Zgjedhja e saj u bë në raundin e tretë të votimeve në parlamentin 120 vendesh. Në dy raundet e para ajo nuk siguroi numrin prej 80 votash siç parashihet me Kushtetutën e Kosovës.
Menjëherë pas betimit në parlament, zonja Osmani vuri theksin tek sfidat që ndodhen para Kosovës, përfshirë pandeminë e COVID-19 që u mori jetën afer 2 mijë qytetarëve.
“Këto nuk janë kohë të lehta për Kosovën e as për mbarë njerëzimin. Sfidat janë të shumta, posaçërisht ajo me pandeminë, e cila kërkon që ne të bëhemi sërish bashkë që të mund ta luftojmë atë. Prandaj le t’i qëndrojmë pranë njëri tjetrit dhe t’i japim përkrahje qeverisë së vendit në menaxhimin e saj. Në këtë sfidë fitorja e suksesi nuk i takon vetëm njërës palë, fitorja do të jetë e përbashkët dhe vetëm të bashkuar do të mund ta bëjmë të mundur”, tha ajo.
Zgjedhja e presidentes shënon edhe përfundimin e procesit të ngritjes së institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, në të cilat fituese doli lëvizja Vetëvendosje e cila edhe e kandidoi zonjën Osmani. Krahas pandemisë institucionet e reja do të përballen edhe me trysninë për rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që është kusht për integrimet evropiane të të dyja vendeve.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas përfundimit të luftës me ndërhyrjen e NATO-s.
“Dialogu është vërtetë rruga që kemi përpara. por ai duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë, e paqja do të arrihet vetëm kur të shohim pendesë nga Serbia, kur të kërkohet falje nga ajo dhe kur të vihet drejtësi për ata që kanë pësuar nga krimet e tyre”, tha zonja Osmani, duke theksuar ndërkaq angazhimin e saj për ruajtjen dhe thellimin e miqësisë me aleatët e Kosovës, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara.
Kush është Vjosa Osmani?
Vjosa Osmani, u lind më 17 maj të vitit 1982 në Mitrovicë. Ajo është e martuar dhe ka dy fëmijë, ndërsa me profesion është juriste e doktoruar në shkollën e Drejtësisë të Pittsburgut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zonja Osmani kishte shërbyer si shefe e kabinetit të ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Më pas ajo është zgjedhur tri herë me radhë deputete në parlamentin e Kosovës.
Në zgjedhjet e vitit 2019, Vjosa Osmani ishte kandidate për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas atyre zgjedhjeve, Lidhja Demokratike dhe lëvizja Vetëvendosje që doli e para, arritën një marrëveshje për bashkëqeverisje dhe zonja Osmani u zgjodh kryetare e parlamentit të Kosovës ndërsa zoti Kurti kryeministër i Kosovës.
Më 25 mars të vitit 2020, Lidhja Demokratike e Kosovës me anë të një mocioni mosbesimi rrëzoi qeverinë e zotit Kurti. Zonja Osmani doli kundër mocionit dhe në qershor Lidhja Demokratike e largoi atë nga të gjitha funksionet partiake.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, zonja Osmani, e cila kandidoi në listën e lëvizjes Vetëvendosje, u bë personi më i votuar në Kosovë duke siguruar më shumë se 300 mijë vota. Ajo ishte kandidate për postin e presidentes në kuadër të marrëveshjes së nismës së saj Guxo me lëvizjen Vetëvendosje.
Vjosa Osmani do të mbajë postin e presidentit të Kosovës për pesë vjet aq sa e përcakton Kushtetuta e Kosovës. Kjo është hera e dytë që në postin e presidentes zgjidhet një grua. Në vitin 2011 në këtë post që zgjedhur zonja Atifete Jahjaga e cila u pasua nga ish presidenti Hashim Thaçi.
Zgjedhja e presidentes pasoi përplasje të ashpra politike të ditëve të fundit.
Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të premten të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për të miratuar në procedurë të përshpejtuar ndryshimin e ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, kërkesë që u hodh papritmas duke nxitur shumë reagime e pakënaqësi të opozitës.
Lidhja Demokratike e cila ishte zotuar se do të marrë pjesë në votimin për presidentin, tha se nuk do të ofrojë një mbështetje të tillë nëse nuk tërhiqet kërkesa e lëvizjes Vetëvendosje.
Të shtunën pasdite kërkesa u tërhoq duke bërë që në seancë të marrin pjesë edhe deputetët e Lidhjes Demokratike.
Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bojkotuan votimin.
Por, të shtunën parlamenti ndërpreu seancën në mungesë të votave të mjaftueshme meqë raundi i parë i votimeve u përsërit dy herë dhe ndërsa herën e parë pati 78 vota në kuti, herën e dytë ishin 79, ndërsa së paku duheshin 80 vota në kuti.
“Si presidente, shfrytëzoj rastin që t’i ftoj të gjithë politikanët e këtij vendi që së bashku ta ndërtojmë kulturën politike të bashkëpunimit e të tolerancës, të mirëkuptimit për njëri tjetrin dhe të përkushtimit për shtetndërtim, që shkon përtej ngjyrave politike. Bashkëpunimi me qeverinë si dhe të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve në Kuvend uroj të jetë i përhershëm dhe dinamik, në mënyrë që të sigurohemi që Kosova të vazhdojë të jetë vendi i qytetarëve të saj, që dallimet në mes nesh; politike, kulturore, religjioze të jenë shtysë për kohezion nacional, që diversiteti i mendimeve të jetë thelbi i sjelljes për vlerat e përbashkëta, që qëndrimet e ndryshme edhe në këtë Kuvend ta nxisin kultivimin më tej të frymës së demokracisë”, tha presidentja e re, Vjosa Osmani.
Reagime pas zgjedhjes së presidentes
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, përgëzoi zgjedhjen e zonjës Osmani por edhe deputetët që “kryen detyrën e tyre. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj partneritetit me Republikën e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe përparimit për të gjithë qytetarët e saj”, shkroi ambasadori Kosnett.
Bashkimi Evropian uroi zonjën Osmani, duke theksuar se pret të punojë ngushtë me presidenten Osmani dhe me institucionet e sapo ngritura.
“Kosova tani duhet të rinisë reformat e lidhura me Bashkimin Evropian dhe të angazhohet ne bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja”, thuhet në urimin e shpërndarë nga zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Diplomatët e vendeve kryesore perëndimore të akredituar në Kosovë, përgëzuan zgjedhjen e presidentes duke vënë theksin te sfidat që i presin institucionet e reja në kohë pandemie.
Reagimet e opozitës
Zgjedhja e presidentes u mundësua nga pjesëmarrja në votim e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deri në qershorin e vitit 2020 zonja Osmani ishte zyrtare e lartë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila në zgjedhjet e vitit 2019 e kishte kandiduar për postin e kryeministrit.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, duke uruar zonjën Osmani tha se “Lidhja Demokratike e Kosovës, si gjithherë, edhe këtë herë, ka zgjedhur konstruktivitetin si mjet të vetëm demokratik; duke vënë sërish një standard të ri politik në vend. Pas gjetjes së qetësisë politike të domosdoshme, ne do të ushtrojmë me dinjitet zërin tonë opozitar, për t’i dhënë vendit një alternativë që i duhet në sfidat përpara”.
Procesit të votimit ju bashkuan edhe dy deputete nga partitë opozitare, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat e kritikuan procesin duke e cilësuar atë “pazar të natës”.
Për Partinë Demokratike “Kosova rrëshqiti në monizëm, duke iu bërë dëm i pariparueshëm demokracisë së vendit”.
Në një komunikatë më të gjatë të kësaj partie thuhet se “sonte autoritari Albin Kurti, nënshtroi deputetët e tij, presidenten tashmë të zgjedhur të vendit dhe çfarë është për keqardhje edhe një parti opozitare si LDK-ja, për të shtrirë kontrollin e tij të plotë mbi institucionet e Kosovës. Kurti fillimisht e ndau LDK-në, pastaj e shantazhoi dhe kur kjo nuk i mjaftoi, edhe e kërcënoi dhe e zhveshi nga dinjiteti që i kishte mbetur”.
PDK kritikoi edhe deputeten e saj Adelina Grainca, që u bashkua në votim, ndërsa theksoi se “e konsideron të padenjë, përçarëse dhe partiake Vjosa Osmanin, e cila do t’i shërbej vetëm kryeministrit Kurti por jo edhe qytetarëve të Kosovës dhe përfaqësimit të interesave të tyre”.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi se partia e tij “qëndron faqebardhë në ruajtjen e sistemit kushtetues së demokracisë republikane”.
“Votat e kontrabanduara në këtë proces tregojnë se Vetëvendosje dhe Guxo nuk guxojnë. Sistemi njëpartiak dhe i kapur sapo filloi. Aleanca do të jetë zë i ndërgjegjes së popullit, shtyllë kushtetuese dhe mbrojtëse e ekonomisë së tregut të lirë”, shkroi ai duke kritikuar deputetët e opozitës që u bashkuan me votimin në të cilin mori pjesë edhe deputetja e kësaj partie Albena Reshitaj.
Vjosa Osmani pason në postin e ri ish presidentin Hashim Thaçi i cili ndodhet në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Gjykatën e Posaçme.
Komentet