Në Shqipëri kryeministri Edi Rama përsëriti të enjten se aktakuza e ngritur ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI-së McGonigal nuk e implikon as atë dhe as qeverinë shqiptare. Zoti Rama foli në parlament në një seancë të parlamentit, e cila bashkoi tre kërkesat e opozitës për interpelancë, mocion me debat dhe pyetje-përgjigje me kryeministrin. Por ky i fundit, megjithatë, u largua nga salla në përfundim të fjalës së tij, ku ai u përqëndrua vetëm në momentet në të cilat, aktakuza përmend emrin e tij, duke mos dhënë shpjegime për angazhimin e ish këshilltarit të tij Dorian Duçka dhe shqiptaro amerikanit Agron Neza, në ofrimin e informacioneve për lobimin në SHBA të Partisë Demokratike
VOA
Me radhë, përfaqësuesë të opozitës paraqitën kërkesat e tyre lidhur me çështjen McGonigal dhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin Edi Rama. Për kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, i cili kishte kërkuar interpelancë “personat e përfshirë kishin tre qëllime. Kryeministri Edi Rama kishte për qëllim fillimin e një çështje penale për lobistin amerikan të angazhuar nga PD, e cila më pas do shërbente për fillimin e një hetimi penal nga autoritetet shqiptare. Për Agron Nezën dhe Dorian Duçkën qëllimi ishte i thjeshtë: përfitimi i licencave koncensionare në sektorin e naftës. Për agjentin McGonigal, përfitimi i më së paku 225 mijë dollarë e të tjera përfitime nga bizneset në Shqipëri. E të gjitha këto qëllime, për secilin, janë realizuar përmes mjeteve të paligjshme”. Zoti Alibeaj shtroi 30 pyetje për kryeministrin.
Pas tij, deputeti Luciano Boci, mes firmëtarëve për mocionin me debat, akuzoi kryeministrin se duhej të përgjigjej “për korruptimin e ish-zyrtarit të FBI-së”, me qëllim që, sipas tij, “të godiste dhe eleminonte opozitën dhe sistemin politik në Shqipëri”.
Pyetje ndaj zotit Rama pati dhe ish-kryeministri Sali Berisha: “Janë 13, por duhet të jenë 130, të cilave duhet t’u përgjigjet komisioni hetimor parlamentar. Pa marrë përgjigje këto pyetje, Shqipëria do ketë kaos dhe vetëm kaos”
Por në fakt zoti Rama nuk iu përgjigj pyetjeve të opozitës, duke zgjedhur të analizojë të gjitha momentet ku në aktakuzë përmendet emri i tij. “Në të 14 këto herë kaq të famshme të përsëritjes së emrin tim ditë-natë ka dy muaj, aktakuza nuk thotë asgjë, zero, as për mua, as për qeverinë shqiptare apo për këdo tjetër që ka takuar personi në fjalë as për shtetin shqiptar”, u shpreh ai.
Një nga momentet e aktakuzës ndaj zotit McGonigal, që ka ngritur dhe më shumë diskutime, është ai që lidhet me informacionet të cilat mori në Shqipëri për lobimin e Partisë Demokratike në SHBA, e që çuan, me nxitjen e tij, në hapjen e një hetimi nga ana e FBI-së, ndaj kompanisë së lobistit Nick Muzin.
Momenti i parë është në 25 nëntor të vitit 2017, kur ish zyrtari i FBI-së, informon Departamentin amerikan të Drejtësisë për këtë rast. Kryeministri Rama e lexoi këtë paragraf, por anashkaloi fjalinë e fundit, ku thuhet se “një ditë më parë ai (McGonigal) kishte marrë informacion mbi lobistin amerikan nga personi B”, i identifikuar si Dorian Duçka, për të cilin kryeministri ka pranuar se ka punuar si këshilltar i tij i jashtëm pa pagesë.
Në atë kohë, pikërisht dy ditë më parë, më 22 nëntor, BIRN, kishte bërë publik faktin se Muzin kishte deklaruar se kishte marrë 500 mijë dollarë nga Partia Demokratike.
Momenti tjetër është ai i muajit janar 2018, kur ish zyrtari i FBI-së, merr sërish informacion, këtë herë nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, për të cilin kryeministri Rama është shprehur më herët se e ka njohur përmes zotit McGonigal, i cili ja ka prezantuar si mikun e tij.
Sipas aktakuzës, Neza e ka marrë informacionin nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë. Zoti Rama nuk e mohoi një fakt të tillë, por saktësoi se “koha së cilës i referohet ky moment, përkon me ditët pasi skandali kishte dalë në media këtu dhe unë apo zyra ime, dëgjojeni mirë këtë se është shumë e rëndësishme, duhet ta dëgjojnë të gjithë shqiptarët edhe demokratët, nuk kishim asgjë tjetër lidhur me këtë, përveç informacioneve të dala në media se po t’i kishim, si do i mbanim, të fshehura?”
Kryeministri përsëriti se “po të kisha patur çfarëdo informacioni, më shumë se ato që dolën në media, për faktin e tmerrshëm që rusët financonin opozitën më të madhe të këtij vendi për të rrëzuar qeverinë, do t’ia kisha përcjellë kujtdo që të mundja, pa asnjë diskutim, nga organizatat partnerë të ndjeshme për këto çështje dhe FBI-së patjetër, të parës fare”.
Por në fakt, në atë kohë, nuk ishte folur për financime ruse. Shkrimi i botuar nga BIRN nuk merrej fare me këtë çështje, e cila doli në dritë më vonë, në muajin mars, pas dyshimeve të ngritura nga një shkrimi i botuar nga revista amerikane “Mother Jones”.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama nuk dha shpjegime se përse Neza dhe Duçka u angazhuan drejtpërdrejtë në këtë çështje, i pari duke u bërë burimi konfidencial i FBI-së për këtë çështje, dhe i dyti, këshilltari i zotit Rama, duke sponsorizuar udhëtimet e dëshmitarëve nga Europa për takimet e tyre me FBI-në.
Përpara se të largohej kryeministri Rama theksoi se 500 mijë dollarët e paguara nga PD, nuk ishin shpikur prej tij, duke deklaruar se disa muaj më parë këtë e konfirmoi dhe raporti i CIA-s për financimet ruse në Europë.
Opozita e konsideroi të papranueshëm largimin e kryeministrit nga salla ndërkohë që sipas tyre ai ishte i detyruar t’i përgjigjej pyetjeve. Ndonëse zoti Rama nuk u kthye, pasi e kishte bërë të qartë se nuk do t’i përgjigjet më kërkesave të opozitës, seanca vijoi për orë të tëra me diskutime në një sallë thuajse të boshatisur.