Në Shqipëri kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, dha sot dorëheqjen pasi sic njoftoi, kishte mësuar përmes avokatëve të tij se rezultonte të jetë u dënuar në Itali kur ka qenë minoren, fakt të cilin ai nuk e ka deklaruar në formularin për ligjin e dekriminalizimit.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij në Facebook, Rroshi thotë se nuk ka qenë në dijeni të ngjarjes, e cila mendohet të ketë ndodhur “në kohën kur isha ende në kampin e refugjatëve. Jam akoma i shokuar nga ky njoftim dhe as unë vetë nuk di çfarë të shpjegoj më shumë. E vetmja gjë që mund të kujtoj është se na patën shoqëruar njëherë në polici në tufë nga kampi pas një sherri të madh. Mua me ndanë veç se isha minoren dhe kur më morën në pyetje nuk dija akoma as pesë fjalë italisht. Por as kam qenë ndonjëherë në gjyq as kam bërë ndonjë ditë burg për këtë dënim të dhënë nga një gjykatë minorenësh, që rezulton në kartelën time penale kur sapo kisha mbushur 16 vjeç”.
Ne deklaratën e tij Rroshi shprehet se “pa e ditur këtë dënim s’kam pasur si ta deklaroj. Ndërsa pasi jam vënë në dijeni, kjo për mua është bërë një çështje që i përket drejtësisë jo politikës. Prandaj unë nuk mund të vazhdoj i qetë detyrën time si deri dje, për sa kohë pafajësia ime nuk është më një e vërtetë e provuar ligjërisht përballë çdo shpifësi. E kam të pamundur të vazhdoj të kryej detyrën time si Kryetar i Bashkisë së Kavajës edhe sikur kundërshtarët e mi të mos e merrnin vesh kurrë këtë informacion”, shkruan Rroshi, ndërsa shton se “dua t’i kërkoj sinqerisht falje qytetarëve të Kavajës po edhe Kryeministrit Edi Rama, të cilët më kanë besuar dhe mbështetur dhe sot duhet të marrin këtë informacion të padëshirueshëm. Po të gjithë duhet ta dinë se nuk kam fshehur asgjë që dija”.
Kryebashkiaku i Kavajës, i pari socialist që mundi të fitojë dy herë në një zonë të njohur tradicionalisht si bastion i së djathtës, ka qenë ndër personat më të sulmuar nga opozita për dyshime të forta mbi të kaluarën e tij, apo përfshirje në aktivitete kriminale.
Pak javë më parë Prokuroria njoftoi se do të bënte verifikimin e formularit të dekriminalizimit të Rroshit, në të cilin kishte deklaruar se ka qenë i ndaluar në Gjermani. Në formular, Roshi nuk përcaktonte saktë vitin, duke shkruar se ka ndodhur para vitit 2002, vit në të cilin ai ka ndryshuar dhe emrin nga Ervin në Elvis, sikundër nuk jepte dhe arsyet e ndalimit apo arrestimit të tij, duke shkruar se “nuk e mban mend”. Pas vendimit të Prokurorisë ai shpjegoi se është ndaluar nga autoritetet gjermane dhe dëbuar nga Gjermania pasi ka qenë “emigrant pa leje”, duke u shprehur se për të qenë i saktë në përcaktimet ligjore ka shkruar se nuk i mban mend detajet e cështjes. Pak ditë më parë ai publikoi një dokument të lëshuar nga autoritetet gjermane sipas të cilit rezultonte që ndaj tij nuk ka patur çështje penale. Por dhe ky dokument u pasua nga dyshime të hedhura prej opozitës, për shkak se ishte lëshuar në emër të Elvis Ervin Rroshit, që nuk përkon me gjeneralitetet e saktë të tij.
Komentet