Harroi me marrë frymë e iu fik kandili
e n’gjyqin qiellor mbrriti nji shqiptar,
nsa t’mirat e mkatet peshonte Shën Mhilli
u çudit kur barazpeshë i dolën në kandar.
-Asnjiherë -tha Ai -s’m’ka ndodhë kjo gjâ,
ndaj ku don me shkue do ta zgjedhësh vetë,
por para se t’zgjedhësh do t’çojmë me i pa,
mandej do t’vendosësh ku me ndejt përjetë.
N’fillim ashensori e çoi poshtë në Ferr,
por pamja që iu shfaq pa fjalë e ka lanë,
s’pa kund tortura, as flakë e as tmerr,
e asgja prej atyne çka i kishin thanë!
Pa fusha me lule, lumej të kulluem,
hâje e pije plot, festa e gjallni,
s’pa kend tu’ vuejtë, vetëm njerz t’gzuem,
madje as vetë djalli s’ju duk aq i zi!
Mandej për vizitë e çuen në Parriz
që ishte siç thuhej: gjithçka perfeksion,
për mirë as për keq s’pa ndonji surprizë,
përveç se iu duk …. disi monoton.
-Ju lutem, shejtni, për t’keq mos ma merr,
-i tha Shën Mhillit kur shkoi para tij,
-tu’ pa ndryshimet, zgjodha t’shkoj në Ferr,
se aty, veç t’tjerash, pava shumë shokë t’mi.
-Dakord! -tha shejti e asnji fjalë nuk foli,
veçse përgjatë faqeve nji lot i pikoi
e n’heshtje te porta e Ferrit e përcolli
ku pamja që iu shfaq shqiptarin e tmerroi.
-Nga ajo që pashë dje, ndryshon ditë me natë
e ndihem i mashtruem -uluriti i shkreti.
-E djeshmja -i tha shejti -ishte veç fushatë,
tashti s’ka mâ zgjedhje, ky asht realiteti.
Komentet