Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të enjten se është konfirmuar akuza kundër tij e ngritur nga Prokuroria e Posaçme me seli në Hagë, e cila e ngarkon atë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Duke publikuar njoftimin për konfirmimin e akuzës ai tha se jep dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës.
“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës , popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin edhe me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha presidenti Thaçi.
Ai theksoi se do të bashkëpunojë ngushtë me drejtësinë dhe “nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë, duke besuar në drejtësi, unë besoj në të vërtetën, pajtimin dhe të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë sonë. Prandaj sot më shumë se kurrë ju bëj thirrje e ju lus që të mos e humbisni shpresën, durimin dhe besimin”.
Vjosa Osmani – ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës
Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, mori përsipër postin e ushtrues së detyrës së presidentit, pak pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, në rast se “presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij, ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës”.
Posti i ushtruesit të detyrës së presidentit, sipas kushtetutës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.
Zoti Thaçi tha se aktakuza ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve të tij “është çmim i vogël i radhës që kërkohet të paguajmë për lirinë e vendit dhe popullit tonë”.
“Asnjë pretendim nuk do të mund të ndryshojë apo rishkruaj historinë, Kosova ka qenë viktima dhe Serbia ka qenë agresori. Prandaj kjo situatë e re është një mundësi e re për Kosovën dhe duhet ta shndërrojmë në avantazh për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Kjo mund të arrihet duke ruajtur unitetin politik dhe qytetar në vend si dhe duke ruajtur partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare”, tha ai.
Prokuroria ende nuk ka dhënë ndonjë njoftim por, më 24 qershor ajo beri të ditur se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.
Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara; shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.
Komentet