Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se kërcënimi nga raketat iraniane duket se ka përfunduar dhe tha se banorët mund të dalin nga vend-strehimet. Sipas tij, nga sulmi nuk pati viktima.
“Do të ketë pasoja për sulmin. Kemi plane dhe do të veprojmë sipas kohës dhe vendit që ne përcaktojmë”, shtoi zëdhënësi.
Sipas radios së ushtrisë izraelite, gati 200 raketa u lëshuan nga Irani drejt Izraelit.
Autoritetet izraelite njoftuan ndalimin e të gjitha fluturimeve nga dhe drejt aeroporteve izraelite. Një njoftim i ngjashëm për mbylljen e hapësirës ajrore ishte bërë pak më herët edhe nga Jordania.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, dëshmitarët thanë se panë të rrëzohen mbi hapësirën ajrore të Jordanisë disa nga raketat e nisura, ndërsa dhjetëra të tjera vazhduan lëvizjen drejt Izraelit.
Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se ka lëshuar disa dhjetëra raketa drejt Izraelit dhe se sulmi do të përsëritet nëse do të ketë një kundërpërgjigje nga Izraeli.
Alarmi për një sulm iranian ndaj Izraelit u dha fillimisht pak orë para se ai të fillonte nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Sirenat paralajmëruese për sulme ajrore u dëgjuan për rreth 1 orë gjithandej Izraelit, duke udhëzuar banorët të shkonin në vend-strehime.
Presidenti Biden dhe Nënpresidentja Harris e ndoqën sulmin e Iranit kundër Izraelit nga Dhoma e Situatave në Shtëpinë e Bardhë, duke u informuar rregullisht nga ekipi i sigurisë kombëtare.
Presidenti Biden shkroi në rrjetin social X se “Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të ndihmuar Izraelin për t’u mbrojtur dhe për të mbrojtur personelin amerikan në rajon”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin diskutoi sot me ministrin izraelit të Mbrojtjes Gallant, para fillimit të sulmit me raketa nga Irani, rreth “pasojave të ashpra” që do të kishte Irani nëse sulmonte Izraelin.
Sipas zëdhënësit të Pentagonit Pat Ryder, Sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin gjatë bisedës telefonike me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant theksoi se “Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të mirë gadishmërie për të mbrojtur personelin amerikan, aleatët dhe partnerët përballë kërcënimeve nga Irani dhe organizatat terroriste të mbështetura nga Irani dhe janë të vendosura që të parandalojnë ndonjë aktor që të shfrytëzojë tensionet dhe të zgjerojë konfliktin në rajon.”
Sipas misionit iranian në OKB, nëse Izraeli do të kundërpërgjigjet, vala e ardhshme e sulmeve nga Irani do të jetë “shkatërrimtare”.
Në një deklaratë të postuar në platformën X të Misionit të Iranit pranë OKB-së, autoritetet iraniane thanë se “kundërpërgjigja e ligjshme, racionale dhe legjitime e Iranit ndaj akteve terroriste të regjimit Zionist – që përfshin vënien në shënjestër të shtetasve dhe interesave iraniane dhe shkeljen e sovranitetit kombëtar të Republikës Islamike të Iranit – u krye me sukses.”
“Nëse regjimi Zionist guxon të kundërpërgjigjet apo të kryejë akte tjera keqdashëse, një kundërpërgjigje tjetër dhe shkatërruese do të pasojë. Shtetet rajonale dhe përkrahësit e zionistëve këshillohen që të ndajnë rrugët me regjimin,” thuhet në postimin e Iranit.
Agjencia e lajmeve Reuters citon një zyrtar iranian të ketë thënë se sulmi iranian u urdhërua nga udhëheqësi suprem Ayatollah Ali Khamenei dhe se Teherani është përgatitur për një kundërpërgjigje të mundshme nga Izraeli.
Udhëheqësi suprem iranian, Ali Khamenei ndodhet në një vend të sigurt pasi sulmit me raketa ndaj Izraelit, tha një zyrtar i lartë i Iranit për agjencinë e lajmeve Reuters.
Ai ishte dërguar në vendin e sigurt pas vrasjes nga Izraeli të udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah javën e kaluar.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e dënoi “zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, si një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.”
Ai tha se ky përshkallëzim “duhet të marrë fund. Na duhet patjetër një armëpushim”, tha ai.
*Ky lajm është në përditësim