Në Tiranë, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që mësohet se po kryhen pas dakordësimit mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike të opozitës, u pritën me reagime të ndryshme nga ekspertët e pavarur. Ndryshimet përcaktojnë listat e hapura të deputetëve në 2/3 e tyre si dhe mundësimin e votimit të shqiptarëve nga jashtë vendit përmes postës. Por, ndërsa vlerësojnë hapat për votimin e zgjedhësve nga jashtë, nga ana tjetër ekspertët pohojnë se listat e mbyllura në 1/3 e tyre po bëhen për interesa personale të politikanëve kryesorë dhe dëshmojnë mungesën e vullnetit politik të partive më të mëdha për zgjedhje tërësisht të hapura dhe demokratike.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e opozitës mësohet se kanë rënë dakord për lista të hapura në 2/3 e tyre dhe 1/3 të mbyllura. Ato parashikohet të dorëzojnë në KQZ dy lista; listë shumemërore të fiksuar të kandidatëve, si dhe listën shumemërore të kandidatëve, që i nënshtrohen votimit parapëlqyes. Lista e fiksuar renditet me shifra duke nisur nga njëshi, ndërsa lista shumemërore e kandidatëve me votim të parapëlqyer nga zgjedhësit vendosen në rend alfabetik sipas mbiemrave të tyre.
Ekspertët e pavarur që ndjekin prej shumë vitesh nga afër proceset zgjedhore në Shqipëri pohuan se ndryshimet e pritshme në Kodin Zgjedhor të dakordësuara mes PS-së dhe PD-së për listat e hapura në 2/3 e tyre dhe votimet nga jashtë vijnë si reagim ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk përmbushin asgjë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it mbi përmirësimin e procesit zgjedhor në Shqipëri dhe shmangien e shkeljeve të konstatuara në zgjedhjet e mëparshme.
“Problemet e ngritura nga zgjedhjet e mëparshme, që nuk po trajtohen janë abuzimet me burimet shtetërore, janë financat e partive politike, është frikësimi i zgjedhësve, është përdorimi i administratës gjatë zgjedhjeve. Për ta përmbledhur me një fjali; partia dhe shteti në Shqipëri, po bëhen një dhe kjo është në kundërshtim me dokumentin e Kopenhagës”, thotë për Zërin e Amerikës Dritan Taulla, përfaqësues i Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara.
Ekspertët shprehin shqetësim mbi të njëjtat sjellje shumëvjeçare të partive shqiptare si fajësimi i kundërshtarit politik për gjithçka, mungesë vullneti për zgjedhje demokratike, bllokime të vazhdueshme, sjellje joserioze dhe negociata të fshehta, jo të hapura dhe gjithëpërfshirëse siç kanë bërë thirrje institucionet ndërkombëtare.
“Listat do të jenë faktikisht të mbyllura. Jemi në të njëjtin stanjacion politik për sa i përket pjesës që monopoli dhe ekskluziviteti i listës do të jetë përsëri i kryetarëve të partive. Aty do të jetë preferenciale për kryetarin e partisë, do të jenë njerëzit më të besuar të tij dhe nuk u jepet qytetarëve mundësia që të zgjedhin deputetët që duan ata”, thotë për Zërin e Amerikës Gerta Meta, drejtuese e Shoqatës për Kulturë Demokratike.
Ekspertët vlerësojnë që ndonëse teorikisht në pamje të parë listat janë të hapura në 2/3 e tyre për kandidatët e votave parapëlqyese, metoda e re favorizon dukshëm kandidatët e listës së fiksuar në 1/3, pra paktikisht listat janë sërish të mbyllura në raport me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, dhe kjo është bërë për qëllime personale të drejtuesve kryesorë.
“Ky qëndrim i shprehur në këtë dakordësim dypartiak vjen kryesisht për interesa personale. Me këto kam parasysh interesin e kryetarit të partisë, udhëheqësisë së partisë dhe njerëzit që kanë fuqi në parti, ata që janë figura kryesore në parti, që duan ta kenë të sigurtë mandatin”, thotë për Zërin e Amerikës Kristaq Kume, drejtues i Institutit për Sistemet Zgjedhore.
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara thekson se mungesa e vullnetit për dialog e kompromis të hapur politik, pamundësia për konsultim publik dhe gjithëpërfshirje, solli dështimin e radhës me reformën zgjedhore dhe mostrajtimin e problemeve madhore që vërehen në integritetin e zgjedhjeve sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, apo të aktorëve vendas që vëzhgojnë e vlerësojnë procesin zgjedhor.
Nga ana tjetër Koalicioni vlerësoi hapat e hedhura për të mundësuar votimin e shqiptarëve nga jashtë vendit.
“Mundësimi i votës së shqiptarëve jashtë vendit është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv. Është një formulë e propozuar për votim përmes postës, dhe pas disa akteve nga KQZ, Komisioneri Shtetëror ka thënë se kjo mund të bëhet nëse ligji vjen brenda korrikut”, tha zoti Taulla.
Ekspertët vlerësojnë se ashtu si edhe në zgjedhje të mëparshme, listat e fiksuara dhe të përgatitura nga kryetarët apo kryesitë e partive pritet të sjellin deputetë me cilësi dhe veprimtari të zbehta, të cilëve u kërkohet vetëm të miratojnë gjithçka që propozon drejtuesi i formacionit të tyre politik.
“Jemi përsëri në të njëjtën gjendje; këtu mendohet vetëm për qasjen e partive të mëdha politike dhe përsëri do të kemi firo të votave të qytetarëve, që nuk nuk do të konsiderohen. Partitë e vogla, ofertat e reja dhe lëvizjet e reja politike me këtë kuadër ligjor do të mbeten në vështirësi dhe përsëri do t’u kërkohen aleanca me partitë e mëdha, murin e të cilave ato kanë premtuar se do ta thyejnë”, thotë zonja Meta.
Nga ana tjetër, votimi i shqiptarëve nga jashtë vendit me postë vlerësohet nga ekspertët si risia më e rëndësishme në zgjedhjet e ardhshme, nisur nga fakti që Shqipëria është i vetmi vend në continent, që nuk e ka ende këtë mundësi, si dhe nga fakti që afro gjysma e votuesve në listat e KQZ-së nuk jetojnë në Shqipëri.
Por ata theksojnë se këto procedura duhen përsosur më tej në të ardhmen, se nuk mjaftojnë që shqiptarët të votojnë nga jashtë, por edhe të përfaqësohen në procesin ligjvënës.
“Dakordësia për ta realizuar deri në fund këtë gjë, siç kërkonte dhe Gjykata Kushtetuese, duhet përshëndetur, sepse më së fundi, në zgjedhjet e vitit 2025 edhe ne do të bëjmë pjesë ndër vendet që ua krijojnë mundësinë shtetasve të tyre që të votojnë pa qenë e nevojshme që të paraqiten fizikisht në qendrën e votimit”, thotë zoti Kume.
Ekspertët pohuan që këto bisedime të partive më të mëdha larg syve të palëve të interesuara për dialog konstruktiv, sjellin rezultate të papritura dhe plot dyshime në minutën e fundit dhe të padebatuara publikisht, ku zakonisht partia dhe shteti nuk janë qartësisht të ndara, duke cënuar parimet demokratike për zgjedhje të lira dhe institucione demokratike të konsoliduara dhe funksionale.