VOAL

VOAL

Zëri i Amerikës: Hapja e dosjeve sekrete, ligji polak dhe vonesat shqiptare

November 18, 2015

Komentet

Bota pret Vitin e Ri 2025

VOA Marrë nga Associated Press

Auklandi është qyteti i parë i madh që mirëpret vitin 2025, me mijëra njerëz që numëruan sekondat deri sa mbërriti mesnata dhe shijuan fishekzjarret shumëngjyrëshe që u lëshuan nga ndërtesa më e lartë e Zelandës së Re, ‘Sky Tower’ dhe një shfaqje spektakolare dritash në qendër të qytetit. Festimet pasojnë një vit që është shënuar nga protestat për të drejtat e fisit indigjen ‘Maori’ në vendin me 5 milionë banorë.

Dy orë pas Zelandës së Re, më shumë se 1 milion njerëz ndoqën shfaqjen tradicionale të fishekzjarreve në Sidnei të Australisë. Ylli britanik i muzikës pop, Robbie Williams udhëhoqi programin dhe ceremonitë që këtë vit iu kushtohen fiseve indigjene australiane.

Ndërkohë, edhe qytetet e tjera anembanë botës po përgatiten të mirëpresin Vitin e Ri, me festime që nxjerrin në pah kulturat dhe traditat e ndryshme lokale, pas një viti të trazuar me konflikte të vazhdueshme dhe paqëndrueshmëri politike.

Azia përgatitet për ‘Vitin e Gjarprit’

Pjesa më e madhe e Japonisë është mbyllur në prag të festimeve më të mëdha në vend, me tempujt dhe shtëpitë që iu nënshtruan një pastrimi të plotë. Ky ‘Vit i Ri i Gjarprit’, siç njihet në kulturën aziatike, është thënë se është viti i rilindjes – duke iu referuar ndërrimit të lëkurës së gjarpërinjve.

Për shkak të kësaj feste, dyqanet në Japoni po shesin objekte zbukuruese të ndryshme që lidhen me gjarpërinjtë. Vendet e tjera në Azi do të nisin kremtimet e ‘Vitit të Gjarprit’ më vonë, me Vitin e Ri Hënor.

Në Korenë e Jugut festimet u ndërprenë ose u anuluan, për shkak të zisë kombëtare pas rrëzimit të dielën të një avioni të kompanisë ‘Jeju Air’ në Muan, ku si pasojë humbën jetën 179 persona.

Rivalët e perëndimit demonstrojnë marrëdhëniet mes tyre

Mediat shtetërore kineze njoftuan një shkëmbim urimesh për Vitin e Ri mes Presidentit të Kinës, Xi Jinping dhe atij rus Vladimir Putin, një tregues i marrëdhënieve gjithnjë e më të afërta të dy udhëheqësve që kanë raporte të tensionuara me Perëndimin.

Presidenti Xi i tha homolgut të tij rus Putin se vendet e tyre “gjithmonë do të përparojnë krah për krah”, njoftoi të martën agjencia e lajmeve ‘Xinhua’.

Kina ka ruajtur lidhje të forta dhe ka zhvilluar tregti me Rusinë që nga sulmi rus kundër Ukrianës në vitin 2022, duke e ndihmuar Moskën në kompensimin e dëmeve për shkak të sanksioneve dhe përpjekjeve të Perëndimit për ta izoluar Putinin.

Meshë mesnate, dolli me shampanjë

Në qytetin e Romës, festimeve tradicionale të Vitit të Ri i shtohet edhe fillimi i Vitit të Shenjtë të Papa Françeskut. Festa që shënohet në çdo çerek shekulli, pritet të sjellë rreth 32 milionë pelegrinë në kryeqytetin italian, që njihet edhe si ‘qyteti i përjetshëm’.

Të martën nisin kremtimet me ceremoni lutjesh në bazilikën e Shën Pjetrit, pasuar me meshën e së mërkurës, ku pritet që Papa Françesku të përsëris thirrjet për fundin e luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, Katedralja e Shën Palit në Minesota organizon një meshë që fillon një orë para mesnatës dhe një dolli për shënimin e Vitit të Ri.

1 janari është një ditë detyrimi për katolikët, që shënon ‘Solemnitetin e Marisë’, ndërsa shumë kisha që do të zhvillojnë mesha pasditën e së martës dhe në mbrëmje.

Festa me fishekzjarre në Paris dhe Londër

Parisi shënon Vitit e Ri me numërimin tradicional të sekondave deri në mesnatë dhe fishekzjarret në bulevardin e njohur ‘Champs-Elysees’.

Organizimi i Lojërave Olimpike Verore dhe Lojërave Paraolimpike nga korriku deri në shtator ka transformuar kryeqytetin francez në një vend gëzimi, vëllazërie dhe arritjeve sportive, një tjetër moment historik që shënon rimëkëmbjen e qytetit nga sulmet vdekjeprurëse ekstremiste islamike më 2015.

Kryeqyteti anglez do ta presë Vitin e Ri me një shfaqje fishekzjarresh përgjatë lumit Thames dhe një paradë me 10 mijë interpretues në qendër të qytetit të mërkurën.

Për shkak të motit të ligë në pjesë të tjera të Mbretërisë së Bashkuar, ceremonitë e planifikuara në Edinburg të Skocisë u anuluan.

Në Rio do të festojnë 2 milionë njerëz

Në plazhin Copacabana të Rio de Zhaneiros do të zhvillohet ceremoinia kryesore e pritjes së Vitit të Ri, me 10 tragete në det që do të ofrojnë një shfaqje 12 minutëshe fishekzjarresh. Mijëra turistë në gjashtë anije do të shohin nga afër këtë shfaqje.

Më shumë se 2 milionë njerëz pritet të mblidhen në Copacabana, të cilët do të shijojnë koncertin e artistëve të njohur brazilianë si këngëtarja e muzikës pop, Anitta dhe fituesi i çmimit Grammy, Caetano Veloso.

Traditat e reja dhe të vjetra amerikane

Në qytetin e Nju Jorkut, kompania që menaxhon sheshin e njohur ‘Times Square’ testoi rënien e topit të famshëm, simbolin e vitit 2025, numrat, dritat dhe mijëra kristale,t që janë pjesë e traditës së njohur të pritjes së Vitit të Ri që ka nisur nga viti 1907. Festimi i këtij viti do të përfshijë një shfaqje muzikore ku do të performojnë artistë të njohur si Rita Ora, TLC, Jonas Brothers dhe Sophie Ellir-Bextor.

Fstimet në ‘Times Square’ pritet të mbledhin turma të mëdha njerëzish, pavarësisht parashikimeve për reshje shiu dhe motit të ftohtë.

Ndërkohë, në Las Vegas të Nevadës do të ketë tradita të vjetra dhe të reja të pritjes së vitit të ri. Shfaqja vjetore tetë-minutëshe e fishekzarrjeve nga çatitë e nëntë kazinove pritet të mbledhë rreth 340 mijë njerëz.

Aty pranë, objekti masiv i njohur me emrin ‘Sphere’ do të shfaqë për herë të parë numërimin mbrapsht deri në mesnatë në zona të ndryshme kohore.

Muzikë, futboll, vrap në mesnatë

Qyteti Pasadena në Kaliforni është përgatitur për ‘Paradën e Trëndafilave’, një traditë e përvitshme amerikane që filloi 134 vjet më parë. Parada i paraprin një ndeshje futbolli amerikan mes klubeve ‘Ohio State Buckeyes’ dhe ‘Oregon Ducks’ më 1 janar.

Mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në një garë vrapi.

Rreth 200 mijë njerëz do të festojnë në Nashvill të Tenesisë, në një koncert pesë-orësh të disa prej yjeve më të mëdha të muzikës ‘country’.

Samoa Amerikane është ndër të fundit që mirëpret vitin e ri, plot 24 orë pas Zelandës së Re.

UGSHPD: RAMA DREJTON PUSHTETIN NËN INFLUENCËN E FRIKËS

 
 
Pas timonit dhe dajres në fushatat e mëparshme zgjedhore të cilat i siguruan kryeministrit Rama “suksesshëm” qeverisjen me nepotizëm dhe korrupsion (kapjen e të gjitha pushteteve) për 12 vite, nga sot deri në zgjedhjet e ardhshme të 11 Majit, ai vihet re se dukshëm do ta drejtojë shtetin paduar ose nën influencën e frikës. 
Kjo do të thotë spastrime dhe pushtet absolut dhe gjithkush brenda Rilindjes Socialiste një ushtar i bindur.
Në qoftë se publiku këtë e ndjen si një mungesë frymëmarrje për të qenë sovran, këtë më së miri e tregoi shfryrja dhe turfullimi në konferencën përmbyllëse me gazetarët ku kryeministri s’kishte më ç’të fliste i përhumbur në gjetjen e pusullave dhe shënimeve.
Pikërisht prej kësaj gjendjeje nuk do të ndalemi tek konferenca vjetore e cila quhet zakonisht nga propaganda e tij si “shteruese” pasi zgjati mbi 3 orë. Fakt është që ai e humbi fillin jo nga padija, por nga tronditja/shok politike që ka marrë nga zhvillimet e fundit të SPAK-ut me Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj i cili ashtu si Shqipëria janë në ajër ose në rënie të lirë prej korrupsionit.
Për gazetarët u ndoq një strategji “fol sa më gjatë dhe mos jep përgjigje”. 
Dhe kështu ndodhi.
Në tri orë takim vetëm nga një pyetje ku shantazhi dhe intimidimi ishin pjesë e aktrimit para dhënies së përgjigjeve.
Në një nga pyetjet që veçojmë dhe ka interes për diasporën ishte ajo e listave zgjedhore që harton Rilindja Socialiste dhe se në cilën Rama do të bëjë pjesë.
A është Vlora e Ismail Qemalit?
Sepse Rama është i pari që po ndërton një shtet të së drejtës që pas 1912-ës.
A është Durrësi i Jurgis Çyrbes?
Deputeti i Partisë Socialiste nën akuzën  “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Apo është Shkodra?
Me këtë arrogancë dhe intimidim të dyfishtë si për median dhe për kundërshtarët politikë, Rama nuk i habiti gazetarët e pranishëm dhe publikun “live” se kur analistët në ekrane e kritikojnë atë, rreth 600 mbledhje organizatash mbahen nga strukturat e Rilindjes Socialiste.
Një zmadhim dhe mendjelehtësi shprehjesh që nuk mund t’ua vërtetosh ndodhinë. Por megjithatë konsekuenca inatçore vjen deri aty ku Rama beson (ose i ka të numëruar) 800 mijë mbështetës brenda vendit dhe ndoshta po kaq në diasporë po ta besojmë se administrata dhe patronazhistët janë investuar dhe po punojnë fort deri me 11 Maj, 2025 pavarësisht korrupsionit që ka pushtuar çdo aspekt të jetës shqiptare.
Diaspora?!
Kjo është çështja më e pasigurt dhe që fatkeqësisht nuk zuri vendin e duhur në takimin 3 orësh me gazetarët.
Fatkeqësisht diaspora ishte dhe tema për të cilën nuk u bë një pyetje.
Ndoshta gazetarët në fundvit janë “të lodhur” edhe nga maratona e turrjeve të kryeministrit me ministra dhe administratë, me patronazhistë dhe me tallava folklorike, pikërisht për ta dekurajuar votën e diasporës. 
Greqi 14 Maj,  Athinë dhe 3 Nëntor, Selanik 
Itali 26 Maj, Milano 
Mbretëria e Bashkuar- 24 Nëntor Londër 
SHBA  25 Shtator dhe 26 Tetor Nju Jork
Dhe mos bërja e pyetjeve nuk është çudi nën një stres të tillë dhe kur ke përpara një kryeministër që qeveris nën influencën e frikës.
Duke i besuar gjetjeve që zhurmuan në raste krizash dhe që “i zgjasin jetën” në pushtet Ramës tema si “Kampet e Refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër”, “Shteti Bektashi”, “1 vit pa tik-tok”, “Pusulla e homologut Kurti në takimin e dy Kuvendeve” etj. deri tek trauma/shoku Erion Veliaj, nuk ka çudi se kur të kujtohet se në mbylljen e konferencës së fundvitit për gazetarët, Edvin Rama do të zgjohet një ditë dhe do të thotë jam në listën e të zgjedhurve nga diaspora, pasi brenda vendit atë dhe elitën e Rilindjes Socialiste të etur për një mandat të katërt të gjithë e njohin.
E njohin mirë dhe janë më pak në numër se sa ata që janë larguar prej Shqipërisë.
 
30 Dhjetor

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Në prag të festave të fundvitit, Vjosa Osmani viziton veriun e vendit

Në prag të festave të fundvitit, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani është duke qëndruar në veri të Mitrovicës.

Osmani gjatë kësaj kohe ka vizituar Drejtorinë e Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

Kjo është vizita e parë e Osmanit në veri, pas sulmit të 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, komunë kjo me shumicë serbe në veri të vendit./KP

Shqiptarët nuk i besojnë njëri-tjetrit, më shumë se çdo vend në Rajon, as shtetit

Shqiptarët gjithnjë me shumë po bëhen dyshues në marrëdhëniet me të tjerët. 89 për qind e tyre nuk i besojnë njëri -tjetrit dhe tregohen shumë të rezervuar në marrëdhënie me njerëzit.

Sipas anketës se Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) që mati perceptimin e sigurisë në Rajon, qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës shfaqen nivele më të larta të mosbesimit në marrëdhënie me njerëzit (shiko grafikun e mëposhtëm).

Në të kundërt qytetarët e Serbisë dhe Malit të Zi ishin më pak mosbesues së pjesa tjetër në Rajon. Psh 27% e serbëve pohojnë se njerëzit e tjerë mund të besohen kundrejt vetëm 11 për qind të shqiptarëve.

Shqiptarët ndryshe nga Rajoni shfaqen nivele të larta të besimit te familja. 95% e të anketuarve pohuan se i besojnë familjes, në përqindje më të lartë se në Rajon, ku përgjithësisht vetëm 77% besojnë të familja.

Gjithashtu shqiptarët spikatën për besim e ulët që kanë tek komuniteti që i rrethon. Vetëm 7 për qind besojnë plotësisht tek lagjia ku jetojnë, teksa mesatarja rajonale është 17%.

Gjithashtu 65 % e të anketuarve nuk besojnë tek administrata publike, niveli më i lartë ne Rajon. Vetëm 1 % e të anketuarve kanë besim tek administrata publike në raport me 4% që ishte mesatarja rajonale.

93 për qind e shqiptarëve nuk u besojnë njerëzve që takojnë për herë të parë.

Besimi institucional është dukshëm i ulët në të gjithë rajonin, ku partitë politike, mediat sociale, parlamentet, shtypi dhe televizioni janë institucionet më pak të besuara.

Ka pak përjashtime ku shumica e të anketuarve kanë besim: organizatat fetare (60% shumë dhe mjaft besim); forcat e armatosura (55%); policia (54%); universitetet (53%); Bashkimi Europian (55%) dhe NATO (54%). Në rajon, ka më pak besim te partitë politike (80% nuk kanë fare ose jo shumë), mediat sociale (75%), parlamenti (72%), shtypi (71%) dhe televizioni (65%), megjithëse ka më shumë se 50% mosbesim në të gjitha institucionet e tjera.

Të dhënat e SecuriMeter 2024 theksojnë se korrupsioni mbetet një çështje e përhapur në Ballkanin Perëndimor, me 83% të qytetarëve që e perceptojnë atë si të përhapur, megjithëse më pak besojnë se është “shumë i përhapur” në krahasim me vitin e kaluar.

Ndërsa ka një rënie të lehtë në raportet e ryshfetit, veçanërisht në kujdesin shëndetësor dhe ndërveprimet e policisë, korrupsioni i nivelit të lartë mbetet një shqetësim i rëndësishëm./B.Hoxha

SHBA, 5.9 miliardë dollarë ndihma ushtarake shtesë për Ukrainën

VOA Marrë nga Reuters

Shtetet e Bashkuara njoftuan të hënën për një ndihmë shtesë prej gati 6 miliardë dollarësh për Ukrainën. Presidenti Joe Biden po përdor javët e tij të fundit në detyrë për të rritur ndihmën për Kievin përpara se Presidenti i zgjedhur Donald Trump të fillojë punë.

Presidenti Biden njoftoi për dhënien e 2.5 miliardë dollarëve ndihmë për sigurinë e Ukrainës. Ndërkohë Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha se Shtetet e Bashkuara kanë vënë në dispozicion 3.4 miliardë dollarë shtesë për ndihmë për buxhetin e Ukrainës, duke i dhënë vendit të shkatërruar nga lufta burime kritike mes intensifikimit të sulmeve ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës ukrainase.

“Nën udhëheqjen time, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë pa pushim për të forcuar pozicionin e Ukrainës në këtë luftë në pjesën e mbetur të kohës sime në detyrë”, tha Presidenti Biden në një deklaratë.

Njoftimi i Presidentit Biden përfshin 1.25 miliardë dollarë ndihmë ushtarake të marrë nga rezervat e Shteteve të Bashkuara dhe një ndihmë tjetër prej 1.22 miliardë dollarësh nga Iniciativa e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës (USAI), pjesa përfundimtare e USAI-t gjatë kohës së zotit Biden në detyrë.

Sipas iniciativës USAI, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes ose partnerët, në vend që të merren nga rezervat amerikane, që do të thotë se mund të duhen muaj ose vite për të mbërritur në fushën e betejës.

Po bëhen gati tre vjet nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë dhe së fundmi rusët kanë përdorur trupat e Koresë së Veriut për të forcuar pozicionin e tyre luftarak.

Trupat koreano-veriore po përjetojnë humbje të mëdha në fushën e betejës, me 1000 trupa të tyre të vrarë ose të plagosur vetëm gjatë javës së fundit në rajonin Kursk të Rusisë, tha javën e kaluar zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Presidenti Biden tha se ndihma e re do t’i sigurojë Ukrainës “një fluks të menjëhershëm të ndihmave që ajo vazhdon t’i përdorë me sukses të madh në fushën e betejës dhe furnizime afatgjata të mbrojtjes ajrore, artilerisë dhe sistemeve të tjera kritike të armëve”.

Gjatë luftës gati tre vjeçare, Uashingtoni ka dhënë ndihmë për Ukrainën me vlerë prej miliarda dollarësh, por është e pasigurt nëse kjo do të vazhdojë me të njëjtin ritëm nën zotin Trump, i cili zëvendëson Presidentin Biden më 20 janar. Presidenti i zgjedhur Trump ka thënë se dëshiron t’i jap fund luftës me shpejtësi.

Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump vuri në dyshim nivelin e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në këtë luftë, duke sugjeruar se aleatët evropianë duhet të mbajnë më shumë barrën financiare.

Disa nga kolegët e tij republikanë, të cilët do të kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin nga muaji i ardhshëm gjithashtu kanë treguar se nuk janë të prirur të vazhdojnë dërgimin e më shumë ndihmave Kievit.

Një zyrtar amerikan tha se ndihma e fundit e çon totalin e ndihmës buxhetore amerikane për Ukrainën në pak më shumë se 30 miliardë dollarë që nga fillimi i agresionit të Rusisë në shkurt të vitit 2022. Shumica e këtyre fondeve përdoren për të mundësuar funksionimin e qeverisë së Ukrainës, duke u paguar paga mësuesve dhe punonjësve të tjerë të shtetit.

Uashingtoni ka dhënë veçmas rreth 61.4 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Kievin që nga fillimi i luftës, sipas Pentagonit.

Presidenti Biden tha se Departamenti i Mbrojtjes është duke punuar në dorëzimin e qindra mijëra predhave të artilerisë, mijëra raketa dhe qindra automjete të blinduara “të cilat do të forcojnë aftësitë e Ukrainës ndërsa ajo kalon dimrin”.

Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha se ndihma e vazhdueshme ekonomike për Ukrainën është thelbësore për funksionimin e shërbimeve të saj qeveritare dhe të vazhdojë të mbrojë sovranitetin e saj, duke paralajmëruar kundër lëvizjeve për të shkurtuar fondet.

“Suksesi i Ukrainës është në interesin kombëtar të Amerikës”, tha ajo, duke u zotuar të vazhdojë të bëjë trysni ndaj Moskës me sanksione dhe të ndihmojë në forcimin e pozitës së Ukrainës për të arritur një paqe të drejtë.

“Ne nuk duhet të tërhiqemi nga kjo përpjekje”.

Dita e Veteranëve të UÇK-së, Osmani: Është kujtesë dhe lavdi për heroizmin e pashuar

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar veteranët e Kosovës duke thënë se “Dita e Veteranëve të UÇK-së” është kujtesë dhe lavdi për heroizmin e pashuar.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se sot nderojnë dhe përulen me respekt të thellë përpara veprës heroike të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – burrave dhe grave që flijuan gjithçka për lirinë e atdheut.

“30 dhjetori është një datë që mishëron heroizmin e pavdekshëm të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe të familjes së tij, të cilët më 30 dhjetor 1991 zhvilluan betejën e parë kundër regjimit serb. Kjo betejë nuk ishte thjesht një përballje e armatosur, por një akt guximi që shënoi fillimin e një epoke të re në përpjekjet për liri dhe shtet. Atyre ju bashkuan me mijëra burra e gra, të cilët i dolën zot atdheut në kohët më të rënda, duke u shndërruar kështu në emblemë të shtetit tonë.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit dhe respekt i përhershëm për çdo veteran të UÇK-së”, ka shkruar Osmani.

Bideni njofton 2.5 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi të hënën një pako të re të ndihmës ushtarake në vlerë 2.5 miliardë dollarë për Ukrainën.

Biden është duke i përdorur javët e fundit në presidencë për ta rritur mbështetjen ushtarake për Kievin, para se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ta marrë detyrën më 20 janar.

“Nën drejtimin tim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë pandërprerë për ta forcuar qëndrimin e Ukrainës në këtë luftë përgjatë kohës sime të mbetur në detyrë”, tha Biden në një komunikatë.

Ndihma e re përfshin ndihmë ushtarake prej 1.25 miliard dollarësh nga rezervat amerikane dhe një paketë prej 1.22 miliard dollarësh nga Iniciativa për Ndihmë të Sigurisë për Ukrainën (USAI). Kjo është paketa e fundit nga USAI nga administrata e Bidenit.

Sipas USAI, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes apo partnerët, pra nuk merren nga rezervat amerikane, që nënkupton se nevojiten muaj apo vite që ato të mbërrijnë në fushëbetejë.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia po hyn në vitin e tretë dhe kohët e fundit ushtria ruse ka përdorur trupa koreanoveriorë për t’i forcuar pozitat e saj luftarake.

Forcat koreanoveriore po përjetojnë humbje të mëdha në vijat e frontit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasi 1.000 ushtarë të saj janë vrarë ose të plagosur vetëm në javën e fundit në rajonin Kursk të Rusisë, tha të premten zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Në një komunikatë, Biden tha se ndihma e re do t’i ofrojë Ukrainës “një fluks të menjëhershëm armësh që ajo po i përdor me ndikim të madh në fushën e betejës dhe furnizime afatgjate për mbrojtjen ajrore, artilerinë dhe sisteme të tjera të armëve vendimtare”.

Prej fillimit të luftës më 2022, Uashingtoni e ka ndihmuar Ukrainën me 175 miliardë dollarë në përgjithësi, por tani nuk është e sigurt nëse kjo mbështetje do të vazhdojë me këtë ritëm nën udhëheqjen e Trumpit, i cili do të zëvendësojë Bidenin më 20 janar.

Trump ka thënë se dëshiron ta përfundojë luftën shpejt. Gjatë fushatës elektorale presidenciale, Trump e ka vënë në pikëpyetje nivelin e përfshirjes së SHBA-së në konflikt, duke lënë të kuptohet se aleatët evropianë duhet ta bartin më shumë barrën e ndihmës financiare. REL

33 vjet nga sulmi i parë i forcave serbe ndaj familjes Jashari

Sot mbushen 33 vjet nga sulmi i parë i forcave të armikut kundër familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.

33 vjet më parë, forca të shumta serbe fillojnë një sulm të armatosur ndaj familjes Jashari në Prekaz, por pas një rezistence të fuqishme të kësaj familje, ato u detyruan të tërhiqen.

Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. sn

REL: Si e ndryshuan botën zgjedhjet e 2024-ës

Votimi i më shumë se gjysmës së popullsisë së botës në zgjedhjet e vitit 2024 ka lënë shumë demokraci liberale përballë krizave të besimit, fragmentimit politik dhe polarizimit të shtuar, teksa disa analistë i frikohen erës së re në velat e autoritarizmit.

 

Ngjarja kryesore e vitit të madh zgjedhor qenë presidencialet e nëntorit në Shtetet e Bashkuara, të vetëquajturin “qytet i ndritshëm mbi kodër” i demokracisë, ku Donald Trump doli fitimtar.

Shumë analiza pas zgjedhjeve u fokusuan në faktorët ekonomikë për refuzimin e figurave në pushtet të Partisë Demokratike nga ana e publikut.

Kërcënimet e vazhdueshme të Trumpit për minimin e sundimit të ligjit nuk duket se dekurajuan aq votuesit.

Republikani është zotuar se do ta vërë nën kontroll një sistem drejtësie që e kishte shënjuar atë me disa hetime dhe gjykime, se do t’i ndëshkojë mediat armiqësore, dhe se do të emërojë shërbyes civilë mbi bazën e besnikërisë së tyre ideologjike.

Nëse Trump i bën të gjitha ato që ka premtuar, “Shtetet e Bashkuara do të përjetojnë sulmin më të ashpër ndaj ndarjes së pushteteve dhe lirive qytetare në historinë e saj paqësore”, shkroi profesori i shkencave politike, Larry Diamond, në revistën amerikane Foreign Affairs.

Polarizim dhe fragmentim
“Ndodhemi në një moment të rrezikshëm, jo vetëm në SHBA, por në shumë vende të tjera”, tha Max Bergmann nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), në një prononcim për AFP-në.

Gjatë dy dekadave të fundit, modeli perëndimor i demokracisë, i instaluar që nga viti 1945 dhe i përforcuar pas rënies së bllokut sovjetik pas vitit 1989, ka qenë në rrezik.

Organizata me bazë në SHBA, Freedom House, ka vënë në pah dhunën e shtuar dhe manipulimet e dyshuara apo të konfirmuara në shumë zgjedhje të mbajtura nëpër botë.

Gjetiu, në disa të ashtuquajtura sisteme “hibride”, udhëheqësit e fuqishëm në pushtet ruajtën postet e tyre, por u përballën me kundërshtime të reja, të vendosura e të organizuara.

Narendra Modi i Indisë dhe Recep Tayyip Erdogan i Turqisë pësuan humbje në zgjedhjet parlamentare, përkatësisht komunale.

Edhe në sisteme më konkurruese demokratike, si në Evropë, “ne po shohim politikë gjithnjë e më të polarizuar e më të fragmentuar”, tha Bergmann.

Aleanca qeverisëse e Gjermanisë, ndërmjet socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve, u prish në nëntor, teksa ka pak qartësi se si do të duket një qeveri e re pas zgjedhjeve të reja në shkurt.

Dhe, në Holandën fqinje, një koalicion i brishtë katërpalësh po përballet me luftë të brendshme, teksa po përpiqet të mos fundoset, pas rënies së qeverisë së mëparshme më 2023.

Franca, ku prej dekadash në pushtet qëndrojnë herë partitë monolite të majta, herë ato të djathta, ka përjetuar lëkundje të skenës politike, që kur centristi Emmanuel Macron erdhi në pushtet si president më 2017.

Zgjedhjet e parakohshme të befasishme që ai shpalli në verë prodhuan një Parlament pothuajse të ndarë baras ndërmjet tri blloqeve – të majtës, qendrës së djathtë dhe ekstremit të djathtë.

Përderisa palët nuk pajtohen pothuajse për asnjë temë, përpjekjet për reforma janë paralizuar.

Kriza u thellua edhe më shumë, kur në dhjetor Parlamenti francez rrëzoi Qeverinë e Michel Barnierit, në vend të të cilit u emërua François Bayrou.

“Ndalja e ndryshimeve”
Gjendja e paqëndrueshme e demokracive perëndimore mund të shpjegohet nga “një krizë besimi në partitë politike dhe mediat, e paprecedent që nga viti 1945”, ka thënë Bertrand Badie, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin francez Sciences Po.

Votuesit reaguan ndaj “një oferte të varfër të politikës”, ka shtuar ai.

“Çfarë ofruan Macron në Francë apo Kamala Harris në SHBA përtej premtimit për të parandaluar marrjen e pushtetit nga rivalët e tyre, Trump apo e djathta ekstreme, e udhëhequr nga Marine Le Pen? Kjo krijon një problem të madh me legjitimitetin”, ka vlerësuar Badie.

Refuzimi i partive tradicionale dhe i udhëheqësve në pushtet ka kontribuar në rritjen e partive populiste dhe atyre të ekstremit të djathtë.

Ato shënuan suksese të mëdha në zgjedhjet evropiane të qershorit, siç demonstruan zgjedhjet në Gjermani, Francë, Holandë, si dhe në Itali e në Hungari para vitit 2024.

Shumë votues po votojnë për politikanë që premtojnë masat më të ashpra ndaj çështjeve që përfshijnë imigracionin dhe inflacionin.

Edhe personaliteti është element kyç, teksa Viktor Orban i Hungarisë dhe Trump kanë arritur të paraqesin autoritet të paepur.

“Bota dhe shoqëritë po kalojnë nëpër një transformim të madh. Globalizimi liberal nuk ka sjellë përgjigje për miliona njerëz, të brengosur për ndryshime nganjëherë radikale në mënyrën se si ne jetojmë pranë tjerëve, udhëtojmë apo prodhojmë”, ka thënë Gilles Gressani, shef i revistës gjeopolitike franceze Le Grand Continent.

“Si pasojë, ka një kërkesë gjithnjë e më të madhe për t’i ndalur ndryshimet – dhe, për shkak se kjo duket gjithnjë e më e pagjasë, një dëshirë për t’u tërhequr” nga çështjet përtej kufijve shtetërorë, ka shtuar ai./REL

UGSHPD: KARTOLINAT E SPAK PËR FUNDVITIN (“You look great today”)

 
Është larguar për një vizitë pune, por i ka lënë ndezur të gjitha dritat në sheshin Skënderbej kryetari i Bashkisë Tiranë për ditë të tëra deri në ndërrimin e viteve. Kjo situatë për Erion Veliaj i thirrur  nga SPAK dikujt mund t’i duket edhe si alibia e fund-vitit pasi në kartolinën e marrë nga SPAK, të përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) lexohet:
1-“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”. 
2-“Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”. 
3-“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
4-“Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
Po kështu me stilin dërgo sa majtas-djathtas kartolina, pak ditë më parë SPAK ka apeluar për rikthimin e masës së arrestit në shtëpi për kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili gati pas 11 muajsh duket sikur lexon të njëjtin urim:
“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Ja vlen të bëjmë një krahasim cilësor vetëm për përmbajtjen që kanë zgjedhjet e 11 Majit 2025.
Të pesë procedimet penale lidhen me dy persona me peshë të konsiderueshme në përkatësitë politike dhe nuk janë nga ana sasiore dhe administrative pa llogaritur diferencën e moshës mes Veliajt dhe Berishës se cili prej tyre paraqet më shumë rrezikshmëri për të prishur provat dhe ka pushtet ose që qeveris.
Si Berisha ashtu dhe Veliaj, janë që të dy të dalë nga zgjedhjet e anëtarësisë partiake, ndërsa Veliaj e rriti edhe me një tjetër mandat pushtetin pas zgjedhjeve të 14 Majit, 2023.
Ky është një ndryshim shumë i madh për të kuptuar vlerën e veprave penale, procedimin penal, përballjen me drejtësinë si shembull të qytetarisë së procesit duke ushtruar përgjegjësitë e dorëheqjes, pa e lejuar asnjëherë luftën e drejtë për daljen e së vërtetës dhe të mos lejuarit të përdorimit të drejtësisë si armë ndaj kundërshtarit politik.
Në këtë këndvështrim jemi plot pas një viti ngarkesash të cilat nuk kanë treguar aspak suksesin e Rilindjes Socialiste, por dekadencën e saj me shkak nepotizmin dhe korrupsionin. Një vit më parë me 21 Dhjetor, 2023 ishte Rama ai që nxitoi për të shtruar “gostinë me kokën e opozitës”* për ndërkombëtarët. Figurshëm në atë shkrim jo thjeshtë si u cilësua:- Një urrejtje përçarëse që me propagandë vazhdon e ushqen ashtu si me simbolikën e datave diktatoriale edhe festimin e netëve më të gjata pa pluralizëm”, por vetë data historike i kujton brezit të viteve ’90 ngjashmërinë e figurave diktatoriale si Stalini që përmes partisë shtet dhe autoritarizmit mund të rikthehen në qoftë se qytetarët nuk janë të ndërgjegjësuar për ta mposhtur me fuqinë e votës së lirë.
Duke ju rikthyer aktualitetit, në qoftë se Berisha është treguar vigjilent dhe ka reaguar për kryetarin e Bashkisë Tiranë që ai është Larguar nga Shqipëria duke u shprehur se: –“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 për qind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur”.  Në faqet e ATSH mbahet ndezur konflikti Berisha Veliaj për ato çka janë deklaruar dhe ku Veliaj ka shpërthyer me fjalor politikani në krizë dhe jo si një menaxhues i një kryeqyteti me një milion banorë të cilin e lë “të zbukuruar” për fund-vitin deri sa të përmbledhë acarimin e vet. Për etikë nuk po i referohemi këtij fjalori të cilin e gjeni në faqen e ATSH: – Veliaj përgënjeshtron Berishën: Në SHBA si kreu i bashkisë së Tiranës, nuk jam non grata si ti”*.

Por mbi të gjitha është një gjë tjetër e dallueshme se një zyrtar si Veliaj, i cili në çdo rast udhëtimi: para, gjatë dhe pas lëshonte lajmin transparent në media për vendndodhjen, pikërisht tani me dritat e ndezura ditë natë në Sheshin Skënderbej ai nuk shihet gjëkundi për të marrë meritat dhe gjithë të tjerat që vijnë me imazhin e propagandës së Rilindjes Socialiste. Nëse SPAK i përmbahet kartolinave për vitin e ri, vetëm në një vend Veliaj duket se ka më epërsi ndaj Berishës pavarësisht fjalorit cinik dhe gati me inatin e një fëmije të përkëdhelur kur shprehet:-Ashtu siç e di që unë jam mbështetës i drejtësisë së re dhe nuk bëj komente rrugëve kur ajo merret me të tjerët dhe pastaj rrugaç si puna jote, që të marr rrugët me akuza e sharje kur merret me mua. Aty rri se edhe ti s’ke nga lëviz, se je pa pashaportë dhe nuk del dot nga Shqipëria, se do të të dal si lugat në shtëpi natën e Vitit të Ri, kur edhe Syri i djalit tënd do jetë te Sheshi Skënderbej, duke transmetuar fishekzjarret e 2025-ës, kur do hash shqelmin më të fortë nga shqiptarët, sa të vijë maji!”. Si për ironi të fatit Veliaj largohet nga detyra pikërisht atëherë kur Tirana ka nevojë për kryetar. Kryeqyteti një milionësh është i lënë në kaos dhe kjo me gjakftohtësi të madhe pa u justifikuar si ftesë zyrtare apo vizitë shëndetësore quhet lënie e përgjegjësive dhe shpërdorim detyre, në qoftë se nuk ka të tjerë drejtorë të besuar për t’ia deleguar kompetencat. Veliaj ka uruar dhe më parë se që prej 1 Janarit, Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Një mashtrim mjeshtëror dhe hipokrizi në gjithë përmbajtjen që përfaqëson fjalori dhe qindra projekte korruptive në 8 vite pushtet dhe një mandat të tretë të filluar. 

Tek sa do ta mbyllësh kartolinën e SPAK-ut, kor lexon mediat zyrtare online apo e shëtit me telekomandë TV si për të ndërruar mendje, Veliaj sërish të del në ekran. Këtë rradhë në një program televiziv të Kosovës T7, ku do të jetë përshëndetës për Vitin e Ri 2025. Reklama dhe imazhi i tij vazhdon edhe në dialektin kosovar. Veliaj po udhëton jashtë shtetit. Ka njoftuar se kthehet pas dy ditësh, por kaosi i ndërtuar i ideologjisë dhe i propagandës i investuar me para (shumë para), korrupsioni është shpenzuar tashmë dhe është kthyer produkte mediatike.

Kryebashkiaku Veliaj tashmë ndodhet larg asaj dere që punon ditë natë dhe sa herë që e hapte e motivonte:-“You look great today”. Nuk e dimë ende moralin.

A është ky për vete apo për klientët? por morali i tij progresist është vetëm gjithëpërfshirës dhe i zhytur në korrupsion.

Por megjithatë le të shohim sa i drejtë do të jetë viti 2025.

Ndryshe nga një “shërbëtor” i qytetarëve me “You look great today”. Ne dëshirojmë që të gjithë shqiptarët të jetojnë sa më mirë çdo ditë.

28 Dhjetor, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Kurti: Serbia me mbështetjen e Rusisë përhap narrativë kundër Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë se përdorë propagandën dhe dezinformatat si armë të politikës së saj të jashtme që sipas tij, kanë synim që ta dëmtojnë Kosovën.

Në konferencën e shtatë të ambasadorëve, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kurti u kërkoi ambasadorëve të Kosovës që të jenë aktivë dhe proaktivë në luftimin e propagandës serbe, që sipas tij, mbështetet hapur nga Rusia.

“Përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike, terroriste të Serbisë, ajo vazhdimisht përdorë propagandën, dezinformatat si armë të politikës së saj të jashtme dhe pikërisht për këtë arsye puna juaj merr vlerë edhe peshë të shtuar. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativësh të rreme që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe tentojnë të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, në betejën e narrativëve të rremë shpejtësia e reagimit dhe profesionalizmi janë armët kyçe.

“Ju duhet të veproni me vendosmëri dhe qartësi dhe të jeni të shpejtë në reagime për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet ta kemi të gatshme të vërtetën tonë”, tha ai.

Kurti, por edhe përfaqësuesit e tjerë të lartë të Kosovës edhe në të kaluarën kanë fajësuar Serbinë dhe Rusinë se përhapin dezinformata kundër Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar po ashtu për një rrezik që mund t’i kanoset vendit nga Serbia. Por, sa herë që kanë folur për kërcënime të tilla ata kanë përmendur Rusinë, që sipas tyre, është e interesuar për destabilizimin e veriut të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – dhe të rajonit.

Kurti në të kaluarën ka thënë se Serbia dhe Rusia duan zgjerim, ndërkaq presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar Beogradin si “dorë të zgjatur të Moskës” dhe po tenton “të luajë lojërat” e Rusisë për të hapur një front të ri ndaj Perëndimit.

Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka raporte të mira me Rusinë dhe Beogradi refuzon thirrjet ndërkombëtare që t’iu bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian për shkak të luftës së Moskës kundër Ukrainës.

Rusia, ndërkaq, e ka justifikuar ndërhyrjen e saj në Ukrainë me situatën në Kosovë. Rusia ka njohur dy rajone lindore ukrainase si shtete të pavarura dhe presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë përderisa Kosova ka shpallur pavarësinë, pse edhe këto rajone nuk munden. Por, Kurti i ka cilësuar këto krahasime si injorancë. REL


Send this to a friend