Prishtinë, 26 janar 2024
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, raportoi në Komisionin për Integrim Evropian, me ftesë nga ky komision. Në fjalën hyrëse të tij, ai theksoi proceset e ndërmarra në kuadër të integrimit evropian dhe rezultatet e arritura. Nga hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave, tek Plani i Rritjes, ku Kosova përfiton rreth 950 milionë euro brenda 4 viteve, e ku të hënën, me 22 janar, kemi dorëzuar në BE listën e reformave.
“Plani i Rritjes nuk është vetëm një mundësi për reforma dhe rritje ekonomike, por edhe një shans për bashkëpunim dhe integrim më të ngushtë rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst është shumë e rëndësishme që BE-ja sa më shpejt t’i tërheqë masat represive ndaj Kosovës, meqë Kosova ka përmbushur kërkesat bazë që kanë dalur para vendosjes së masave dhe kemi një situatë të qetë dhe përmes heqjes së masave atëherë i gjithë fokusi kthehet në avancimin e integrimit evropian të Kosovës.” tha zëvendëskryeministri Bislimi.
Ai shtoi se prioritar për ne është pranimi i pyetësorit nga Komisioni Evropian në mënyrë që ta dëshmojmë se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat dhe të vazhdojmë të bëjmë hapa konkretë drejt anëtarësimit.
“Ne besojmë se nuk ka asnjë problem teknik që Kosovës t’i adresohet pyetësori në mënyrë që kapacitetet institucionale, ligjore, e administrative të vlerësohen nga ana e Komisionit. Institucionet tona e sidomos strukturat tona koordinuese të Integrimit Evropian janë të gatshme t’i përgjigjen këtij pyetësori rezultatet e së cilës jemi të bindur se do të na sjellin statusin e vendit kandidat.” u shpreh zëvendëskryeministri.
Ai prezantoi të arriturat të zbatimit të Planit të Veprimit të Agjendës për Reforma Evropiane deri në fund të vitit 2023 si dhe të arriturat e planifikuara në Programin Kombëtar për Integrim Evropian gjatë vitit që lamë pas. Sipas gjetjeve të raportit përfundimtar, deri në fund të vitit të kaluar janë zbatuar 71.26% apo 243 nga gjithsej 341 tregues, ndërsa sa i përket Programit Kombëtar për Integrim Evropian, në vitin që lamë pas, janë zbatuar 160 nga 242 masa afatshkurtra apo 66.12%.
Më tej, zëvendëskryeminsitri u përgjigj në të gjitha pyetjet e deputetëve prezent në mbledhje.
Më poshtë, fjala e plotë hyrëse e zëvendëskryeministrit Bislimi në raportimin në Komisionin për Integrim Evropian:
E nderuara Kryetare e Komisionit për Integrim Evropian, znj. Krasniqi,
Të nderuar anëtarë të Komisionit,
Të nderuar të pranishëm,
Shumë faleminderit për mundësinë që sot bashkarisht të diskutojmë rreth zhvillimeve dhe progresin në agjendën e integrimit evropian të vendit tonë.
Para se të flas për progresin në Agjendën e Reformave Evropiane, apo ERA II, si dhe Planin Kombëtar për Integrim Evropian, më lejoni që shkurtimisht të prek tri zhvillime të rëndësishme kur është fjala për integrimin evropian të Kosovës.
E para, liberalizimi i vizave tashmë ka hyrë në fuqi që nga 1 janari 2024, dhe qytetarët e Republikës së Kosovës po udhëtojnë pa viza në tërë zonën Shengen. Që nga fillimi tetorit është bërë një punë e shkëlqyeshme për informimin e qytetarëve përmes fushatës informuese dhe gjithëpërfshirëse, e rezultatet kësaj fushate tanimë po i shohim. Këtë muaj, pra në muajin e parë të udhëtimit pa viza, gjithçka është duke shkuar me rregull ndërsa ne vazhdojmë të përcjellim lëvizshmërinë e qytetarëve teksa ata po e shfrytëzojnë këtë mundësi të shumëpritur për të vizituar dhe eksploruar qytetet e BE-së. Për më tepër, në javën e parë të janarit pranuam edhe lajmin pozitiv që më në fund edhe Spanja njohu pasaportën e Republikës së Kosovës.
E dyta, pakoja e zgjerimit e publikuar në nëntor 2023 e kthen edhe njeherë shpresën se zgjerimi i BE-së është përsëri në qendër të vëmendjes pas një dekade heshtje e stagnimi. Ne e mirëpresim “Planin e Rritjes” për Ballkanin Perëndimor, dhe e shohim si hap të duhur dhe në drejtimin e duhur. BE-ja duhet të zgjerohet dhe duhet të reformohet. Përderisa Rusia tenton të zgjerohet drejt BE-së përmes luftërave, BE-ja duhet të zgjerohet përmes dialogut dhe integrimit. Ne e mbështesim plotësisht qasjen që kushtëzon fondet e BE-së me pranimin e vlerave të BE-së, meqenëse si e tillë ajo rrit përfitimet për të gjithë qytetarët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe në të njëjtën kohë përshpejton anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian për ata që janë me të vërtetë të përkushtuar në këtë rrugëtim. Ky plan do t’i sjellë rajonit rreth 6 miliardë euro, ndërsa Kosova përfiton rreth 950 milionë euro brenda 4 viteve në grante dhe kredi apo kredi që janë me koncesion apo me kushte të volitshme. Kjo njëherit përbën shumën më të madhe që Kosova ka pranuar dhe pranon ndonjëherë nga BE brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore.
Në këtë linjë, të hënën, me 22 janar, ne kemi dorëzuar në BE listën e reformave nga Plani i Rritjes. Kjo agjendë gjithëpërfshirëse reformash synon avancimin e mëtejmë të administratës publike, avancimin e menaxhimit të financave publike, vendos në fokus të veçantë agjendën e gjelbër edhe digjitalizimin. Tek sektori privat, fokusi është në përmirësimin e mjedisit në të bërit biznes përmes qasjes në financa dhe përkrahjes për Ndërmarrje të vogla dhe të Mesme. Plani synon të sigurojë arsim cilësor dhe përafrim me nevojat e tregut të punës. Po ashtu, agjenda e reformave do të avancojë më tej sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të forcojë mbrojtjen e të drejtave themelore.
Plani i Rritjes nuk është vetëm një mundësi për reforma dhe rritje ekonomike, por edhe një shans për bashkëpunim dhe integrim më të ngushtë rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst është shumë e rëndësishme që BE-ja sa më shpejt t’i tërheqë masat represive ndaj Kosovës, meqë Kosova ka përmbushur kërkesat bazë që kanë dalur para vendosjes së masave dhe kemi një situatë të qetë dhe përmes heqjes së masave atëherë i gjithë fokusi kthehet në avancimin e integrimit evropian të Kosovës.
E treta që dua të cek, synim për këtë vit, prioritar është pranimi i pyetësorit nga Komisioni Evropian në mënyrë që ta dëshmojmë se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat dhe të vazhdojmë të bëjmë hapa konkretë drejt anëtarësimit. Ne besojmë se nuk ka asnjë problem teknik që Kosovës t’i adresohet pyetësori në mënyrë që kapacitetet institucionale, ligjore, e administrative të vlerësohen nga ana e Komisionit. Institucionet tona e sidomos strukturat tona koordinuese të Integrimit Evropian janë të gatshme t’i përgjigjen këtij pyetësori rezultatet e së cilës jemi të bindur se do të na sjellin statusin e vendit kandidat.
Në vijim më lejoni të prezantoj të arriturat në tërësi të zbatimit të Planit të Veprimit të Agjendës për Reforma Evropiane (PV ERA II) deri në fund të vitit 2023 si dhe të arriturat e planifikuara në Programin Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) gjatë vitit që lamë pas.
Siç e dini, PV ERA II ka përmbajtur 15 prioritete dhe 341 reforma konkrete, apo tregues.
Sipas gjetjeve të raportit përfundimtar, deri në fund të vitit të kaluar janë zbatuar 71.26% apo 243 nga gjithsej 341 tregues. Ndër to kemi edhe reforma që janë bukur të rëndësishme.
Deri në fund të vitit 2023 Kuvendi i Kosovës ka miratuar dhe ka vënë në fuqi 22 ligje. E disa prej të cilave me rëndësis janë:
- Ligji për financimin e subjekteve politike;
- Kodi i procedurës penale;
- Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit;
- Ligji për zyrtarët publikë;
- Ligji për pagat në sektorin publik;
- Ligji për valën e parë dhe të dytë të racionalizimit të agjencive;
- Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe në baza gjinore;
- Ligji për zgjedhjet;
- Ligji për sigurinë e përgjithshme të produkteve;
- Ligji për inspektimet e përgjithshme;
- Ligji për Gjykatën Komerciale;
- Ligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja;
- Ligji për mbeturina;
- Ligji për mbrojtjen e konkurrencës si dhe
- Ligji për edukimin në fëmijërinë e hershme;
Në ndërkohë, Qeveria ka përcjellë edhe 5 projektligje që janë në pritje të miratimit nga Kuvendi që kanë të bëjnë me shtetësinë, me Komisionin e Pavarur të Mediave; me energjinë e ripërtërtishme, arsimin e lartë, liritë fetare e të ngjashme.
Ndërkaq në të njëjtën kohë kemi zbatuar edhe një sërë reformash, po përmendi vetëm tri sosh nga ato që për mendimin tim janë prioritare.
- Plani Strategjik për zgjidhjen efikase të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar; Strategjia e re për reformën e administratës publike dhe plani i veprimit si dhe Strategjia për Energjinë 2022-2031 si dhe Programi;
Së bashku me Komisionin Evropian kemi vendosur që këtë vit vazhdojmë me zbatimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian dhe të reformave edhe si pjesë e Planit të BE-së për Rritje. Reformat nga ky dokument që janë në zbatim e sipër do t’i trajtojmë përmes Programit Kombëtar për Integrim Evropian dhe strukturave të përbashkëta institucionale që i kemi me vetë BE-në.
Sa i përket Programit Kombëtar për Integrim Evropian, në vitin që lamë pas, janë zbatuar 160 nga 242 masa afatshkurtra apo 66.12%. Në pritje të miratimit nga Kuvendi janë 8 projektligje nga kjo pako, si:
- PL për regjistrin e pronarëve përfitues;
- PL për burimet e ripërtëritshme të energjisë;
- PL për Komisionin e Pavarur të Mediave;
- PL për lirinë fetare;
- PL për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror;
- PL për vlerësimin strategjik mjedisor;
- Projekt-kodin doganor dhe të akcizave
- PL për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës;
Për vëmendjen tuaj po i listoj edhe disa nga masat dhe dokumentet e rëndësishme që janë zbatuar apo miratuar në këtë periudhë:
- Agjenda Digjitale për Kosovën 2030;
- Programi për bujqësi dhe zhvillim rural dhe Plani kombëtar për bujqësi organike;
- Strategjia për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030 bashkë me Planin e Veprimit.
- Programi Kombëtar i Shkencës 2023-2028;
- Ndërmjetësimi në punësim, përmes masave aktive të tregut të punës, dhe atë 2,369 punëkërkuesve prej të cilave 1,503 grave dhe 866 burrave, në total 18% më shumë se në vitin 2022.
- Rritje për 28.8% e inspektimeve nga Inspektorati i Punës, nga 6,316 inspektime sa ishin në vitin 2022, në 8,129 në vitin 2023.
- Ndarja e bursave për 467 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, prej të cilëve 244 vajza dhe 223 djem si dhe për 55 studentë universitarë nga të njëjtat komunitete.
Edhe njëherë shumë faleminderit për mundësinë që sot bashkërisht të diskutojmë për ecurinë dhe implementimin e planit të reformave drejt integrimit evropian.