjit siç thekson rezoluta dhe largimin e tyre nga këtë pozicione.
Rezoluta e grupit të partive që qeverisin vende të rëndësishme të Evropës përfshirë Gjermaninë dhe që ka drejtues të rëndësishëm të Parlamentit Evropian, i ndërkombëtarizon më tej shqetësimet e Partisë Demokratike mbi situatën politike në vend.
Rezoluta e miratuar me shumicë votash është shumë më e rëndësishme se rezolutat e mëparshme apo mbështetjen që Partia Demokratike ka marrë në rrafshin ndërkombëtar prej këtij grupimi vitet e fundit.
Grupi i PPE-së ka qenë kundër bojkotit të Parlamentit nga ana e Partisë Demokratike në vitin 2017, e njohur si periudha e “çadrës” në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që çoi më pas në marrëveshjen e 17 majit.
Rezoluta aktuale drejtohet kryesisht ndaj qeverisë, duke kërkuar prej saj angazhim për zgjidhjen e ngërçit politik.
/S.Lleshi/Panorama /
Komentet